E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati letrat për 1800 naftëtarë

Ard Kola

Kreu i METE-s nuk jep informacion, por garanton proces transparent

Privatizimi shoqërohet me reformë. Paqartësi se kush do ti largojë punonjësit

ARD KOLA

Përveç shitjes së aseteve, do të ketë njëkohësisht edhe një marrëveshje hidrokarbure shfrytëzimi

Përveç përzgjedhjes së kompanisë fituese në ankandin e privatizimit të Albpetrol, qeveria ka dhe një detyrë tjetër, jo pak të vështirë. Reforma e privatizimit nga strukturimi i shoqërisë bën të detyrueshëm largimin nga puna të të paktën 1800 punonjësve. Në total, shoqëria shtetërore e prodhimit të naftës ka të regjistruar rreth 3000 punonjës, por gati prej një viti, gjysma e punonjësve paguhen nën statusin e gatishmërisë për tu larguar.

Ministria e Ekonomisë thotë se ligji i ka të përcaktuar mirë kushtet financiare të asistencës, ku trajtimi përfshin marrjen e rrogës prej dy vitesh.

Nëse ligji e thotë qartë sesi do të trajtohen financiarisht punonjësit naftëtarë të Albpetrol-it, nuk sqarohet si duhet se kush do ti mbulojë shpenzimet. Kompanitë pjesëmarrëse në ankand kanë qenë të pasigurta rreth situatës me punonjësit, se kush do ta ndërmarrë reformën, kur do të bëhet dhe si do të trajtohet ajo. Largimi i 1800 naftëtarëve është një proces i pakthyeshëm, por pakkush mund të besojë se reforma do të ndalet pas privatizimit.

Pronari i ri i Albpetrol-it i ka të gjitha të drejtat të vendosë vet për numrin e mbetur të punonjësve, pasi supozohet se teknologjia e avancuar me fillimin e investimet do të zëvendësojë një pjesë të punonjësve.

Punonjësit e kompanisë shtetërore të naftës janë konsideruar gjithnjë nga qeveritë e ndryshme si hambar votash në fushata të ndryshme. Struktura e kompanisë ndryshonte gjithnjë në periudha zgjedhjesh, duke shtuar punonjësit, në këmbim të votave dhe i largonin disa muaj pas fushatës. Kompania në fillim të viteve 90 kishte rreth 20 mijë të punësuar, por reformat e herëpashershme e kanë reduktuar numrin në 4500 në vitet 2000 dhe tashmë në 3000.

Nga shitjet e naftës dhe përfitimet nga kontratat koncesionare, qeveria shqiptare arrin të marrë prej Albpetrol-it të paktën 50 milionë dollarë. Një pjesë e parave kanë shkuar për rroga dhe shpenzime operative dhe shumë pak për investime.

Qeveria shqiptare e shet Albpetrol-in në masën 100 për qind të saj me pretendimin se nuk ka mundësi të investojë aq sa duhet. Kompania zotëron 1400 puse, por që nuk prodhojnë më shumë se 56 mijë tonë, ndërsa për teknologji, as që bëhet fjalë.

Albpetrol-i sot, si një kompani 100% shtetërore, e ka të pamundur të gjejë nivelin e mjaftueshëm të kapitalit dhe të know-how teknologjik për të investuar suksesshëm për nëntokën shqiptare. Investimet në nëntokë që prej vitit 2004, kur nisën marrëveshjet hidrokarbure, janë rritur me 100-fish në rendin e miliarda dollarëve. Një qeveri bën bilancin dhe nëse vendos ta lërë Albpetrol-in siç është, pra kompania ti kryejë me forcat e veta investimet, natyrshëm me ndihmën e buxhetit të shtetit, do të kishim me padyshim më pak shkolla, rrugë apo spitale të investuara me fonde publike, thotë zv.ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo. Vetëm Bankers ka investuar mbi 800 milionë dollarë në 10 vjet, shifër kjo sa 50 për qind e të ardhurave totale të kompanisë Albpetrol, krahasuar me të njëjtën periudhë.

Rastet në botë tregojnë se shtete të fuqishme e kanë ndarë kërkimin dhe zhvillimin e naftës dhe gazit me kompani private të njohura, si Italia, Rusia, SHBA, Brazili, Polonia, etj., por asnjë nga këto vende nuk i ka shitur 100 për qind aksionet.

Qeveria e shet 100% kompaninë, me pretendimin se nuk ka mundësi të investojë aq sa duhet në teknologji

Privatizimi

Çfarë përmban kontrata e privatizimit dhe meraku i koncesionarëve

Po shiten tokat dhe magazinat,

kurse nafta dhe gazi, për 25 vjet

Për një vit të tërë, zyrtarët më të larë të Ministrisë së Ekonomisë janë përpjekur të qartësojnë opinionin publik se çfarë po shesin me Albpetrol-in. Paketa e plotë me 100 për qind të aksioneve krijon përshtypjen se METE po i jep të drejtë absolute dhe përgjithnjë pronarit të ri në toka dhe det për kërkim dhe zhvillim nafte dhe gaz.

Në fakt, ajo çfarë po shitet janë asetet e kompanisë, pra magazinat, tokat në pronësi të saj, depozitat, linjat, mjetet e transportit, stoqet me karburant, etj. Këto asete po shiten përgjithnjë, pra po privatizohen 100 për qind, thotë për gazetën Shqip, zv/ministri i Ekonomisë. Sa i takon kërkimit për naftë dhe gaz, në të gjitha blloqet e vendosura në dispozicion (në listat A, B dhe C), në det dhe tokë, kjo e drejtë vlen vetëm për 25 vjet.

Kompania Albpetrol, nesër e privatizuar, do të pajiset me një licencë 25-vjeçare ashtu si të gjitha kompanitë e tjera private për të shfrytëzuar me koncesion fushat e naftës, si rezervat e njohura, ashtu dhe blloqet ku nuk është investuar asnjëherë dhe ku nuk është provuar nëse ka rezerva nafte dhe gazi. Kjo e drejtë jepet me jepet me licencë, ashtu si dhe kompanive të tjera dhe pas këtij afati, ai ka të drejtë për të aplikuar sërish.

Le të themi se përveç shitjes së aseteve të përmendura, do të ketë njëkohësisht edhe një marrëveshje hidrokarbure shfrytëzimi për të investuar në nëntokën shqiptare, është shpjegimi që bën Bozdo, lidhur me termat e përdoruar, privatizim-koncesion.

Ligji bazë i vitit 1993 dhe licenca që i jepej Albpetrol-it e caktonte kompaninë si agjentin shtetëror që të vepronte në emër dhe llogari të shtetit shqiptar, për të gjitha rezervat e naftës dhe gazit në Shqipëri. Këto vendburime u ndanë në dy lista, A dhe B, që ndryshojnë në raport me të dhënat dhe shtrirjen gjeologjike. Këtu nis edhe procesi i gjatë i privatizimit të Albpetrol.

Gati letrat për 1800 naftëtarë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›