E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara televizive e 23 qershorit

TIRANE - 23 qershori, përveç garës mes partive politike, shënoi edhe një tjetër sfidë... Atë mes televizioneve. Mesa u pa, për këtë fushatë nuk kishin shpenzuar vetëm partitë politike, por edhe televizionet vendase, disa nga të cilët prezantuan në këtë ditë edhe studiot e reja. Të gjithë u përpoqën të thithnin audiencën mes maratonave të gjata televizive, me lidhjet direkte dhe analistët e ftuar në studio, por pavarësisht kësaj, jo të gjithë ia dolën mbanë. “Summer Pages” ka bërë një “zapping” në disa prej stacioneve kryesore në vend dhe ka parë mënyrën se si janë veshur folësit.
“NEWS 24”
Si gjithmonë, i pari në informimin e qytetarit, “News 24” e nisi maratonën e gjatë të transmetimeve rreth orës 06:00 të së dielës. Nisida Knezi ishte gazetarja që çeli siparin e “Verdikt 2013” përmes lidhjeve me gazetarët e redaksisë së informacionit, të shpërndarë nëpër të gjithë Shqipërinë. Nisida ishte njëherësh edhe spikerja e parë që u ul në studion e re të “News 24”. Një studio e parametrave europianë, që fliste me fjalën e teknologjisë së fundit. E veshur me një xhaketë ngjyrë bezhë, me flokët e krehur thjeshtë dhe me tualetin natyral, Nisida qëndroi në transmetim direkt për tetë orë. Sigurisht, dinamika e ngjarjeve në këtë ditë është e ngarkuar dhe përgjegjësia për të përcjellë informacionin e parë tek publiku është shumë e madhe. Nisida tregon se zhvillimet e njëpasnjëshme bëjnë që moderatori të mos i ndjejë fare 8 orët e transmetimit. “Është një proces zgjedhor mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë, si për nga ana e rezultatit, ashtu edhe për sytë e ndërkombëtarëve. Zgjedhje që po ndiqen moment pas momenti, pa na shpëtuar asgjë në ‘News 24’. Kemi pasur dhe kemi 100% ritëm dhe dinamikë në transmetimet tona ‘live’ dhe përcjelljen e lajmit të fundit tek publiku. 24 orë transmetim i drejtpërdrejtë për shikuesit tanë, duke ofruar në kohë reale rezultate për çdo votë të numëruar. Jam ndjerë në formë dhe shumë e gatshme për t’u përfshirë tërësisht në këtë proces, për të mësuar gjithçka që ndodh, në çdo qark, qytet apo komunë. Po kështu jam ndjerë shumë komode në studion tonë të re të lajmeve, për hir të së vërtetës madhështore, e teknologjisë së fundit, të cilën ia prezantova publikut me shumë dashuri në 23 qershor në orën 6:00 të mëngjesit, teksa mori nisjen maratona jonë zgjedhore. Lidhjet më të rëndësishme kanë qenë në zonat ku ka pasur vështirësi informimi për rezultatin paraprak, por edhe ngjarje të shënuara si 2 incidentet e Vlorës, apo vrasja në Laç. Koha ikën rrufe në studio, ka adrenalinë për shkak të zhvillimeve, ndaj dhe lodhja gati nuk ndihet fare. 8 orë të transmetimit ‘live’, lirisht mund t’i konvertoja si në pak minuta që ikin me shumë shpejtësi. Jam e bindur që shqiptarët ekranin më të mirë të informimit kanë pasur ‘News 24’, sepse ne jemi të parët”, u shpreh gazetarja Knezi kur e pyetëm mbi ecurinë e kësaj dite. Pas Nisidës, stafeta në studio i kaloi gazetares Ola Bruko, e cila përcolli me profesionalizëm zhvillimet e ditës minutë pas minuti. E veshur me një xhaketë të zezë, e cila thyhej bukur nga këmisha rozë, Bruko ruajti rimtin e transmetimeve direkte me lidhje të drejtpërdrejta anekënd Shqipërisë. “Më pëlqen ritmi i transmetimeve direkte në ditë të ngarkuara si kjo. Përgjegjësia për të qenë të parët në çdo lajm, rrit adrenalinën në çdo lidhje dhe shton kuriozitetin për të mësuar më shumë detaje rreth ngjarjes... Gjithçka është siç unë e dua. Gazetarët e ‘News 24’ të shpërndarë në terren kanë bërë vërtet një punë të shkëlqyer, që mendoj se duhet vlerësuar maksimalisht”, ka përfunduar Ola, e cila 8-orëshin e saj në studio e mbylli duke ia kaluar linjën gazetarit të njohur - autor dhe drejtues i “360 Gradë”, Artur Zheji. Nën optikën e tij dhe të analistëve të ftuar, Zheji ndoqi çdo zhvillim të mbrëmjes, duke realizuar edhe lidhje të njëpasnjëshme me çdo qark. Pas tij, në studio u shfaq kryeredaktori i “News 24”, Denis Minga, i cili drejtoi transmetimet deri në orët e para të mëngjesit. Të dy gazetarët kishin zgjedhur kostume të zinj.
