E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pango-Shima, tranzicion-çamçakiz"

 

Ish- drejtori jep dorëheqjen. Genc Mulliqi duke lënë Galerinë Kombëtare të Arteve:

"Akuzoj ministrin dhe vartësin e korruptuar". Shima, pagesë ekstra për orë pune plus

Rast unikal e ka quajtur këmbimin e posteve drejtuese në Galerinë Kombëtare të Arteve Genc Mulliqi, një ditë pas komunikimit të vendimit të Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, për shkarkimin e tij si drejtor dhe emëriminsi nëndrejtor. Prandaj para se të linte njëherë e mirë GKA, Mulliqi doli në konferencë për shtyp. Nuk iu desh shumë të mendohej për të vendosur të japë dorëheqjen dhe të mos pranojë pozicionin e nëndrejtorit, post që deri dje e mbante Rubens Shima i emëruar tashmë drejtor. "Nuk mund të jem vartës i një njeriu që e kam propozuar për shkarkim nga puna për korrupsion", - tha Mulliqi, i cili u vuri në dispozicion mediave një sërë shkresash, ankesash, raportesh e propozimesh, dërguar ministrit Pango, apo strukturave të tjera të MTKRS-së, deri dhe kryeministrit Sali Berisha. Bëhet fjalë për shkeljet që ka gjetur në punën e ish-nëndrejtorit Shima, për dy edicione të Konkursit Ndërkombëtar "Onufri", për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bienalen e Venecias, për çështje që lidhen me fatura financiare.

Më shumë se tek "heqja e maskës" së drejtorit të ri të Galerisë, Mulliqi këtë herë i kishte "punët" me ministrin Pango, veprimet e të cilit i duken të pashpjegueshme. "Rasti i emërimit të Rubens Shimës drejtor flet për konceptin e ministrit Pango në zgjedhjen e kritereve për emërimin e drejtuesve. Sipas Pangos, drejtuesit duhet të jenë të aftë për akte korruptive, devijim fondesh, parregullsi veprimesh financiare, krijim kushtesh për konflikt interesi. Pikërisht kjo aftësi e Rubens Shimës është ajo që Pango duket se vlerëson dhe që bezdiset kur këto "aftësi" evidentohen, siç i kam evidentuar unë në një sërë shkresash dërguar ministrit Pango gjatë muajve të fundit. Në janar 2008 unë kam bërë kërkesën zyrtare për shkarkimin e Rubens Shimës nga posti i nëndrejtorit. Parregullsitë janë evidente në dy konkurse ndërkombëtare "Onufri 2006", "Onufri 2007", Bienalja e Venecias, etj.". Sipas tij, me emërimin e Shimës drejtor, ministri shkel një pretendim sipas të cilit drejtuesi duhet të jetë një menaxher i mirë. Por ai ia delegon pikërisht Shimës djegien e një fondi prej 7 milionë lekësh të akorduara për investime, gjë që çoi në mosakordimin e fondit të investimeve nga MTKRS për GKA-në në vitin 2007. Shtuar kësaj edhe paaftësinë për të thithur donacione. Ministri nuk ka marrë parasysh asnjë nga vërejtjet që ai i ka drejtuar, duke nisur me raportin e pjesëmarrjes në Bienalen e Venecias, ku i bashkangjit edhe një deklaratë të kuratores Bonie Clearëater, për të vijuar me shfrytëzimin e "fondit të veçantë" të galerisë, për të përfituar një pagë shtesë prej 20 mijë lekësh çdo muaj. Teksa rendit akuzat drejtuar Shimës, të cilit i kishte besuar "çelësat" administrativë dhe ekonomikë ("Kodi i procedurave Administrative të R. Sh.", kreu II, "Delegimi i kompetencave dhe zëvendësimi i tyre", neni 27), Mulliqi thekson simbiozën e krijuar mes drejtorit të ri dhe ministrit, mirëkuptimin, që del jashtë koncepteve që ai ka për mënyrën e drejtimit të një institucioni.

