E Diel, 1 Nëntor 2026

Gashi: Në Kosovë veprojnë grupe kriminale politike

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, thotë në një intervistë për Bota Sot, se elemente të caktuara të organizuara kanë vepruar në Kosovë vitet të tëra siç është SHIK’u apo organizatat tjera, e që sipas tij, shpesh janë ndërlidhur me aktivitete kriminale ose dyshohet se kanë ndërlidhje të forta me aktivitete kriminale.

“Mendoj se krimi ka lidhje të forta me institucionet. Dhe këto lidhje të forta janë shkaktari kryesor pse nuk mund të luftohet krimi në mënyrën më të mirë të mundshme dhe nuk mund të ndërtohet shteti i së drejtës, pse raportet ndërkombëtare janë negative, pse vlerësimet e qytetarëve për sundimin e shtetit të së drejtës dhe shtetit ligjor janë negative. Të gjitha këto së bashku , për shkak se krimi i organizuar ka arritur të kap pjesë të caktuara të shtetit si në prokurori, gjykata dhe politikë. Nuk përjashtohet pra, se në Kosovë veprojnë grupe ‘nëntokësore’ politike”, thot deputeti Gashi.

Sipas tij, LDK ka vuajtur pasojat e aktiviteteve të strukturave joligjore të cilat dyshohet se kanë lidhje me eliminimin fizik të figurave të rëndësishme të LDK-së.

“Unë po flas, po them dyshohet, sepse ju e dini se vendimi i gjykatës është ai që dëshmon pafajësinë apo fajësinë, pra deri në vendimin e gjykatës nuk mund të thuhet se ato veprime janë të sigurta. Pra nuk mundesh të thuash se janë të sigurta, por, gjithmonë është thënë, është dyshuar se mund të ketë lidhje me aktivitetet e grupeve të caktuara jo formale ose grupe të caktuara të cilat e kanë mbajtur vetën si bartës të flamurit të patriotizmit e që realisht ka qenë e kundërta”, ka thënë deputeti Gashi i cili ka siguruar e LDK kur të jetë në pushtet do të angazhohet që çdo lloj vrasje që është bërë në Kosovë gjatë, pas apo para luftës të zbardhet. “Janë jashtëzakonisht të rëndësishme për Kosovën, për stabilitetin dhe të ardhmen demokratike të saj që të zbulohen porositësit dhe ekzekutuesit e këtyre vrasjeve, sepse janë vrasje të rënda”, thotë ai.
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›