E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gashi: Mbi 90 për qind e ndërtimeve në Prevallë do të rrënohen

Derisa, Prevalla vazhdon të jetë një pikë turistike për shumë qytetarë, në atë pjesë ndërtimet pa kurrfarë kriteri nuk po kanë të ndalur. Mbi 90 për qind e këtyre ndërtimeve në Prevallë, do të rrënohen, nëse realizohen zotimet e ministrit të Ambientit, Dardan Gashi, të shprehura mbrëmë në emisionin Puls të KTV-së .

“Asnjë ndërtim në Prevallë nuk i ka përfillur kriteret ligjore. Mbi 90% e ndërtimeve atje janë bërë në kundërshtim me lejet e lëshuara. Gjithsesi do të rrënohen të gjitha villat që nuk i kanë përfillur lejet për ndërtim”, ka thënë Gashi. Zyrtarë të Komunës së Prizrenit, megjithëse kanë lëshuar me dhjetëra leje ndërtimi prej vitit 2007 e deri më tash , pranojnë se shumë prej pronarëve i kanë tejkaluar kriteret e ndërtimit. Sipas tyre, komuna nuk ka pasur mundësi t’i parandalojë ato ndërtime, por thonë se tash do të bashkëpunojë me Ministrinë e Ambientit edhe në rast të vendimit për rrënim. Shumica e vilave janë të zyrtarëve të lartë publikë.

Duke filluar që nga ish-kryetari i Prizrenit, Eqrem Kryeziu, e deri te ish-ministri i Drejtësisë, ka thënë Sylë Hoxha, aktualisht kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren. Hoxha thekson se ka leje por nuk është në dijeni nëse i ka shkel kriteret e ndërtimit, pasi që sipas tij, asnjëherë komuna atij nuk i ka tërhequr vërejtjen për këtë. Ai mohon ta ketë përdorur pozitën e tij, që të fitojë të drejtën e ndërtimit të vilës në Prevallë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›