E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Tiranës, 634 vende të mbetura bosh



Ka përfunduar faza e parë e regjistrimeve të maturantëve fitues për në shkollat e larta. Rektori i Universitetit të Tiranës, z. Dhori Kule, ka bërë të ditur dje se në këtë universitet, në total janë 634 vende të mbetura bosh. Ndërkohë, në ditët në vijim pritet që universitet në gjithë vendin të afishojnë vendet e mbetura bosh.

Pranimet

Në tetë fakultetet e kryeqytetit rezultojnë të kenë mbetur rreth 634 vende bosh, prej të cilave vendet më të shumta janë në Fakultetin e Ekonomisë dhe atë të Gjuhëve të Huaja. Kështu, në Fakultetin e Ekonomisë janë 158 vende bosh, ndërsa në atë të Gjuhëve të Huaja janë 127. Vende bosh kanë mbetur edhe në fakultetet e tjera, si në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, të Drejtësisë dhe të Mjekësisë. Maturantët të cilët nuk rezultuan fitues në fazën e parë në preferencat e kërkuara prej tyre, kanë ende shpresa për të ndryshuar fatin e tyre. Pasi të ketë mbaruar faza e parë, sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës maturantët mund të vazhdojnë procedurat për të fituar një preferencë më të lartë. Aktualisht në të gjitha universitetet e vendit ulet viza e pranimeve për të plotësuar përkatësisht vendet e mbetura bosh dhe pritet që prej këtyre kuotave të përfitojnë studentët të cilët kanë fituar një preferencë më të ulët. Praktikisht, ata mund të ngjiten në preferenca më të larta, duke pasur parasysh edhe pikët e arritura prej tyre. Me mbylljen e kësaj faze, pritet një tjetër listë fituesish e cila do të shpallet nga APRIAL-i në mënyrë elektronike që do të bëjë edhe renditjen e emrave. Pas mbërritjes së të dhënave nga universitetet, do të realizohet lista definitive. Ndërsa me mbarimin e kësaj procedure, do të bëhet zhvendosja e vijës së fituesve me maturantë të tjerë, që nuk ishin përzgjedhur në fazën e parë. Renditja e re do të bëhet automatikisht nga programi kompjuterik dhe pas plotësimit të kuotave zyrtare, listat e reja do të printohen dhe do t’u shpërndahen për publikim universiteteve. Fituesit në degë të reja, por që në fazën ë parë kanë kryer regjistrimin në një tjetër degë, duhet të zbatojnë udhëzimet e MASH-it.

A3

Ky formular është nxjerrë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe me anë të tij mund të listohen edhe një herë të gjitha degët. Maturantët do të mund të plotësojnë këtë formular pas përfundimit të dy fazave. Me formularin A3 do të listohen edhe një herë të gjitha degët që pas mbylljes së regjistrimeve në dy fazat e para, të cilat kanë kuota bosh. Ky formular do të plotësohet vetëm nga kandidatët që nuk kanë fituar asnjë të drejtë studimi akademik për këtë vit. Plotësimi edhe një herë i dhjetë preferencave (vetëm për degët që do të kenë kuota bosh) do të mundësojë një renditje të re fituesish, për të cilën gjatë muajit tetor do të çelet një fazë e caktuar regjistrimesh. Nëse kërkesa edhe në fazën e dytë të regjistrimeve vijon të jetë me të njëjtat ritme, shumë kandidatë që nuk kanë arritur të fitojnë asnjë prej shkollave të larta, do të kenë mundësi të ulen në auditorë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›