E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizja për Veprim Ndryshe



Kur partitë e mëdha si PD e PS kanë hyrë në zgjedhje, ato janë përgatitur që në mbarim të tyre të shpallen fitues, që është prioritet dhe votë e numëruar ose humbës, që është rezultat institucional në mbylljen e procesit. Ndaj, llogaritë e para hidhen në fushën elektorale dhe aksionet kuotohen në maksimum në bursë që bilanci të mbetet formimi i qeverisë nga njëra prej partive ose koalicioneve i cili ka marrë më tepër bindje dhe besim qytetarësh sesa rivalët e renditur në vendin e dytë me gjithë mosbesimin e pretendimin e vonuar. Nuk kanë qenë të paktë shqiptarët që kanë menduar ndryshe dhe në regjimin e mbrapshtë të para viteve ‘90. Jo, ata kanë qenë më mijëra e madje shumë prej tyre nuk ndaluan vetëm në pjesën e parë të procesit të tyre kundër, atij të të menduarit. Ata shkuan më tej, vepruan ndryshe në shumë e shumë raste, duke dhënë prova të dhimbshme me humbje jete se përballeshin me njeriun më pak normal në mendësinë politike në planet .Dhe kur shoqëria shqiptare vijoi të shtonte presionin nga të menduar ndryshe në të vepruar ndryshe ia arriti, sigurisht pa lënë në harrese faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, të ndryshojë grupin që sundonte në gjysmë shekulli në formën më barbare.

Nuk kanë ngjashmëri të njëllojtë kohët e sotme në Partinë Socialiste dhe e djeshmja që janë rrënjët e saj, pra Partinë e Punës. Ato i lidhin personazhe që janë zgjatuar si faktorë në të dy kohët që kanë ‘90-n si kufi në mes dhe kanë mundur që të përcjellin trashëgimi që nuk ka ndërmend të heshtë për interesa të shumta që kanë zëvendësuar ndjeshëm ideologjinë, duke u kthyer në shëndoshje të pamend financiare. Por, as janë fort larg në fotografime veprimesh që na shfaqen që nga zgjedhjet e vitit 2005 dhe deri në ditët e protestave të bojkotit të ri të pas zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit 2009. E nisur si lexim, janë pesë ndoshta dhe më shumë deputetë që mund të sjellin ngjarje jo të pakta në Partinë Socialiste, duke e ndryshuar foton e formacionit opozitar me copëzime të tjera që nuk ndikojnë kurrsesi për shëndet të mirë politik, por për një vuajtje tjetër të elektoratit nga keqdrejtimi i besimit. Zërat që kanë lançuar bojkotin socialist kanë qenë dy më të pushtetshmit në këtë parti, dy kryetarët e saj, ai i Asamblesë, Gramoz Ruçi dhe i Partisë, Edi Rama. Këta janë më të pandryshueshmit në qëndrim që u është dashur jo pak ditë, nerva e stres për ta farkëtuar në të njëjtën hulli udhëzimin bindës për 65 deputetët që të listuar nga dy kryetarët nuk kishin alternativë ndryshe. Blushi, Malaj, Harasani, Bello, Islami, një gjysmë largimi ka bërë Idrizi, kanë shfaqur me nota shqetësuese se mendojnë krejt ndryshe nga ajo që artikulon Edi Rama dhe nuk do të binden për të djegur mandatin në pritje të zhvillimeve që duan vite. Besoj se pesë apo gjashtë deputetë që kanë folur hapur, nuk janë të vetmit që mendojnë jo njëlloj me kryetarin e partisë për shumë arsye që ata nuk janë lënë t’i thonë. Në takimet e shpeshta pa praninë e kamerave pjesa më e madhe e socialistëve tundin kokën, të tjerët kritikojnë guximtarët, duke u tërhequr vëmendjen se ç’të duhet se po i hap telashe vetes, duke kundërshtuar Ramën. Në takime informale më shumë se gjysma e grupit parlamentar mendon se duhet të kthehet në Kuvend e aty me mjetet e shumta politike që kanë në dispozicion të bëjnë betejën që u kanë premtuar atyre që i kanë votuar. Të frenuar nga vendimi i lajmëruar i përjashtimit nga grupi parlamentar i PS-së, deputetët e shpallur se mendojnë ndryshe vazhdojnë qëndrimin në të njëjtin vend dhe presin se mos shtohen në heshtje apo me sosjen e durimit të një grupi që mund t’i bashkangjitet. Për sa kohë Lëvizja e Mendimit Ndryshe vetëm mendon, Ramës nuk i prishin ndonjë punë të madhe, sepse ata qëndrojnë atje ku ai deklaron, atje ku ai ka urdhëruar, atje ku janë të gjithë të tjerët që mendojnë njëlloj si ai, atje ku janë dhe ata që mbështesin atë, qëndrojnë në bojkot e kjo është pjesë e dëshiruar e aksionit të Ramës. Pesë deputetët nëse nuk veprojnë ndryshe, nuk do të marrin aspak më shumë vëmendje as nga socialistët që i kanë votuar, por as nga forumet e drejtuara tërësisht nga Edi Rama. Po do të ndodhë dhe Rama mundet që t’i përjashtojë Blushin, Malajn, Harasanin, Bellon, Islamin, Idrizin dhe këtë e bën ngaqë shquhet për veprime radikale, por nuk mundet që të përjashtojë njëqind mijë socialistë që i kanë votuar këta gjashtë deputetë. Edhe nëse jo të gjithë, të paktën gjysma e këtyre votuesve do të jenë dakord me veprimet e tyre dhe jo të qëndrojnë gjithnjë pas të menduarit. Pa e shndërruar mendimin në veprim politikanët kundër Ramës në PS, që janë të shumtë, nuk do ta testojnë se sa deputetë të tjerë janë në gjendje t’u shkojnë pas. Nëse e bëjnë, ata do të shohin të habitur se janë vërtet kërcënues shumë seriozë të pushtetit të kryetarit, sepse do të jenë një grup të paktën me dy shifra. Pa e provuar asnjëherë nuk do ta marrin vesh se sa peshojnë vetë dhe mendimi i tyre që është përfaqësues dhe shumë të tjerë brenda partisë, sepse edhe një pyetje e thjeshte ka mbetur pa përgjigje. Është fakti që pak ditë më parë e ndoqëm të gjithë: Kur një deputete e PS-së u pyet se si mundet të jetojë kaq komode, kur vetë është e papunë prej tre muajsh, sepse nuk paguhet në Parlament për sa kohë nuk shkon, nuk është betuar, bashkëshorti pa punë, fëmijët në shkollë, ajo nuk mundi të përgjigjej se nga burojnë paratë që e bëjnë të sakrifikojë familjen për hatër të partisë, në një qëllim që u shërben pak njerëzve që mendojnë ndryshe dy kryetarëve Rama e Ruçi dhe tre kryetarëve aleatë që kanë mbetur jashtë Kuvendit si dhuratë e kryebashkiakut të Tiranës në miratimin e sistemit dhe numërimin e së dielës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›