“Top Channel”
Sokol Balla ishte shtylla kryesore e mbulimit të kësaj dite në televizionin “Top Channel”, në të cilin ishte krijuar gjithashtu një studio e re. Së bashku me analistët në studio, Balla komentonte çdo zhvillim të zgjedhjeve, duke e shoqëruar edhe me lidhje direkte nga vendngjarja. Për këtë ditë, drejtuesi i “Top Story” kishte zgjedhur një kostum blu, të cilin e kishte kombinuar me një këmishë në ngjyrë rozë.
“Vizion Plus”
Transmetimet në “Vizion Plus” i nisi Valbona Kurti, e cila përcolli deri në orët e pasdites informacionet nga të gjitha qarqet. E veshur me xhaketë gri dhe një kanatiere të bardhë, Kurti qëndroi në studio për tetë orët e para të ditës. Pas saj në studion e “Vizion Plus” u shfaqën Edvin Peçi dhe Edlira Prendi, i veshur njëri me kostum të zi, ndërsa tjetra me xhaketë të bardhë e kanatiere rozë. Transmetimet u mbyllën nga Adi Krasta, i cili komentoi deri në orët e para të ditës zhvillimet, i veshur me një kostum në ngjyrë blu.
“Klan”
Në studion e lajmeve të “Klan”-it gjatë paradites u shfaq gazetarja Fjoralba Mishaxhi, e veshur me një xhaketë të bardhë, e cila bënte herë pas herë lidhje me kolegen Desada Metaj, që drejtonte debatin mes analistëve në studion tjetër. Metaj kishte zgjedhur një fustan në ngjyrë blu për paraditen, ndërsa në mbrëmje zgjodhi kombinimin verdhë e blu për të mbyllur transmetimet.
“Abc News”
Në studion e lajmeve të “Abc News” maratonën zgjedhore e drejtonte Mirela Milori, e cila ishte veshur me një këmishë të bardhë. Herë pas herë ajo kryente lidhje direkte me kolegët e saj në terren si dhe kishte të ftuar në studio për të analizuar zhvillimet e fundit.
“TVSH”
Në studion e “TVSH”-së u shfaq përgjatë paradites Arsen Hoxha, i cili nën shoqërinë e dy analistëve ndoqi përmes lidhjeve direkte gjithë procesin. Hoxha kishte zgjedhur një kostum elegant për këtë ditë.
“Ora News”
Pjesën e parë të ditës në studion e re të “Ora News” u shfaq gazetarja Jonida Shehu, e cila kishte zgjedhur të vishte një fustan të kuq për këtë ditë. Pasdite situatën e mori në dorë kolegia e saj, Ilva Tare, që kishte zgjedhur një kombinim mes të kuqes dhe bezhës për ditën e zgjedhjeve.
“Albanian Screen”
Blerta Tafani ishte spikerja e zgjedhur nga “Albanian Screen” për të mbuluar procesin e votimeve. Gazetarja kishte zgjedhur për këtë ditë një xhaketë të bardhë, të cilën e kishte kombinuar me një kanatiere të zezë.
“Agon Channel”
Në televizionin më të ri shqiptar “Agon Channel”, debatet më të nxehta të ditës i drejtoi gazetarja Sonila Meço, e cila e shoqëruar nga Alessio Vinci i “CNN” dhe nga të ftuar të tjerë analizoi çdo zhvillim të 23 qershorit. Meço kishte zgjedhur për këtë ditë një fustan në ngjyrë portokalli, ndërsa gazetari italian një kostum blu.

(er.nu/summerpages/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›