E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse feja e shqiptarit sot asht interesi vetjak

Vazhdon procesi i varrimzhvarrimeve në Shqipëri. Këtë politika e quan thellim të mëtutejmë të demokratizimit. Vetëm se kësaj here varrim-zhvarrimet i nxorëm jashtë Shqipërisë, në Indi, në SHBA dhe në Francë, natyrisht për qëllime vetjake e aspak kombëtare. Vetëm India lëvizi nga vendi, u trondit nga themelet dhe më në fund, u detyrua të deklarojë: jo, ne indianët nuk e japim Nënë Terezën! Ndërsa, Kisha Ortodokse shqiptare në Amerikë ende nuk ka bëzajtur për eshtrat e Nolit, ashtu si u shpreh Kisha Katolike në Tiranë për eshtrat e Nënë Terezës…Një rrokopujë eshtrash të të vdekurve ka rinisur ndër ne me një tërsëllimë të habitshme mediatike! Kush e kush të përfitojë e të nxjerrë dhjamë edhe nga pleshti, në rastin konkret nga eshtrat. Taborri i Leka Zogut shfaqi sakaq ngazëllim, por ama kërkoi që bashkë me eshtrat e Zogut të rivarrosen në një mauzole të përbashkët familjar edhe eshtrat e motrave të Zogut, të nënës, të dajës, etj. Pra, që nga bërja hajmali e eshtrave të Skënderbeut e deri te hedhja e eshtrave të Fishtës në lumë kaluan disa shekuj, por me sa duket, edhe në këtë shekull, pas zhvarrimeve të udhëheqësve komunistë, ne shqiptarët do të bëjmë politikë-eshtrash, d.m.th, do të nxjerrim përfitime edhe me varrim-zhvarrimet e të vdekurve, pse jo, edhe të të gjallëve…!

Me gjasme pra, do të vijnë së jashtmi në atdhe eshtrat e Nolit dhe të Nënë Terezës, etj, etj., e paskësaj krerët shqiptarë do të lumturohen, sepse do të rishkruhet më në fund historia, do të vihet në vendin e merituar nderi (apo menderi, sipas disave?) kombëtar, figurat e shquara të kombit do të prehen në tokën amë, meqë do të vendosen në panteoni e kështu, më në fund, do të konsolidohet edhe më tepër sistemi demokratik…Sepse, bëhet sikur besohet (në fakt kjo është një tjetër shtirje!) që me varrim-zhvarrime të njëpasnjëshme e spektakolare mund të kryhet dekomunistizimi i mendësisë së shqiptarëve... gjë që do të thotë se kësisoj ne do të lajmë përfundimisht edhe shpirtin, edhe mëkatet, edhe fytyrën nga e kaluara e jonë e pistë!

Askush nuk pyet pas kësaj politike të shtirosur: sa janë ata qytetarë të rrjedhur që do ta hanë dhe do ta besojnë këtë farsë të radhës me eshtra e varrim-zhvarrime? Tek e fundit, kjo do të thotë se në Salistanin tonë demokratik punët po shkojnë aq mbroth, sa nuk kanë mbetur më halle e probleme të tjera për të zgjidhur (për të gjallët, kuptohet), përveç ca varrim-zhvarrimeve të njerëzve të shquar që janë hapërdarë nëpër botë… Me sa duket, me “kodin e vdekjes” do të kyçen dhe do të varros-zhvarrosen njëherë e mirë edhe kodet e pazgjidhura të të gjallëve të sotëm!

Nuk lipset të kesh shumë mend e kulturë për të kuptuar se vetëm të pafetë, udhëheqësit pa din e pa iman, pa besë e pa turp, mund të bëjnë allishverish politik me të ashtuquajturin kod të vdekjes, duke bërë propagandë edhe me kokallat e të shquarve për të fituar ca më tepër nam, përjetësi e lavdi për vete! Të kërkosh të përfitosh politikisht edhe nga varrim-zhvarrimet e të shquarve, kjo është pak ta quash makabritet! Ashtu si në të kaluarën konvertimi fetar bëhej për të përfituar prona, qyl, pasurim të shpejtë, poste, ofiqe, grada, tituj, çifligje, shmangie taksash, etj, edhe sot përkatësia partiake, pushteti, emri, mbiemri, vota, nderi, lidhjet familjare e fisnore, nënshtetësia e huaj, një vizë, puna shkencore (si p.sh shkrimi i tekstit të historisë), shitja e kufijve shtetërorë, sharlatanizmi, servilizmi, klientelizmi, etj, bëhen për interes vetjak (d.m.th material). Ky “proces “, kjo “liri-demokraci”, ky tjetërsim moral nuk kryhet më me turp e drojë, as tinëz, përkundrazi, me bujë e krenari!

