Prodhuesit: Do rrisim çmimin e bukës, mielli 1200 lekë më shtrenjtë
Çmimi i bukës pritet të rritet sërish. Këtë të hënë një kuintal miell është blerë me 7200 lekë, ndaj dhe prodhuesit paralajmërojnë rritjen e çmimit të bukës në të gjithë vendin.
Kriza
Duket se kriza globale bashkë me motin që solli thatësira, por edhe çrregullimet e kursit të këmbimit të euros dhe dollarit kanë ndikuar direkt në rritjen e çmimit të miellit. Prodhuesit e bukës thonë se një vit me pare një kuintal miell kushtonte 5800 leke, por gjatë këtij viti, menjëherë pësoi një rritje çmimi me gati 1200 lekë. Ata thonë se në Tiranë numërohen gjithsej 1200 furra buke, ku një numër i madh i tyre është hapur gjatë sezonit të verës nga emigrantet që u kthyen nga Greqia në Shqipëri.
Falimentimi
Prodhuesit më të vjetër thonë se një pjesë e furrave të bukës janë përballë vështirësive, madje shumë prej tyre edhe në prag falimenti. Po sipas tyre, tregtimi i miellit është përqendruar vetëm në 3-4 fabrika, të cilët furnizojnë prodhuesit e bukës dhe se ata kanë të njëjtin çmim. Ndonëse në treg një bukë masive shitet me 80 lekë, gjen furra që e shesin edhe me 70 apo 60 lekë. Por sipas prodhuesve çmimi i ulët i bukës ka nga mbrapa, manipulimet e ndryshme në kurriz të konsumatorit.
Abuzimi me peshën
Një pjesë e prodhuesve abuzojnë me peshën e bukës, të tjerë abuzojnë me cilësinë e miellit apo sasinë e aditivëve. Madje në disa raste mielli i bardhë i një cilësie të dobët ngjyroset me bojëra të falsifikuara, për ta shitur si bukë e zezë, më e preferuara nga konsumatorët. Që prej një viti u ndërmor një nismë për ambalazhin e bukës nga qese plastike në ato me letër, por duket se problemi më i madh vjen nga përbërësit e bukës, të cilët dëmtojnë rëndë shëndetin e konsumatorëve, dhe jo nga qeset plastike.