E Diel, 1 Nëntor 2026

Ban Ki Moon: Zgjidhje paqësore për veriun

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, ka thënë se shpreson që çështjet në veri të Kosovës do të zgjidhen në mënyrë paqësore. Ai tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është mënyra më e mirë për të ecur përpara. Këto komente, Ki Moon i ka bërë në një takim me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku po merr pjesë Samitin Botëror për të Ardhmen e Energjetikës.

Presidentja Jahjaga dhe Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Moon biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe proceset nëpër të cilat po kalon ajo. Presidentja Jahjaga tha se anëtarësimi i Kosovës në organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë është i rëndësishëm dhe do të ndihmonte në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në gjithë rajonin.
 

Presidentja Jahjaga tha se Kosova po luan një rol të rëndësishëm si faktor stabiliteti. Ajo tha se dialogu me Serbinë duhet të ofrojë zgjidhje të bazuara në praktikat më të mira evropiane.
 

Presidentja e Republikës së Kosovës tha se çështja e tri komunave në veri të Kosovës është cështje e sundimit të ligjit dhe theksoi domosdoshmërinë e zhbërjes së strukturave ilegale, që po mbajnë peng popullatën serbe në këtë pjesë të Kosovës. Ajo tha se në këtë pjesë të
vendit duhet të zbatohet pakoja e Ahtisaarit dhe duhet që të mbahen zgjedhjet lokale.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›