Ra ky mort moral dhe ne nuk e shohim dot veten dhe njëri-tjetrin në pasqyrën e së vërtetës; sepse, teksa sot të hedhim eshtrat në lumë, nesër të nderojmë e të quajmë nder i kombit! Nëse dje të ngritëm monumentin në mes të Shkodrës e të shpallëm hero, sot të hedhim te vendi i plehrave; nëse dje Nënën Terezë e quanin…sot po ata e quajnë shenjtore; nëse dje u bëre ministër prej filan partie, sot je kundër saj meqë të nxorën nga lista; nëse dje të zgjodhën kryetar partie, sot nuk e lëshon partinë dhe postin sikur të bëhet qameti; nëse dje quheshe Murat, sot quhesh Mihal; nëse dje cilësoheshe tradhtar, kolaboracionist, sot je patriot…Ec e mos beso paskësaj se feja e shqiptarit sot nuk është përfitimi vetjak, i çastit, me çdo çmim e me çdo kusht!
***
Nuk ka shqiptar, sadopak të kulturuar, që nuk e di dhe herë pas here, nuk e përmend me mburrje, si një vlerë të çmuar e të veçantë mbarëkombëtare thënien e famshme të Vaso Pashës: “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”. Por, a është bërë ndërkohë shqiptarizmi për ne një mbi-fe? A mos vallë përvoja e hidhur, zhgënjimet e njëpasnjëshme, dështimet historike, po edhe ato aktuale e kanë bërë interesin vetjak një fe sunduese, ndonëse të pashpallur?
Nuk ka dyshim që kjo frazë lapidare ka ndikuar rrezëllitshëm në Rilindje, e sidomos në pas Rilindje, në dobi të ringjalljes së ndenjës kombëtare, pasi si komb ne kemi pas qenë nëpër shekuj të shkërbërë, nën trysninë e asimilimit e synimit shfarosës prej fqinjëve, të cilët më parë se ne kishin formuar shtetin e tyre kombëtar, e për më tepër, ishin edhe më të privilegjuar, për shkak se ishin një komb-një fe, krejt ndryshe nga ne, që jo vetëm nuk kishim një shtet amë, që të na mbronte e të na njëjtësonte, po qemë edhe të hapërdarë sa andej këndej nëpër territore të huaja, e ca më keq akoma, edhe me/nëpër disa fe...Ndaj, nuk është mëkat të pranohet se fjalia programatike:”feja e shqiptarit asht shqiptaria” ka përjashtuar qëllimisht rolin e pazëvendësueshëm të tri feve si një mekanizëm rregullator i domosdoshëm që do të shërbente për mbrothësim e njëjtësim të shoqërisë, të unitet-bashkimit, të moralit e të vetëdijes, d.m.th, të raporteve të ndërsjella, sa solidare aq edhe humane mes bashkëkombësve, si dhe të nacionalizimit të njëmendtë të shpirtit të shoqërisë...

Fatkeqësisht, ky proces nuk ka ndodhur tek ne normalisht e vijimësisht për shkak se nuk ishim një komb-një fe… Ndaj, në pamundësi që këtë rol kombëtar ta merrnin e ta kryenin përsëmbari të tri fetë së bashku, nga rilindasit u gjet mençurisht kjo zgjidhje, që është më shumë pragmatike, se ideologjike: përjashtimi i të tri feve nga ky funksion për të ngjallur sa më shpejt, dhe natyrisht, edhe me sa më shumë efektivitet frymën kombëtare të mohuar ndër shekuj nëpërmjet emfazës poetike, e pse jo, edhe folklorike. U tentua kësisoj të realizohej e të zëvendësohej ajo që në dy mijëvjeçarë, në disa qytetërime dhe për më tepër edhe pavarësisht nga sistemet politike, nuk ka qenë e mundur të kryhet veçmas as nga heronjtë kombëtarë, e më vonë, as nga partitë dhe liderët e tyre, që pa mbështetjen e feve kombëtare të mundësonin ngjizjen dhe mbajtjen gjallë të kombeve…

