Raporti i Dik Martit bashkon politikën shqiptare
Eljona Ballhysa
Pas një viti e gjysmë krizë politike, dy partitë e mëdha në vend për herë të parë kanë dalë me një qëndrim të përbashkët kundër raportit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Dik Marti. Gjatë ditës së djeshme, delegacioni parlamentar i Shqipërisë në Asamblenë e KiE-së ka zhvilluar mbledhjen e parë për bashkërendimin e qëndrimit që do të mbajë pala shqiptare gjatë diskutimit të këtij raporti në Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut në Asamblenë e KiE-së, më 25 janar. Deputetët demokratë dhe ata socialistë, pas mbledhjes që zgjati rreth 45 minuta, bënë të ditur se anëtarët e të dyja partive ndanë mendime të njëjta që kundërshtojnë raportin e Dik Martit. Në ditët në vijim, anëtarët e këtij delegacioni do të mblidhen sërish për të hartuar amendamentet anti-Marti. Synimi i delegacionit shqiptar do të jetë rrëzimi në Asamble i këtij raporti, apo të projektrezolutës që mund të hidhet për votim së bashku me raportin. Zvicerani Dik Marti hedh akuza të forta për klasën politike shqiptare dhe kosovare, duke i implikuar ato në trafik armësh dhe organesh njerëzore gjatë luftës në Kosovë.
Mbledhja
“Ishte një takim pune për të rakorduar qëndrimet mes anëtarëve të delegacionit. Synojmë të dalim në një qëndrim të përbashkët. Takimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim”, - tha dje për mediat deputeti socialist Arben Ahmetaj. Në krye të delegacionit shqiptar do të jetë vetë kryeministri Berisha, i cili do të mbajë një fjalim në këtë Asamble. Ndërsa delegacioni parlamentar shqiptar do të ketë në përbërje të tij: Ilir Rusmalin, Shpëtim Idrizin, Lajla Pernaskën, Arben Ahmetajn, Mesila Dodën, Kastriot Islamin e Arenca Trashanin. Mësohet se anëtarët e këtij delegacioni do të lobojnë në korridoret e Asamblesë së KiE-së për të marrë sa më shumë mbështetje për amendamentet e palës shqiptare, që synojnë rrëzimin e raportit të Dik Martit. Përfaqësuesit e dy partive të mëdha politike mësohet se do të zhvillojnë takime me përfaqësuesit e dy grupeve të mëdha parlamentare në Asamblenë e KiE-së, duke marrë mbështetjen e tyre.
Axhenda
Deputetët shqiptarë do të duhet të hartojnë sa më parë amendamentet anti-Marti, në mënyrë që t’i depozitojnë ato pranë Asamblesë së KiE-së brenda datës 24 janar. Ndërkohë që debati për këtë çështje do të zhvillohet një ditë më pas, pra më 25 janar. Në axhendën e bërë publike të Asamblesë së KiE-së parashikohet që sesioni i parë parlamentar për vitin 2011 të fillojë më 24 janar dhe të përfundojë më 28 janar. Gjatë këtyre ditëve do të diskutohen çështje të rëndësishme për rajonin dhe Europën. Të pranishëm në këtë sesion do të jetë kryeministri Berisha, i cili do të mbajë një fjalim në këtë Asamble dhe Presidenti i Serbisë, Tadiç. Pritet që të dy politikanët të shpalosin qëndrimet e tyre në lidhje me raportin e zviceranit Marti.
Pak kohë më parë, kryeministri Berisha i cilësoi shpifje akuzat e Martit, duke bërë të ditur se ato janë thashetheme të gatuara nga qarqet ultranacionaliste serbe. “Do të insistoj, do të ndërmarr çdo nismë ligjore në Këshillin e Europës që ky zotëri, nëse është serioz dhe nuk ka ndër mend të shkruajë dhe ai ndonjë fiction me këto që publikon, t’u dorëzojë autoriteteve të EULEX-it të gjitha provat dhe dëshmitarët”, - tha Berisha. Raporti i Martit hedh akuza të rënda për politikën shqiptare dhe veçanërisht për ish-kreun e UÇK-së, Hashim Thaçi, të cilin e cilëson si kryetarin e një bande droge dhe trafiku organesh. Krimet, sipas Martit, datojnë në konfliktin e Kosovës në ’99-n dhe janë kryer në “shtëpinë e verdhë”, në Gurë të Matit.
