Garë me kohën
Në Marrëveshjen e Lisbonës ende mungon firma e Presidentit çek, Vaclac Klaus. Më parë ajo duhet të miratohet nga Gjykata Kushtetuese çeke. Për sa kohë kjo nuk ka ndodhur, kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së nuk mund të marrin vendime për çështje të rëndësishme personeli në takimin e tyre të nivelit të lartë të enjten e kësaj jave. Bëhet fjalë për emërimin e Presidentit të përhershëm të Këshillit dhe të një përfaqësuesi të lartë për politikën e jashtme. Klaus kishte kërkuar garanci që të dëbuarit nuk do të ngrinin pretendime duke iu referuar Kartës së të Drejtave Themelore që përmbahet në Marrëveshjen e Lisbonës. Sipas mendimit të përgjithshëm, Marrëveshja e Lisbonës nuk ka të bëjë aspak me këtë çështje e megjithatë, vendet anëtare janë gati të bëjnë lëshime për ta shtyrë Presidentin çek të firmosë. Por, se si, mbetet ende e paqartë.
Vendet anëtare, të gatshme për lëshime ndaj Çekisë. Ministri italian i Punëve të Jashtme, Franco Frattini, i bëri thirrje ndjenjës së nderit të Presidentit Klaus, duke i kërkuar të mos pretendojë shumë. "Presidenti Klaus është një xhentëlmen. Dua të them se miratimi i një xhentëlmeni nuk është një pakt me shkrim. E rëndësishme është përmbajtja. Nëse Çekia na drejton një lutje politike dhe nëse ne vendosim ta plotësojmë atë, atëherë sipas meje, firma e Presidentit Klaus është diçka e vetëkuptueshme", - u shpreh Frattini. Një mundësi do të ishte që Çekia të çlirohet nga detyrimi për të përdorur pjesë të caktuara të Kartës. Edhe për Britaninë e Madhe dhe Poloninë ka përjashtime të tilla. Por edhe nëse Klaus do të nënshkruante pak përpara samitit, koha është shumë e pakët. Presidenca çeke e Këshillit ka propozuar për këtë arsye mundësinë e mbajtjes së një takimi të posaçëm të nivelit të lartë në nëntor. Megjithatë, që tani debatohet ashpër për kandidatët.
Presidenti i ardhshëm i Këshillit duhet të jetë i ndjeshëm ndaj problemeve të anëtarëve më të vegjël. Për postin e Presidentit të Këshillit përmendet vazhdimisht emri i ish-kryeministrit britanik, Tony Blair. Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Vygaudas Usackas, pret që kryetari i ardhshëm i Këshillit të ketë këto cilësi: "Bashkimi Evropian është një superstar dhe për këtë arsye kemi nevojë për superstarë që të na përfaqësojnë. Por ata duhet të kenë ndjenjën e përgjegjësisë dhe të jenë të ndjeshëm jo vetëm ndaj vendeve të mëdha anëtare, por edhe ndaj të vegjëlve". Cilësitë e një superstari Blair i përmbush me siguri. Nga ana tjetër, vendet e vogla shqetësohen se një President Këshilli nga një vend i madh do të përfaqësonte në radhë të parë të mëdhenjtë. Kritikët thonë se Blair-it i mungon angazhimi i vërtetë evropian, ndër të tjera pasi Britania e Madhe i ka qëndruar larg euros dhe zonës “Shengen”. Vendimtare do të jetë nëse BE-ja synon para së gjithash një përfaqësim më të fortë nga jashtë apo një harmoni të brendshme.
Gratë, pak të përfaqësuara në Këshillin e BE-së. Margot Wallström, zv.presidentja e Komisionit, ankohet ndër të tjera se dhënia e posteve grave nuk është në nivelin e duhur: "Mendoj se në këtë post duhet të jetë një grua. Hidhuni një sy emrave që përmenden nga Komisioni. Gratë përbëjnë shumicën në popullsi me 52,6%, por këtu reduktohen në pakicë. Mendoj se kjo është e papranueshme në BE-në e vitit 2009".
Ministri i Jashtëm gjerman në largim, Frank-Walter Steinmeier, e shfrytëzoi takimin edhe për t'u ndarë me kolegët e tij. Pas ndryshimit të kabinetit në Gjermani, ministër i ri i Punëve të Jashtme do të jetë politikani liberal Guido Westerwelle. Shumë nga homologët e tij të deritanishëm e vlerësuan Steinmeier-in si një diplomat të besueshëm dhe të ekuilibruar. Vetë Steinmeier e cilësoi idenë evropiane si një "projekt të nënvlerësuar në Gjermani".