"Në fakt ka një hendek konceptesh midis meje dhe Pango/Shimës në këto punë. Pango /Shima i përkasin konceptit të projekteve të shpejta emergjente që sigurisht harrohen shpejt, por që krijojnë shanse për lëvrim fondesh. Unë e quaj këtë mënyrë gjykimi dhe projektet e dala nga ky mentalitet, të tipit "Tranzicion-Çamçakiz, dmth diçka që bëhet shpejt e shpejt dhe flaket. Kjo mënyrë punimi, veç premtimit të kualitetit të ulët të aktivitetit, fsheh zakonisht dhe një faturë ekonomike të dyshimtë", - vijoi ai. Pas shkresave pa fund, të cilat nuk morën ndonjëherë përgjigje, Mulliqi bën kryengritjen e fundit, duke mos pranuar postin e nëndrejtorit.

Përgjigjia

Shima: Nuk jam në dijeni të akuzave

Drejtuesit e GKA vazhdojnë të mbajnë zyrat e mëparshme. Genc Mulliqi e shfrytëzoi zyrën e tij për herë të fundit për të thirrur gazetarët. Po kështu edhe Shima, që ndryshe nga ish-eprori dukej më i qetë, madje deri-diku edhe i qeshur. Tensionin e dukshëm në ambientet e galerisë, ai thotë se do mundohet "ta qetësojë". Shima u shpreh se nuk kishte fare për akuzat e ish-drejtorit, madje nuk e dinte se përse bëhej fjalë. "Të gjitha proceset kanë qenë transparente, dokumentet janë këtu e mund të verifikohen", - tha ai. Ndërsa për shkresën e dërguar në MTKRS për shkarkimin e tij ai tha se kjo është bërë në "konspiracion të plotë" dhe se ai nuk është në dijeni. Madje mohoi edhe faktin që mes tij dhe ish-drejtorit ka pasur konflikte. "Nuk ka pasur konflikte, thjesht kemi debatuar. Madje nuk bëhet fjalë fare për klane (mendoni stafi ynë është kaq i vogël, vetëm 32 vetë). Kemi pasur një përplasje për "Onufrin", që solli edhe ca pengesa. Kemi diskutuar për statutin e "Onufrit", pasi është tepër i vjetëruar e s'mund të punojmë me një statut të vitit 1994. Disa herë debatet janë pasqyruar edhe në media, por për mendimin tim, ku ka debat, gjenerohet zhvillim", - tha Rubens Shima.

Fituesi i Onufrit pa firmën e jurisë

Për të mbështetur pretendimin e tij se "Onufri 2007" është i paligjshëm, e bashkë me të edhe fituesi i çmimit të parë, Genc Mulliqi vë në dispozicion edhe një fotokopje të çertifikatës së fituesit, Fani Zguro. Çmimi është firmosur vetëm nga tre anëtarë të jurisë. Njëri prej tyre, Albes Fusha, nuk e ka firmosur çmimin. Sipas Mulliqit, ky i fundit është njoftuar një ditë më vonë për vendimin e marrë.

Të tjera akuza

Shkelje e ligjit "Për prokurim publik" në rastin e rikonstruksionit të zyrës me vlerë 841,234 lekë, ku u anashkalua procedura e prokurimit, edhe pse bëhej fjalë për një shumë mbi 2 milionë lekë - Shkelje e vënë në dukje edhe nga kontroll auditi dhe që fajëson ish-drejtorin Nestor Jonuzi.

Shkelje në organizimin e pavijonit shqiptar në edicionin e 52-të të Bienales së Venecias. Prezantimi i pavijonit shqiptar ishte i turpshëm sa i përket promocionit. Një pavijon i varfër, krahasuar me fondet e dhëna nga MTKRS, ku nuk kishte as fletëpalosje (vetëm dy fleta A 4). Artistët i montuan vetë punët dhe punimet e njërit prej tyre u vendosën 3-4 ditë më vonë.

Shfrytëzim i buxhetit të GKA-së, për dieta dhe udhëtime në shumë 800 mijë lekë, në një kohë që Bienalja e Venecias ishte një ngjarje e mbështetur tërësisht nga MTKRS.

Asnjë lloj transparence në lidhje me fondet e shfrytëzuara në Bienale.

Shpërdorim i "Fondit të veçantë" të GKA-së, pa dijeninë e titullarit, duke marrë çdo muaj 20 mijë lekë si "pagesë për kohë pune jashtë orarit normal të punës" gjatë vitit 2007, edhe pse puna për të fillonte në orën 10.00 apo 11.00.

Ngritja e një strukture jofunksionale në GKA, duke marrë nëpër këmbë studjues me grada e duke vënë në krye të sektorëve njerëz pa arsimimin përkatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›