Janë të pafundmë shembujt, deri edhe te kamikaxet e kohëve tona, që provojnë se vetëm fetë, përgjatë dy mijë vjeçarëve kanë bërë të mundur të bindin qeniet njerëzore se mbi gjithçka ja vlen të sakrifikohet edhe jeta, d.m.th, ja vlen të vesh interesin e përgjithshëm dhe interesin kombëtar mbi interesin vetjak, nëse këtë sakrificë e bën për një bindje e për një besim, në rastin konkret, fetar...Por, shqiptarët, duke u distancuar nga roli kombëtar i fesë, në të vërtetë u bënë më shumë laikë se fetarë, të pafe, se besimtarë… Kur interesi fetar është në mënyrë të natyrshme i njëjtësuar me interesin kombëtar, kjo e bën kombin, shoqërinë, njeriun dhe më pas edhe shtetin të jenë të pathyeshëm! Kurse tek ne marrëdhënia e individit me shtetin ka qenë e dobët, edhe pse marrëdhënia e shqiptarit me besimin fetar ka qenë e brishtë.
***
Dihet që diktatura shqiptare, si më e rralla e më origjinalja në botë, tentoi ngulshëm të shkulë me rrënjë e me degë fenë, duke i dhënë thënies së Vaso Pashës një karakter jo mbi, po antifetar, ndaj e pati shumë për zemër formulën “feja e shqiptarit asht shqiptaria”, sepse me sa duket i shërbente si motivim dhe si një “amanet” që vinte nga rilindasit për të shembur nga themelet kishat dhe xhamitë, (“mos shikoni kisha e xhamia”…) Pra, edhe diktatura u përpoq me një mijë e një mënyra të bindte shqiptarët sa i nderuar dhe i vlefshëm për shoqërinë e përjetësinë do të ishte bash ai njeri që bëhej kamikaxe, d.m.th, që pranonte të vinte interesin e përgjithshëm mbi atë vetjak, natyrisht për ideologjinë e saj...
Pas përmbysjes së diktaturës ne pamë se ky synim i makinës së fuqishme mediatike të saj e paskësh denatyruar dhe shfytyruar “njeriun e ri” deri në atë shkallë, sa për hir të së vërtetës - kjo duhet pranuar, pavarësisht se sa e hidhur mund të duket - shqiptari i sotëm, edhe pse jeton në liri e demokraci, për fat të keq po detyrohet të besojë se sukses mund të kesh vetëm po të vesh interesin vetjak mbi gjithçka! Nëse qytetari fetar, veç ligjeve respekton edhe dogmën fetare, laiku respekton ligjin dhe shtetin, njeriu i pafe respekton vetëm mbijetesën, përfitimin e atypëratyshëm vetjak, makutërinë dhe amoralitetin. Për këtë arsye, njeriu i pafe, njeriu që quhej nga të parët pa din e pa iman, në çdo kohë e në çdo sistem, veçanërisht në demokraci, i ngjan një kafshe të rrezikshme, dëmsjellëse, antishoqërore, pak ose aspak humane e përherë e paparashikueshme.

