E Diel, 1 Nëntor 2026

“Sopa”, të dyshuarat së shpejti mund të përballen me aktakuzë

Tri të dyshuarat kryesore për vrasjen e familjarit të tyre, ish- zyrtarit të qeverisë, Hamdi Sopës, shumë shpejt mund të përballen me aktakuzë dhe krejt kjo varet nga raporti përfundimtar i Mjekësisë Ligjore, i cili këto ditë pritet të përfundojë në duart e Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe i cili do të zbardhë shkaqet e vdekjes së Sopës.

Gazeta “Kosova Sot” ka mësuar se prokurori i çështjes, Blerim Isufaj, tashmë ka mbledhur të gjitha faktet dhe dëshmitë rreth këtij rasti dhe raporti i Mjekësisë Ligjore do të jetë ai mbi të cilin do të ngrihet aktakuza, apo do të pushojnë hetimet ndaj tri të dyshuarave kryesore për vrasjen e Sopës, gruas Teutës, dhe dy vajzave Artinës dhe Erna Sopës, të cilat tash e tre muaj vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim në Lipjan.

Raporti i obduksionit i ishte dorëzuar prokurorisë, mirëpo ai ishte kthyer sërish tek Departamenti i Mjekësisë Ligjore për arsye të disa gabimeve në raport. Në anën tjetër, gazeta ka provuar të kontaktojë prokurorin e rastit Blerim Isufaj, si dhe avokatët mbrojtës të të dyshuarave për të mësuar më shumë rreth kësaj çështjeje, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Prokurori Isufaj vazhdon të qëndrojë i distancuar nga mediet rreth këtij rasti, duke mos iu përgjigjur telefonatave, ndërsa avokatët deklarojnë se e kanë të ndaluar të flasin çfarëdo gjëje rreth këtij rasti. “ Për çfarëdo rasti tjetër mund të flas, vetëm për këtë nuk mundem, sepse e kemi të ndaluar”, ka thënë mbrojtësi i Erna Sopës, avokati Fatlum Podvorica. Megjithatë, gjatë deklarimit të tyre para prokurorit të çështjes, tri të dyshuarat kishin mohuar se Sopa ishte vrarë. Ato kanë deklaruar se ai është vetëvrarë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›