Garantimi i profesioneve të lira
Projektligji "Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë" ka si qëllim të përcaktojë kriteret e përgjithëshme dhe themelore për ushtrimin e atyre profesioneve të lira, të cilat kanë rëndësi të veçantë në mbrojtjen e interesit publik, të sigurisë publike dhe të shëndetit.
Ky projektligj i jep mundësinë çdo individi, që gëzon një diplomë, të ushtrojë një profesion të caktuar dhe njëkohësisht të punësohet apo të vetëpunësohet.
Etapat që duhen ndjekur për të fituar të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar janë: kryerja e praktikës profesionale, provimi i shtetit për formim profesional dhe regjistrimi i profesionistit në urdhërin profesional përkatës.
Nëpërmjet provimit të shtetit u krijohet mundësia për të ushtruar një profesion të rregulluar të gjithë kandidatëve, pavarësisht nga institucioni ku kanë përfunduar studimet, qoftë ky institucion publik ose jo publik, pa diskriminim, bazuar vetëm në formimin akademik.
Provimi i shtetit për formim profesional synon të garantojë uniformitetin e vlerësimit të kandidatëve në nivel kombëtar dhe njëkohësisht të verifikojë me objektivitet zotërimin e kompetencave të nevojshme për ushtrimin e një profesioni të rregulluar.
Projektligji është një ndërthurje e të drejtave dhe detyrimeve që kanë individët, të cilër kërkojnë një profesion të rregulluar.
Projektligji ka disa objektiva:
Së pari, të tërheqë në tregun shqiptar profesionistë, shqiptarë apo të huaj, të formuar jashtë kufijve të Shqipërisë, veçanërisht në vendet e BE, të cilat ofrojnë një nivel të lartë formimi profesional, për ngritjen e nivelit të shërbimeve të ofruara dhe krijimin e një tregu konkurrues e të hapur pune.
Së dyti, hapja e rrugës për njohjen profesionale, në përputhje me kërkesat e BE dhe veçanërisht me direktivën europiane "Për njohjen e kualifikimeve profesionale". Ngritja e nivelit të formimit dhe të kualifikimit të studentëve në ato profesione të lira, të cilat do të vlerësohen të rregulluara, nëpërmjet konkurrencës të lirë ndërmjet institucioneve të arsimit, filtrit të provimit të shtetit për formimin profesional si dhe përmirësimit të ushtrimit të profesioneve të rregulluara nëpërmjet Urdhërit Profesional përkatës, do t’i hapë rrugë njohjes të kualifikimeve profesionale.
Së treti, ushtrimi i një profesioni të rregulluar në një shtet të BE, të ndryshëm nga ai në të cilin profesionisti është formuar dhe ka fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit. Pra njohja e kualifikimeve profesionale ka për qëllim të nxisë lëvizjen brënda hapësirës europiane, të të gjithë profesionistëve dhe, në mënyrë të veçantë, të profesionistëve, të cilët ushtrojnë profesione që kërkojnë një nivel të përparuar formimi.
Duke qënë se ky akt ligjor që synon rregullimin dhe përcaktimin e dispozitave të qarta në ushtrimin e disa profesioneve të lira, është shumë i domosdoshëm aktualisht për realitetin shqiptar dhe njëkohësisht përshtat legjislacionin shqiptar në këtë fushë me atë të vendeve të BE.