BOX
Peticioni, 25 mijë firma kundër raportit të Dik Martit
Për vetëm katër ditë, kryeqytetasit kanë hedhur jo pak, por 25 mijë firma në peticionin që po hartohet kundër raportit të anëtarit të Asamblesë së Këshillit të Europës, Dik Marti. Organizatorët e këtij peticioni, Partia për Drejtësi dhe Unitet dhe UÇK-ja, kanë ngritur në të gjithë Tiranën 6 pika, në të cilat qytetarët shqiptarë mund të hedhin firmën kundër akuzave të bëra publike në këtë raport. Sipas të dhënave nga organizatorët e peticionit, çdo ditë firmosin kundër këtij raporti mbi 1000 qytetarë shqiptarë në vetëm një nga këto pika. Pra vetëm në katër ditë janë mbledhur 25 mijë firma, ndërkohë që peticioni do të qëndrojë i hapur deri në datën 22 janar. Më pas ky peticion do të depozitohet në Asamblenë e Këshillit të Europës, si pjesë e të gjithë strategjisë lobuese të palës shqiptare kundër raportit të Dik Martit. Mësohet se mbledhja e firmave po vazhdon në të gjitha qytetet e mëdha të Shqipërisë, si në Vlorë, Elbasan, Sarandë, Shkodër, Fier etj. Të gjithë qytetarët shqiptarë, anembanë vendit, po hedhin firmat e tyre si shenjë proteste kundër këtij raporti antishqiptar. Politika shqiptare njëzëri ka kundërshtuar akuzat e bëra publike në këtë raport. Për këtë qëllim, i gjithë faktori mbarëshqiptar, në Shqipëri dhe Kosovë, ka reaguar kundër këtyre akuzave, të cilat synojnë të hedhin poshtë luftën për pavarësi të qytetarëve të Kosovës.
Daniel Server: “Raporti i Martit nuk ka dëshmi konkrete”
Përfaqësuesi i Qendrës për Marrëdhënie Transatlantike në universitetin “Xhon Hopkins” në Uashington, Daniel Server, në një intervistë dhënë radios “Europa e lirë”, ka bërë të ditur se raporti i Dik Martit nuk jep dëshmi konkrete për trafik armësh apo organesh. Ai mbështet idenë e realizimit të një hetimi të plotë të realizuar nga EULEX-i, pra as nga Kosova dhe as nga Serbia. I pyetur se si do ta karakterizonte këtë raport, Server shprehet se “këtë raport do ta karakterizoja ashtu siç ka bërë Dik Marti në pikën 175. Kjo pikë thotë: ‘Detyra jonë nuk është të bëjmë hetim penal, sepse nuk jemi të autorizuar për këtë dhe aq më pak të shqiptojmë dënime për fajësinë ose pafajësinë’. Mendoj se nuk ishte e ndershme që kjo deklaratë të vihej te pika 175. Kjo pikë do të duhej të ishte e para në raportin e Martit”. Server e ka cilësuar një kërkesë legjitime hapjen e hetimeve për trafik organesh njerëzore. “Kjo është kërkesë legjitime, por shtrohet pyetja se kush do ta bëjë këtë?! Nuk besoj se këtë mund ta bëjnë jurisprudenca e Kosovës ose e Serbisë”, - është shprehur Server, ndërsa ka mbështetur idenë e një hetimi të realizuar nga EULEX-i. “EULEX-i është një mundësi. Mirëpo, misioni i EULEX-it ka mandat të veprojë në Kosovë, por jo edhe në Shqipëri. Konsideroj se nëse ka vullnet të mirë, mund të gjendet zgjidhja. Besoj se diplomatët këtë edhe do ta bëjnë. Është e rëndësishme që pohimet për këto krime të hetohen me themel, sepse qarkullojnë tash sa vjet, por nuk janë dëshmuar. Kur shikoni raportin e Martit do të shihni se ai nuk përmban dëshmi konkrete dhe të fuqishme. Kur bëhet fjalë për disa akuza, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me kryeministrin Thaçi, kemi atë që gjyqet amerikane do ta kualifikonin si thashetheme. Mendoj se duhet të hapet hetim penal me themel, që do të nënkuptonte teknikë të sofistikuar mjeko-ligjore dhe program për mbrojtjen e dëshmitarëve. Nëse këtë do ta bëjë EULEX-i, do të kemi mjeko-ligjësi përkatëse, por mbrojtja e dëshmitarëve mund të paraqesë problem të madh, sepse nuk do të mund t’i mbroni dëshmitarët në Kosovë dhe Shqipëri. Ata duhet të merren në mbrojtje nga vendet e treta”, - është shprehur Server. Ai ka komentuar se ky raport ka dëmtuar si Kosovën, ashtu edhe kryeministrin Thaçi. “Gjithsesi, kjo ka dëmtuar Kosovën dhe Thaçin. Por, konsideroj se procesi zgjedhor në Kosovë është shumë i rëndësishëm, sepse është me rëndësi jetike që qytetarëve të Kosovës t’ua lëmë që me votat e tyre të vendosin nëse zoti Thaçi apo dikush tjetër do të përfaqësojë Kosovën. Ky vendim nuk duhet të merret në Uashington ose Bruksel, por në Kosovë, ndërsa zgjedhjet janë mënyra më e mirë”, - është shprehur Server.
12 Janar 2011