E Shtunë, 31 Tetor 2026

Garantimi i sigurisë së Evropës



Rishikimi i thellë që Presidenti Obama u bëri planeve për mbrojtjen raketore ka bërë që aleatët e Shteteve të Bashkuara në Evropën Qendrore e Lindore të ndihen të dobët.

Uashingtoni duhet të marrë hapa urgjentë, në mënyrë që të mos lihet përshtypja se SHBA-të nuk janë më të interesuara për sigurinë në Evropën Qendrore e Lindore apo për shqetësimet e bazuara të këtij rajoni lidhur me Rusinë.

Vendimi i Obama-s ishte korrekt. Mbështetësit e sistemit tepër të kushtueshëm të mburojës raketore nuk arritën të dëshmojnë se sistemi mund të jetë funksional. Por, ata ishin të suksesshëm në irritimin e Moskës, që e pa vendosjen e mburojës raketore në Poloni e Çeki si provokim ndaj saj. Rruga e tashme për të ecur përpara nuk është e thjeshtë. Përparësitë e administratës së re amerikane shtrihen në Iran, në Lindjen e Mesme, luftën kundër terrorizmit dhe mosshumimin e armëve të shkatërrimit në masë. Zoti Obama ka të drejtë kur shpreson në bashkëpunimin e Rusisë në këto çështje. Po kështu dhe NATO-ja.

Por, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja nuk duhet të harrojnë drojën e thellë që ekziston në mesin e fqinjëve të Rusisë. Kalimi relativisht paqësor i rajonit nga komunizmi drejt demokracisë ishte sukses. Por, nëse një gjë e tillë vihet në pikëpyetje, ku mbeten shpresat për të shtrirë kufijtë e lirisë? Rusia ka interesa legjitime tek vendet fqinje. Por, qeverisjet autoritare në Moskë shpesh i kanë çuar përpara këto interesa, duke kërcënuar sovranitetin e fqinjëve, siç është rasti i Gjeorgjisë apo Ukrainës.

Moska tani do të përpiqet të nxjerrë përfitime nga ajo që e quan fitore taktike ndaj planit amerikan për mbrojtjen raketore.

Perëndimi duhet t’i minimizojë rreziqet. Nëse është pranuar se zgjerimi i NATO-s për momentin nuk është në axhendë, atëherë duhet punuar për forcimin e sigurisë së vendeve anëtare.

Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin njësinë e planifikuar të raketës Patriot në Poloni, kurse NATO-ja duhet të zgjerojë ushtrimet në Evropën Lindore, veçanërisht në vendet baltike.

Nga ana tjetër, shtetet më të reja anëtare të NATO-s duhet të modernizojnë ushtrinë, pavarësisht krizës aktuale ekonomike. Bashkimi Evropian gjithashtu ka një rol për të luajtur, veçanërisht në fushën e energjisë, kur dihet se Evropa Lindore varet nga gazi rus. Për të parandaluar kriza gazi si ajo e dimrit të shkuar, duhen siguruar linja të reja. Siguria energjetike është pjesë jetike e sigurisë së përgjithshme.

Asnjë nga këto masa nuk duhet të jetë anti-ruse. Bëhet fjalë vetëm për të rritur në maksimum sigurinë e rajonit. Sa më të sigurta të ndihen Polonia dhe vendet e tjera, aq më të gatshme do të jenë ato për një bashkëpunim më të gjerë me Rusinë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›