Fatkeqësisht, në shumicën e rasteve pushtetet dhe shtetin tonë e kanë drejtuar të pafetë, ata që me kodin e vdekjes vijnë dhe qëndrojnë gjatë në pushtet, ata që duke mbajtur gjallë kodin e vdekjes krijojnë bindjen te qytetarët se në këtë dynja asgjë tjetër nuk ka vlerë veç makutërisë; interesi vetjak nuk do t’ia dijë për krizën morale të shoqërisë, as për interesin kombëtar, aq më pak për hallet e komunitetit…Një i pa fe me pushtet është dyfish diktator, sepse sundon jo vetëm nëpërmjet dhunës, por edhe nëpërmjet demagogjisë dhe mashtrimit. Për këtë arsye punët na kanë shkuar historikisht keqemosmëkeq!
***
Pas pluralizmit dhe lejimit të besimit fetar, partitë e reja, ndoshta edhe për shkak se monizmi e kishte bërë shpërdoruar “interesin e përgjithshëm”, jo vetëm që nuk e stimuluan frymën e solidaritetit, po bënë të kundërtën, duke bindur qytetarët se demokraci do të thotë si e si të mendosh vetëm për vete, duke mos përfillur as interesat e katundit, as të pallatit, aq më pak të qytetit, e ndonjëherë as të familjes….Ky u quajt proces i domosdoshëm dekomunistizimi. U stimulua, herë me e herë pa ligje, një kapitalizim i egër dhe barbar, ku njeriu për njeriun u bë kërcënim, ku njeriu për natyrën u bë rrezik, ku njeriu për shtetin u bë armik, ku njeriu për pronën publike u bë hasëm, ku qytetari për të drejtat e njeriut u bë indiferent… 

Këto “arritje demokratike” tashmë duken sheshit. Por, çudia është se për të ndrequr këtë katrahurë morale që tashmë ka hyrë si një krimb edhe brenda familjes, nuk po ndërhyjnë as shteti, as pushtetet, as partitë, as shkolla, as mediat, mjerisht as institucionet fetare. Tek ne ka një pajtim të frikshëm me sundimin dhe yryshin që kanë marrë të pafetë….Thundra e të pafeve jo vetëm që të shtyp e të poshtëron, por ajo mban erë të keqe e nuk të le të ngrihesh… Është kjo thundër që na ka lënë e po na le të zhytur në baltën e në llucën e Ballkanit Perëndimor! ***
Krerët e lartë të tri feve një gjë e bëjnë mirë: presin e përcjellin politikanët e lartë në ditë festash fetare dhe pas këtyre takimeve zyrtare e publike, pas përsëritjes së “harmonisë sonë shembullore fetare”, i gjithë meraku i tyre del se …se qenka “kthimi i pronave nga shteti”… Nuk kemi parë e dëgjuar të ketë nisma e përpjekje serioze që nëpërmjet mësimeve të fesë shoqëria dhe qytetari e veçanërisht rinia të humanizohet, të pastrohet, të edukohet, të kurohet prej pasojave të globalizmit e konsumizmit, të shërohet prej sëmundjeve sociale, si droga, sida, prostitucioni, ngujimi, gjakmarrja, apo edhe makutëria e pushtetarëve e biznesmenëve…As sakrifica e Krishtit dhe as humanizmi universal i Nënë Terezës nuk po shërbejnë si një model, po vetëm si mjete propagande, sepse tek ne më shumë ndikon shembulli i përditshëm i një kryeministri të papërgjegjshëm e zullumqar, apo edhe i një të forti kokërruar të lagjes… Vetëm klerikët, pra dogma fetare, pas një vakuumi fetar, pas këtij shkatërrimi moral që kanë bërë ideologjitë, partitë dhe liderët në shoqërinë tonë, mund të ndikojnë, mundësojnë e ndihmojnë rimëkëmbjen morale….

Por, fatkeqësisht, as këtë mision nuk po e ndiejmë… Klerikët tanë merren më shumë me ngritjen e një kryqi në majë të një mali, të një xhamie në majë të një kodre, me amplifikimin në maksimum të zërit të imamëve e të kambanave, se sa me përpjekjen për të kuruar moralisht shoqërinë dhe njeriun e sotëm të traumatizuar… Të rinjtë e dërguar jashtë për teologji, çuditërisht nuk kthehen këtu për të kryer misionin e mësipërm, po na shfaqen me ca fytyra të fondamentalizuara, gjë kjo e huaj për shoqërinë tonë, duke ndikuar kësisoj edhe në largimin e rinisë nga feja….
E pra, ra ky mort moral dhe ne ende nuk po e shohim dot as veten, as njëri-tjetrin, dhe as kombin drejt e në sy. Kështu ka qenë, por kështu nuk duhet të jetë! Feja sunduese nuk duhet të jetë më interesi vetjak, dhe ne nuk duhet të pranojmë të drejtohemi pafundësisht nga të pafetë! Tjetër rrugë nuk ka!

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›