Ambasadorja gjermane: “Kriza politike pengon marrjen e statusit në BE”
Eljona Ballhysa
Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Karola Mueller Holtkemper, ka bërë thirrje dje për kompromis politik pasi, sipas saj, kriza politike në vend pengon marrjen e statusit të kandidatit në Bashkimin Europian. Gjatë një interviste për Dojçe Velen, ambasadorja gjermane ka bërë të ditur se ishte pikërisht kriza politike në vend që pengoi marrjen e statusit dhe se kriter parësor për BE-në është funksionimi i Parlamentit dhe i shtetit ligjor. Ajo komenton edhe procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët, duke e mbështetur këtë vendim si dhe marrëdhëniet midis dy vendeve, të cilat i cilëson të shkëlqyera.
Statusi
“Funksionaliteti i Parlamentit është një kriter i rëndësishëm politik në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Për këtë arsye, bllokada politike që zgjat prej gati një viti e gjysmë, është një prej shkaqeve kryesore pse Komisioni Europian në raportin e fundit të progresit nuk e rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat. Para së gjithash do të thosha se është në interes të popullit shqiptar që të dyja kampet politike të arrinin të gjenin një zgjidhje kompromisi, në mënyrë që të parandalohet një humbje e mëtejshme në besimin e shqiptarëve në institucionet e tyre politike dhe që të ketë mundësi për përkushtim ndaj detyrave urgjente që kërkon bërja e reformave”, - është shprehur Mueller Holtkemper. Ajo ka shprehur keqardhjen që dy kampet politike nuk mundën të gjenin një zgjidhje kompromisi së fundi, pasi, sipas saj, Parlamenti Europian kishte propozuar një formulë e qartë kompromisi, ku të gjithë kishin shpresuar për arritjen e një marrëveshjeje. Më tej, ambasadorja gjermane bën thirrje për realizimin sa më parë të 12 rekomandimeve të BE-së për Shqipërinë. “Raporti i progresit për vitin 2010 numëron 12 fusha problematike, në të cilat BE-ja pret dhe shpreson hapa konkretë. Krahas funksionalitetit të Parlamentit këtu ka dhe fusha të tjera me rëndësi të madhe, sikundër janë demokracia, shteti ligjor dhe sistemi i drejtësisë. Bllokada politike pengon dhe zgjidhjen e këtyre fushave problematike. Raporti i ri i progresit, që pritet të publikohet në vjeshtë të këtij viti, do të marrë në konsideratë dhe do të vlerësojë ato që arrihen deri në verë. Në fakt, disa prej fushave problematike që janë përmendur në raportin e fundit, qeveria shqiptare mund t’i zgjidhë ose orientojë drejt zgjidhjes me anë të shumicës së vet parlamentare. Ndërkohë që të tjerat kanë nevojë për zgjidhje, për të cilat do të ishte e nevojshme përpjekja e përbashkët e maxhorancës dhe e opozitës”, - është shprehur Mueller Holtkemper. E pyetur se kur mund të marrë Shqipëria një përgjigje pozitive për statusin, ambasadorja gjermane është shprehur se “vendimi pozitiv i shteteve anëtare varet nga progresi që do të arrijë Shqipëria në kuadër të reformave”.
Vizat
Përsa i përket procesit të liberalizimit të vizave, ambasadorja Mueller Holtkemper e ka cilësuar këtë vendim një sukses të madh për Shqipërinë. “Suksesi i Shqipërisë në këtë rast tregon dy aspekte. Kur ka bashkim të forcave, Shqipëria mund të arrijë vërtet progres të konsiderueshëm”, - është shprehur ambasadorja, e cila është shprehur se është ende herët për të përcaktuar nëse shqiptarët do të respektojnë ose jo kushtet e udhëtimit të lirë. “Nisur nga përvojat e deritanishme me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ka qenë një prej kushteve që Shqipëria të mund të sqarojë dhe të informojë popullatën nëpërmjet një fushate informimi mbi detyrimet që rezultojnë nga kuadri ligjor për një udhëtim pa viza në hapësirën e vendeve ‘Shengen’. Sikurse është rënë dakord, qeveria shqiptare ka realizuar një fushatë të tillë informimi në javët para se të merrej vendimi për liberalizimin e vizave. Për të vlerësuar faktin nëse kjo liri udhëtimi pa viza është keqpërdorur apo jo, është ende herët. Ne gjithsesi konstatojmë se pas ditëve të festave ka pasur një valë të fuqishme të udhëtimeve në kthim”, - është shprehur ambasadorja gjermane.
