E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati marrëveshja, hapet rruga për kthimin në FIFA

 

Ministri i Sporteve, Ylli Pango, pritet ta firmosë statutin ashtu siç është, ndërkohë qëneni 53 do të lihet "i ngrirë"

Pas dy javësh qetësie dhe komunikimi më shumë mediatik, dje më në fund u arrit marrëveshja e shumëpritur, e cila do të bëjë të mundur kthimin e Shqipërisë në FIFA. Ministri i Sporteve, Ylli Pango, ka rënë dakord me përfaqësuesit e FIFA-s për të firmosur statutin e FSHF-së ashtu siç është, duke bërë të mundur regjistrimin e tij në gjykatë. Institucioni më i lartë i futbollit ka arritur të bindë ministrin Pango, teksa është gjetur një mundësi për të mos rrezikuar përjashtimin nga aktivitetet ndërkombëtare. Pasi është njoftuar për këtë marrëveshje, FSHF-ja menjëherë ka mbledhur komitetin ekzekutiv. "I famshmi" neni 53, aty ku ishte i gjithë problemi, do të lihet "i ngrirë", për t'u diskutuar në asamblenë e radhës të FSHF-së. Për sa i përket nenin 53, mësohet se ekspertët e FIFA-s do të mbërrijnë në Tiranë gjatë muajit maj, për t'i dhënë zgjidhje edhe këtij "ngërçi", duke gjetur një formë sa më të përshtatshme. "Eshtë rënë dakord që statuti të firmoset dhe më pas të regjistrohet në gjykatë, për t'i hapur rrugën kthimit në FIFA.

Komiteti ekzekutiv i FSHF-së, i cili ka ekskluzivitetin për të bërë ndryshime, pritet "ta ngrijë" nenin 53, i cili do të diskutohet në asamblenë e radhës. Menjëherë pas regjistrimit të statutit organet e FIFA-s do të marrin një vendim, i cili bën të mundur heqjen e pezullimit,"- konfirmoi për "Sportin shqiptar" shefi i marrëdhënieve me publikun në FSHF, Tritan Kokona.

Ndërkohë, dje paradite, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Arben Bici, u takua me ministrin Pango, teksa ky i fundit i premtoi se statuti do të firmoset. Ky vendim është një hap i madh, për të shpresuar se gjithçka do të përfundojë me sukses, pasi të zgjidhet edhe problemi i nenit 53. Tashmë i hapet drita jeshile edhe kombëtares, që do të ketë mundësi të zhvillojë takimet miqësore të parashikuara në muajin maj, me Poloninë dhe Turqinë.

Komiteti ekzekutiv nuk merr asnjë vendim

Menjëherë pas sinjalit të ardhur nga FIFA për arritjen e marrëveshjes me palën shtetërore, u mblodh komiteti ekzekutiv i FSHF-së. Për rreth më shumë se 1 orë u diskutua për mënyrën e zgjidhjes së problemit në disa opsione, por nuk u mor asnjë vendim konkret, edhe pse pritej të miratohej "ngrirja" e nenit 53. Megjithatë, nga ajo çfarë u fol, ideja është se do të kërkohet bashkëpunim për zgjidhjen e shpejtë të problemit. Gjithçka pritet të vendoset sot, pas takimit tripalësh midis Presidentit të Republikës, Bamir Topi, kreut të FSHF-së, Armand Duka, si dhe ministrit të Sporteve, Ylli Pango.

Duka: Ne pranojmë zgjidhjen e Presidentit Topi

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, deklaroi pas mbledhjes së komitetit ekzekutiv, se do të pranojë çdo lloj zgjidhjeje për të mirën e futbollit. "Kemi diskutuar me anëtarët e KE-së dhe tani do të presim se çfarë do të thotë Presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi. Dua të theksoj se do të pranojmë çdo lloj zgjidhje të Presidentit në të mirë të futbollit,"- tha Duka. Ndërkohë, për sa i përket "ngrirjes" së nenit 53, siç ka rënë dakord ministri Pango me përfaqësuesit e FIFA, Duka shtoi se gjithçka do të mësohet vetëm pas takimit me kreun e shtetit shqiptar.

Presidenti Topi, sot takim me Dukën dhe Pangon

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka thirrur për një takim konsultues kreun e FSHF-së, Armand Duka, dhe ministrin e Sporteve, Ylli Pango. Takimi tripalësh i parashikuar më parë do të zhvillohet sot, në orën 11:00, në selinë e Presidencës. Pa dyshim që tema kryesore do të jetë zhbllokimi i gjendjes së krijuar në futbollin shqiptar pas vendimit të FIFA s dhe UEFA s. Gjithçka përkon pas arritjes së marrëveshjes midis ministrit Pango me FIFA-n për plotësimin e kërkesave të kësaj të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›