E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara për vendorët, Tavo dhe Hushi kandidojnë për LSI-në



TIRANË – Ish-deputeti socialist Vengjel Tavo, i cili vetëm pak kohë më parë i është bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim, është gati të heqë dorë nga mandati i deputetit për të garuar për postin e kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës. Këtë lajm e ka bërë publik vetë deputeti i LSI-së, Tavo, gjatë një deklarate për mediat. Ndërkohë që Durim Hushi, një tjetër anëtar i ri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, po përgatitet për t’u përballur në garën për Bashkinë socialiste të Elbasanit, e cila drejtohet nga Qazim Sejdini. Këto dy bashki janë pjesë e kërkesave që LSI-ja i ka bërë partnerit të saj në qeverisje, Partisë Demokratike. Ndërsa zgjedhjet vendore do të zhvillohen më 8 maj, po shfaqen emrat e parë të partive kryesore parlamentare.

LSI
Vangjel Tavo është shprehur se synimi i kandidimit të tij për postin e kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës është që ta çlirojë këtë qytet nga njerëzit që po e mbajnë peng. “Po shikoj mundësinë e kandidimit për kryetar bashkie në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ky kandidim bëhet për ta çliruar qytetin nga njerëzit që e mbajnë peng”, - është shprehur deputeti Tavo.
Deputeti i Gjirokastrës, Vangjel Tavo, e ka kundërshtuar vazhdimisht mundësinë e rikandidimit të kryetarit socialist të Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime. Kjo shkaktoi konflikte brenda degës së partisë në këtë qark, duke e lënë atë edhe pa kryetar. Pas largimit nga PS-ja, Tavo pati deklaruar se “pranë lidershipit të PS-së gjejnë vend njerëzit që kanë shitur zgjedhjet në Gjirokastër, por që dinë të intrigojnë, të servilosen dhe që mbajnë të punësuar një armatë njerëzish që nisin mesazhe në telefonin e kryetarit, prej të cilëve ky i fundit krijon opinionet”.
Edhe për Elbasanin LSI-ja ka emrin që do të fusë në betejën e 8 majit. Burimet për gazetën bëjnë të ditur se Durim Hushi është kandidatura që pritet të marrë edhe pëlqimin e PD-së për të garuar në Bashkinë që mbahet nga socialistët.

PS-ja
Ndërsa Partia Socialiste ka vendosur që të mbajë të pandryshuar kryebashkiakët e qyteteve të mëdha që kanë shënuar suksese. Vangjush Dako do të kërkojë rimandatim në Durrës. Të njëjtën gjë pritet të bëjnë edhe kryetarët e bashkive të Fierit, Vlorës dhe Korçës. Por, ndërsa PD-ja nuk ka nisur ende zyrtarisht lojën e shpalljes së emrave, me përjashtim të Tiranës, ku ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka shprehur ambicien për të marrë kryeqytetin, PS-ja ka studiuar deri të detaje situatën në terren dhe po përpunon të dhënat për nxjerrjen e kandidaturave. Vetë kryesocialisti Rama është ende i pavendosur për të kërkuar një mandat të katërt në Tiranë. Aktualisht, strukturat e pushtetit vendor kanë shpallur listat zgjedhore, të cilat janë në fazën e verifikimit përfundimtar dhe qytetarët kanë mundësinë që të shohin emrat e tyre. Po ashtu, Ministria e Brendshme, prej javësh ka nxjerrë online emrat e zgjedhësve.

Felaj: “Ruli ia dha hidrocentralin bashkëshortit të Rajmonda Bulkut”

Deputetja Ermonela Felaj publikoi dje dosjen e plotë të aferës së koncesionit hidroenergjetik në lumin Bënçë. Sipas përfaqësueses socialiste në Kuvend, Genc Ruli organizoi një garë të dytë koncesionare për të favorizuar kompaninë “Ferar sh.p.k.”, pas së cilës qëndron bashkëshorti i deputetes Rajmonda Bulku dhe njëherësh i afërmi i Genc Rulit. “Në garën e dytë për hidrocentralin e Bënçës futet në lojë një tjetër kompani, ‘Ferar shpk’, e lidhur ngushtë me ministrin Genc Ruli. Së pari, Genc Ruli favorizon kompaninë ‘Ferar shpk’ duke shpallur një garë të dytë koncesionare kur ende nuk ishte mbyllur gara e parë. Së dyti, kompania ‘Ferar shpk’ favorizohet duke marrë një bonus prej 5% të pikëve, me justifikimin se kjo kompani ishte propozuesi origjinal i projektit të hidrocentraleve mbi lumin Bënçë. Së treti, ministri Ruli ka marrë pjesë personalisht në të gjitha vendimmarrjet që kanë favorizuar shoqërinë ‘Ferar shpk’, pas së cilës qëndron shoqëria e bashkëshortit të deputetes Rajmonda Bulku, kompania ‘Alfa projekt 2006’”, - është shprehur deputetja socialiste Felaj. Sipas saj, “kjo aferë e radhës e Genc Rulit tregon se nëse sot ka një superfuqi energjetike, ajo është familja e Genc Rulit dhe oborri i ministrave, deputetëve dhe familjes së Sali Berishës”.

Strazimiri: “Ligji të funksionojë njësoj për të gjithë”

TIRANË - Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike reagoi dje ndaj vendimit të katër ditëve më parë të Gjykatës së Tiranës, e cila caktoi masën e sigurisë "arrest shtëpie" për Besnik Dabullën, djalin e deputetes Arta Dade, ndërsa Prokuroria e Tiranës kërkoi 20 ditë burg me akuzën për "armëmbajtje pa leje" dhe "plagosje të rëndë". Strazimiri theksoi se "ligji duhet të funksionojë njësoj për të gjithë, edhe për djalin e Artës, Hamitit apo secilit prej xhahilëve që ende rëndojnë mbi të sotmen e të ardhmen tonë, si për djemtë e secilit prej prindërve shqiptarë që kanë fatin e keq të përballen me ligjin në të njëjtat rrethana".
"Sot, pas 20 e ca vjetësh, Drejtësia shqiptare nuk mund të sillet si në kohën e Tao-Taove", - tha deputeti i PD-së, Gent Strazimiri. Besnik Dabulla u arrestua mbrëmjen e së mërkurës për plagosjen e shokut të tij, Endri Lufi, në dalje të lokalit, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

KQZ-ja do të miratojë të premten buxhetin për zgjedhjet vendore

Komisioni Qendror Zgjedhor pritet të miratojë ditën e premte buxhetin për organizimin e zgjedhjeve për pushtetin vendor. Në relacionin që i bashkëlidhet vendimit të KQZ-së bëhet e ditur se shuma totale e buxhetit të KQZ-së është 102 200 000 lekë. Nga kjo shumë janë parashikuar shpenzimet për paga në vlerën e 68 200 000 lekëve, shpenzime për sigurime 8 000 000 lekë, shpenzime operative 19 680 000 lekë, trasferta korente me jashtë 200 000 lekë, pagesa të tjera me ligj të veçantë 3120 000 lekë, si dhe investime 3 000 000 lekë. Krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2010, buxheti i KQZ-së ka një rritje prej 2.2 milionë lekësh në zërin “paga për shkak të zgjedhjeve lokale”. Në zërin “shpenzime për paga” përfshihen pagat e stafit politik, punonjësve me status të nëpunësit civil, punonjësve me klasa. Gjithashtu, fondi i pagave përfshin edhe pagesën e anëtarëve të KQZ-së, të cilëve iu ndërpre mandati për shkak të hyrjes në fuqi të Kodit të ri Zgjedhor.

12 Janar 2011

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›