Haxhinasto në Itali premton fillimin e aplikimit për pasaporta biometrike për emigrantët
Autoritetet shqiptare do të fillojnë brenda disa javësh procedurën e pranimit të aplikimeve për pasaporta biometrike për emigrantët shqiptarë në disa nga vendet kryesore me përqendrim të lartë emigrantësh. Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto, tha dje gjatë një takimi që zhvilloi me emigrantë shqiptarë në Itali, se pas përgatitjes së kushteve teknike, në Romë do të fillojë shumë shpejt pranimi i aplikimeve për pasaporta biometrike. Në këtë mënyrë, emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali nuk do të duhet të udhëtojnë drejt Shqipërisë vetëm për të aplikuar për pasaportën e re, por mund të aplikojnë nga Italia. “Shumë shpejt, çështje javësh, ne do të fillojmë veprimin konkret të marrjes së aplikimeve për pasaporta biometrike për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Itali”, - tha ministri i Punëve të Jashtme, Haxhinasto. Sipas tij, puna për të startuar procesin e aplikimit për pasaporta biometrike nuk varet vetëm nga Ministria e Jashtme, por edhe nga institucione të tjera. Megjithatë, sipas Haxhinastos, ky proces do të nisë edhe në shtete të tjera ku ka përqendrim të lartë të emigrantëve shqiptarë. “Është diçka që nuk varet vetëm nga Ministria e Jashtme; janë edhe institucione të tjera të përfshira, por ne do të bëjmë maksimumin e mundshëm, ne do të ofrojmë maksimumin e gatishmërisë, të bashkëpunimit, me qëllim që ky shërbim i rëndësishëm për emigrantët shqiptarë të jetë funksional sa më shpjet”, - tha ministri shqiptar. Sipas tij, autoritetet janë në fazën përmbyllëse të një marrëveshjeje me institucionet përkatëse, të përgatitjes së stafit të përgatitur dhe pajisjeve të domosdoshme për të bërë të mundur kryerjen e kësaj procedure jashtë vendit.
KQZ-ja do të miratojë të premten buxhetin për zgjedhjet vendore
Komisioni Qendror Zgjedhor pritet të miratojë ditën e premte buxhetin për organizimin e zgjedhjeve për pushtetin vendor. Në relacionin që i bashkëlidhet vendimit të KQZ-së bëhet e ditur se shuma totale e buxhetit të KQZ-së është 102 200 000 lekë. Nga kjo shumë janë parashikuar shpenzimet për paga në vlerën e 68 200 000 lekëve, shpenzime për sigurime 8 000 000 lekë, shpenzime operative 19 680 000 lekë, trasferta korente me jashtë 200 000 lekë, pagesa të tjera me ligj të veçantë 3120 000 lekë, si dhe investime 3 000 000 lekë. Krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2010, buxheti i KQZ-së ka një rritje prej 2.2 milionë lekësh në zërin “paga për shkak të zgjedhjeve lokale”. Në zërin “shpenzime për paga” përfshihen pagat e stafit politik, punonjësve me status të nëpunësit civil, punonjësve me klasa. Gjithashtu, fondi i pagave përfshin edhe pagesën e anëtarëve të KQZ-së, të cilëve iu ndërpre mandati për shkak të hyrjes në fuqi të Kodit të ri Zgjedhor.
Gjinushi: “Zgjedhjet e parakohshme zgjidhin krizën politike në vend”
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, është shprehur dje se vetëm zgjedhjet e parakohshme mund ta nxjerrin vendin nga kriza politike. Gjatë një deklarate për mediat, Gjinushi akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si bashkëpunëtor të qeverisë për manipulimin e zgjedhjeve dhe bëri thirrje për një qëndrim të përbashkët opozitar për të larguar qeverinë “Berisha”. “Vendit i duhen zgjedhje të parakohshme dhe një qeveri e Komision Qendror të Zgjedhjeve që garanton zgjedhje të standardit. Kjo është e vetmja zgjidhje për PSD-në. Këtë duhet ta mbështesë çdo opozitar jo vetëm me fjalë, por me qëndrime konkrete”, - deklaroi Skënder Gjinushi. Kreu i PSD-së bën përgjegjës kryeministrin Berisha për krizën politike, ndërsa opozita shton ai ka faj “tolerancën e tepruar deri në lejimin e nëpërkëmbjes së të drejtave të saj kushtetuese në Kuvend, në KQZ, apo në RTSH”. Sipas Gjinushit, asnjë lloj transparence e Kushtetutës nuk mund të ligjërojë djegien e votës së popullit veçse një veprim mafioz.
Madje, aleati i Partisë Socialiste ka shprehur pakënaqësi për mënyrën se si selia rozë po i bën opozitë qeverisë. Gjinushi është një prej figurave të së majtës që prej kohësh po mban një qëndrim kritik ndaj aleatit të tij të madh, kryesocialistit Rama. Gjinushi tha se opozita po humbet besimin e mbështetëseve të saj.
12 Janar 2011