E Diel, 1 Nëntor 2026

Ayala: Fitorja e së majtës, moment i jashtëzakonshëm, qeveria të pranojë rezultatin

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Lius Ayala në një konferencë të përbashkët me kryesocialistin Edi Rama ka uruar fitoren e zgjedhjeve, nga e majta, siç tha ai, ndërsa nënvizoi se ky është një moment i jashtëzakonshëm për Shqipërinë.

“Është një moment i jashtëzakonshëm për Shqipërinë për Edin, për familje socialiste. Do doja të përgëzojë popullin shqiptar për mënyrën e përgjegjshme me të cilën ka zhvilluar këto zgjedhje. Ngushëllimet tona atyre që vuajtën nga incidenti i ditës së dielë. Këto qënë zgjedhje që i mblodhën njerëzit për të përcaktuar një rrugë të re për vendin. Në fakt ky është një lajm i shklëlqyert për Shqipërinë, Europën dhe familjen tonë internacionaliste. Ashtu siç uroj Edin dhe PS, ia drejtoj këtë urim edhe Ilir Metës e LSI”, tha Ayala.

Sipas tij, pikërisht bashkimi i dy forcave të majta do jetë ai që do i japë vendit një vizion të ri për mënyrën si do qeveriset Shqipëria.

“Kjo ka provuar se ky bashkim i së majtës, 2 forcave progresive sjell një vizion të ri për vendin. Edi Rama dhe Ilir Meta janë ata që do krijojnë një vizion, një të ardhme të përbashkët”, tha ai. 

Ayala më tej apeloi se humbësit duhet të dalin dhe të pranojnë rezultatin. "Ata që humbën duhet të dalin dhe të njohin rezultatin. Ky moment ka të bëjë me vendin dhe të gjithë duhet të bashkohen”, tha ai.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›