E Diel, 1 Nëntor 2026

Gara për zgjedhjen e kreut të PD, Basha nis nga Elbasani, Olldashi nga Fieri

Pasi ka nisur gara për zgjedhjen e kreut të Partisë Demokratike, kandidati për kryetar i kësaj partie dhe njëherësh kryetar i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka startuar fushatën e tij nga qarku i Elbasanit.

E di që jeni lodhur shumë në këtë fushatë ndaj dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin tim për mundin dhe punën e të gjithëve ju që keni kontribuar në Partinë Demokratike. Me tunelin që ndërtoi qeveria e Partisë Demokratike, Elbasani po bëhet lagje e Tiranës. Tani ne vijmë nga Tirana në Elbasan për 30 minuta, ky ishte një premtim që ne e bëmë realitet.

Në 23 Qershor ne nuk korrëm rezultatin që shpresonim dhe që mendonim se meritonim. Ky moment duhet analizuar dhe ne do të bëjmë një analizë të plotë dhe që nuk do të jetë për të larë duart nga përgjegjësitë dhe as për të bërë koka turku por do të jetë një analizë që ti shërbejë PD-së të analizojë pjesën e saj të përgjegjësisë, të nxjerrë mësime dhe të dali më e fortë për sfidën e rradhës elektorale, u shpreh Basha.

Përgjegjësia për humbjen e 23 Qershorit qëndron jo vetëm mbi Sali Berishën, por fillon nga gjithësecili prej nesh. Kjo është një mundësi për të bashkuar secili prej nesh në këtë familje të madhe. Elementi i parë i reflektimit është që të jemi të gjithë bashkë dhe mos të lejojmë përçarje dhe shpifje që të hyjnë mes nesh. Secili prej nesh duhet të pranojë përgjegjësitë e veta. Kandidatura ime për kreun e PD-së nuk është nisur nga ambicia personale por duke u nisur nga ndjenja e përgjegjësisë dhe ky është një vendim mjaft i vështirë për mua. Militantët e Partisë Demokratike janë njerëz punëtorë dhe të përkushtuar. Fillimi i projektit të ri politik, dëgjimi i zërit të çdo anëtari të PD-së në çdo cep të vendit. Ky proçes duhet të jetë i vërtetë dhe i prekshëm nga të gjkithë dhe duhet të jetë një proçes cili duhet të nisë sa më parë. Mazhoranca ka ardhur në pushtet me premtime të cilat nuk i mban dot dhe qe nuk ka  ndërmend ti mbajë. Kjo mazhorancë ka mundësi të dalë në kundërshti me interesat e qytetarëve të këtij vendi. Duhet të jemi në opozitë me këtë mazhorancë dhe në mazhorancë me interesat e  qytetarëve shqiptarë. Partia Demokratike do të angazhohet në funksion të mbrojtjes së shërbimit civil. Jemi partia që bëri të mundur shembjen e diktaturës, që i dha shpresë vendit me të pashpresë. Jemi partia që bëri të mundur që të ngrihemi nga një nga kolapset më të vështira ekonomike. Jemi partia e vlerave të mëdha dhe njerëzve të mëdhenj, jemi partia e Sali Berishës. Në këtë proçes duhet të futemi me dinjitet, jemi krenar për ato që i dhamë vendit  gjatë 8 viteve. Jemi e djatha e bashkuar shqiptare dhe do të ndërtojmë një mazhorancë reale për të nesërmen, u shpreh Basha në fjalën e tij përpara demokratëve të qarkut të Elbasanit.

Nën sloganin Bashkë rikthehemi më shpejt, ka startuar  nga qyteti i Fierit fushatën e tij për kryetar të Partisë Demokratike edhe kandidati tjetër, Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi.

Qarku i Fierit, zona elektorale e dyta më e madhe në vend pas Tiranës, është drejtuar nga Olldashi në dy zgjedhjet e fundit parlamentare, ku në vitin 2009 ai mori gjashtë deputetë, ndërsa në vitin 2013 pesë.

Në takimin e parë që pati me bazën në Mallkastër, Olldashi është ndalur në një analizë të humbjes së 23 qershorit, ku ka theksuar rëndësinë e kuptimit të shkaqeve që çuan në disfatë.

Ne i humbën zgjedhjet, por është e domosdoshme të mësojmë pse-në. Përgjegjës për humbjen nuk është Berisha, por të gjithë duke nisur nga ministrant deri tek militantët. Jam futur në garën për kreun e PD,në një moment të vështirë. Kjo është një garë që do ti shërbejë Partisë Demokratike dhe strukturave të saj. Ne duhet të ngremë themelet për fitoret e ardhshme. Ne e kemi provuar se dimë që të ringrihemi dhe jemi rikthyer me votën e qytetarëve.U kërkoj ndjesë militantëve të PD, që me gjithë punën e madhe nuk i fituam zgjedhjet tha ai.

Edhe në këtë takim Olldashi ka vënë në shënjestër të sulmeve LSI, që në bindjen e tij ishte një kosto për PD, ndërsa shtoi se detyrë e PD është të bindin shqiptarët që vota nuk është mall që shitet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›