E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gates: "Obama nuk duhet testuar"

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts ka paralajmëruar se kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara do të gabonin rëndë nëse do të testonin presidentin e zgjedhur Barak Obama në Lindjen e Mesme, kur ai të marrë detyrën. Gejts u shpreh se ekipi i ri i Sigurisë i Presidentit të ardhshëm Obama është gati të mbrojë interesat e Shteteve të Bashkuara. Duke folur në një konferencë për sigurinë rajonale në Bahrein, Gejts tha se rajoni i pasur me naftë do të mbetet shqetësimi kryesor i Shteteve të Bashkuara. Gejts, i cili do të mbajë postin e shefit të Pentagonit edhe kur Obama të kalojë në Shtëpinë e Bardhë, gjithashtu iu bëri thirrje vendeve synite arabe që ta mbështesin qeverinë e Irakut me marrëdhënie të plota diplomatike. Përsa i përket Iranit, ai mohoi që SHBA-ja po kërkon të ndryshojë regjimin qeverisës, por sipas Gejts, Amerika dëshiron të ndryshohet sjellja politike e vendit të drejtuar nga Presidenti Mahmud Ahmadinexhat. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts po viziton edhe Irakun, për takimin me komandantët amerikanë, në kohën kur Shtetet e Bashkuara përgatiten të zvogëlojnë numrin e trupave të tyre në këtë vend. Traktati i sigurisë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Irakut parashikon që forcat luftarake të largohen nga qytetet irakiane deri në qershor të vitit të ardhshëm, ndërsa pas tre viteve të lënë përfundimisht Irakun.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›