“Gati reforma e ndihmës juridike, në çdo qytet avokat falas”

Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi
Ministria e Drejtësisë do të hapë zyra juridike falas për qytetarët në çdo qytet të Shqipërisë. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, në një mesazh të publikuar në rrjetin social “Facebook”, theksoi se kjo reformë e re, e ndërmarrë nga qeveria shqiptare, do të shqyrtohet këtë javë në komisionet parlamentare. “Java që vjen është java e një reforme të rëndësishme për sistemin e drejtësisë me fokus qytetarin. Është e domosdoshme që ne të hapim zyra juridike në çdo qytet dhe të informojmë qytetarët. Informimi i tyre është një hap më shumë drejt rritjes së kulturës juridike, rritjes së ndërgjegjes qytetare, rritjes së zbatimit të ligjit, konsolidimit të drejtësisë, uljes së kriminalitetit, forcimit të shtetit ligjor”, shkruan ministri Halimi. “Me nismën e Kryeministrit Berisha, një grup ekspertësh të Ministrisë së Drejtësisë dhe EURALIU-s, kanë përfunduar Reformën e Ndihmës Juridike, që këtë javë diskutohet në komisionet parlamentare”, thekson ai.
Halimi nënvizon nevojën që ka çdo qytetar që të informohet mbi legjislacionin, ta kuptojë atë dhe të ndihmohet, pavarësisht të ardhurave që ai disponon.
“Është e domosdoshme që ne të hapim zyra juridike në çdo qytet dhe të informojmë qytetarët. Informimi i tyre është një hap më shumë drejt rritjes së kulturës juridike, rritjes së ndërgjegjes qytetare, rritjes së zbatimit të ligjit, konsolidimit të drejtësisë, uljes së kriminalitetit, forcimit të shtetit ligjor: jo taksa dhe tarifa gjyqësore për grupet vulnerable; jo taksa dhe tarifa gjyqësore për viktimat e dhunës; avokatë falas në çdo qytet të madh të vendit, që do të ndihmojnë falas të gjithë qytetarët që nuk kanë mundësi të kenë një avokat dhe 6 klinika ligjore, që do të ndihmojnë qytetarët që të informohen mbi të drejtat e tyre”, përfundon ministri Halimi komentin e tij në “Facebook”.
Të mërkurën në mbledhjen e radhës qeveria miratoi vendimin për hapjen e zyrave juridike këshillimore për qytetarët në nevojë.
Duke prezantuar këtë vendim, kryeministri Berisha tha se këto zyra do të ofrojnë këshillim për çështje specifike për personat që nuk kanë mundësi të marrin avokat, për shkak të pagesave.