Java e vizitorëve të policisë, nxënësit e shkollës 9-vjeçare, vizitë në Policinë e Shtetit
Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Ali Demi” kanë vizituar ambientet e godinës së Policisë së Shtetit në kuadër të nismës së javës së vizitorëve të policisë.
Gjatë vizitës, ata u pritën në një takim të posaçëm nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, i cili shprehu kënaqësinë e tij për prezencën e fëmijëve në këtë ditë të veçantë, kur policia hap dyert për publikun. Ky aktivitet dhe kjo atmosferë, - u shpreh Prençi, - do të shtrihet në të gjithë vendin në kuadër të javës së vizitorëve të policisë dhe zhvillohet nën frymën e ligjit të ri të një policimi evropian, ku policia tashmë nuk është një armë për të mbajtur pushtetin një parti e caktuar, por është një institucion i rëndësishëm në shërbim të qytetarëve. Po ashtu, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit inkurajoi nxënësit e pranishëm që për çdo shqetësim t’i drejtohen punonjësve të policisë, qoftë në rrugë, në komisariate apo dhe përmes telefonit pa pagesë 129 dhe policia menjëherë do ju gjendet pranë.
Më pas nxënësit e pranishëm patën mundësi të shikonin ambientet e brendshme të Policisë së Shtetit, si dhe zhvilluan takime me personelin e sallës operative të qarkullimit rrugor, të Policisë Kufitare etj. Gjatë këtyre takimeve, nxënësve iu shpjegua mënyra e funksionimit të strukturave përkatëse, pajisjet që ka në dispozicion policia për monitorimin e kontrollin e gjithë vendit e iu dhanë këshilla nga specialistë të qarkullimit. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të javës së vizitorëve të policisë, e cila do të zhvillohet çdo vit nga data 27-29 tetor në të gjitha strukturat policore, si në nivel qendror, ashtu dhe në nivel vendor. Gjatë këtyre ditëve do të zhvillohen takime të qytetarëve apo nxënësve të shkollave me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, biseda me specialistë të antidrogës, dhunës në familje, qarkullimit rrugor, si dhe policimit në komunitet, shpërndarje e fletëpalosjeve të ndryshme e tërheqja e mendimit të komunitetit për punën dhe cilësinë e shërbimit të ofruar nga Policia e Shtetit.
Tiranë
Drejtori Vocaj, takim me nxënësit e shkollës “Vasil Shanto”
Dje, në kuadër të javës së vizitorëve të policisë, drejtues të Policisë së Tiranës mirëpritën nxënës të shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto”, nga ku u diskutua historiku, struktura e saj, si dhe shërbimi që ofron Policia e Tiranës ndaj publikut. Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Drejtues i Parë, Tonin Vocaj, bëri një prezantim të punës së strukturave të Policisë së Tiranës, rolin për rrugën e krijimit dhe të ndjekur nga policia, problematikat, si dhe kërkoi forcimin më tej të bashkëpunimit me komunitetin. Ndërkohë, nga të gjithë të pranishmit, u bë një vlerësim real i punës dhe arritjeve të policisë, masat e marra në terren për rendin e sigurinë publike dhe në veçanti për shkollat. Nxënësit theksuan domosdoshmërinë e një shërbimi më të kulturuar dhe ekspert të Policisë Rrugore, një sjellje më etike nga punonjësit e policisë në terren, me qëllim që punonjësi i policisë të marrë një rol më edukativ, sidomos ndaj fëmijëve. Së fundmi, u ra dakord në vendosjen e një ure bashkëpunimi dhe dhënie informacioni për shkollat, me qëllim evidentimin e problematikave që nxënësit shqetësojnë. Aktivitete të tilla, me rastin e javës së vizitorëve të policisë, do të zhvillohen edhe më datat 28 dhe 29 tetor 2009, takime në të cilat do të jenë të ftuar edhe përfaqësues të medias.