Durrës; Makina del nga rruga, humb jetën një person, plagosen tre të tjerë
Një person ka humbur jetën, ndërsa tre të tjerë u plagosën si pasojë e një aksidenti të ndodhur në Durrës. Ngjarja ndodhi në paraditen e ditës së djeshme afër mbikalimit në Shkozet. Një automjet tip “Mercedes Benz” ka dalë nga rruga, për të shmangur goditjen e një kalimtareje duke përfunduar në kanal. Për pasojë u dëmtuan Fiqiri Laçi, Namir Gjoci dhe Sheqere Edibati, ndërsa humbi jetën Nasoje Laçi. Sipas burimeve nga policia, automjeti tip “Mercedes Benz” me targa të bardha ka qenë duke lëvizur në drejtim të Durrësit. Para mjetit ka dalë një kalimtare, Sheqere Edibati, e cila po përpiqej të kalonte në anën tjetër të rrugës. Drejtuesi i mjetit në përpjekje për të shmangur përplasjes me të është përpjekur të devijojë, por ka dalë jashtë rruge. Ndërkohë që ai ka goditur edhe kalimtaren e cila u rrëzua në tokë. Makina më pas ka ecur edhe disa metra, duke përfunduar në kanalin anës rrugës dhe është ndaluar nga përplasja me një pemë. Si pasojë e goditjes së fortë humbi jetën 68-vjeçarja Nasoje Laçi, ndërsa mbetën të plagosur drejtuesi i mjetit, Namir Gjoci dhe vjehrri i tij, Fiqiri Laçi. Ndaj tyre u dha ndihma e parë, duke i dërguar në spitalin e qytetit. Ndërkohë që në vendngjarje shkoi edhe policia. U ngrit një grup pune për të hetuar shkaqet e aksidentit. Sipas burimeve nga policia, dyshohet se shkak i tij ka qenë shpejtësia e madhe me të cilën lëvizte mjeti.