Prifti: “Albpetrol” privatizohet brenda 2010-ës
Kompania publike e nxjerrjes së naftës, “Albpetrol”, do të hyjë në procesin e privatizimit. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, tha dje në një konferencë për shtyp se është ngritur një grup pune për të filluar procesin e privatizimit të kompanisë “Albpetrol”. "Grupi i punës i ngritur do të përcaktojë formën e privatizimit të kësaj kompanie si dhe termat e referencës dhe kushtet për privatizimin e saj", - deklaroi ministri Prifti, i cili nuk përjashtoi as pjesëmarrjen e kompanive shqiptare në këtë proces, nëse ato plotësojnë kushtet dhe termat e referencës. Prifti shtoi se procesi i privatizimit do të kryhet brenda një periudhe 6 deri në 8-mujore. Z. Prifti tha se do të përzgjidhet një konsulent ndërkombëtar, që do të këshillojë qeverinë për mënyrën e privatizimit, ndryshimet ligjore dhe rregullatore që duhen bërë në këtë proces, por edhe për termat e referencës për të hapur pastaj tenderin për privatizimin e “Albpetrol”-it. "Ne synojmë një fitim maksimal nga privatizimi, ashtu sikurse edhe do të zgjedhim kompaninë, e cila do të ofrojë investimet më të mëdha", - vijoi Prifti, ndërsa shtoi se një tjetër kusht për privatizimin e kësaj kompanie që do të vendoset nga qeveria shqiptare është edhe moslargimi i fuqisë punëtore nga puna me privatizimin e kompanisë. "Mbetet ende për t'u fiksuar forma e privatizimit, nëse do të jetë privatizim i plotë apo dhënie me koncesion", - tha ministri Prifti. Sipas tij, aktualisht “Albpetrol” zotëron 20 % të puseve të naftës në vend. Kreu i METE-s tha se kompania “Albpetrol” ka sot probleme serioze financiare, duke arritur deri në mosmundësinë e pagimit edhe të pagave të punonjësve. Në këtë kuadër, ai paralajmëroi edhe ndryshime në strukturat drejtuese të kësaj kompanie me qëllim rritjen e performancës, deri në fund të procesit të privatizimit për të ulur edhe efektet negative që sjell kjo kompani në buxhet. Në këtë drejtim, ai shtoi se edhe renta minerare nga marrëveshjet hidrokarbure, të cilën e administron “Albpetrol”, pas rregullimit të kuadrit ligjor, për të cilin ai tha se po punohet, do të derdhet në buxhet. Duke mos dhënë shifra lidhur me vlerat kontabël të kompanisë, Prifti tha se “Albpetrol” do të kalojë në një proces auditimi me auditues ndërkombëtarë të certifikuar. Ai shtoi se i gjithë procesi i nxjerrjes së naftës në vend pas privatizimit të “Albpetrol” do të jetë në duart e privatëve. “Albpetrol” sh.a. është shoqëri anonime me 100% të aksioneve të zotëruara nga qeveria shqiptare. I vetmi aksioner është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Selia qendrore e kompanisë ndodhet në qytetin Patos.