E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mandati i ri, mandati i statusit dhe negociatave, mandati i progresit të madh drejt anëtarësimit në BE”

15-04-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Sali  Berisha përuron rrugën Meto Asim-Kafaraj në qarkun e Fierit

Mandati i ri do të jetë mandati i statusit dhe negociatave, do të jetë mandati i progresit të madh drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, tha dje Kryeministri Sali Berisha gjatë  përurimit të rikonstruksionit të rrugës Meto Asim – Kafaraj, në qarkun e Fierit, një investim me vlerë 247 milionë lekë, financim i qeverisë shqiptare, BERZH dhe BEI lidh 5 fshatra të komunave Frakull dhe Levan me njëri-tjetrin, por edhe me luginën e Vjosës dhe autostradën Levan -Tepelenë.
Kryeministri Berisha, në përshëndetjen e tij drejtuar banorëve të kësaj zone, u shpreh se infrastruktura e fshatrave tona duhet të jetë identike me infrastrukturën e lagjeve të qyteteve tona, ndërsa theksoi se, “katër vitet që vijnë ne do të shkojmë në çdo komunë, në çdo fshat, do të ndërtojmë infrastrukturën më moderne”.
Ju ftoj, tha Kryeministri Berisha, “të vazhdojmë së bashku këtë betejë për këtë projekt, i cili ka qëllim madhor për të nxjerrë fshatin shqiptar nga një trashëgimi e pamerituar dhe për ta bërë atë fshatin e një vendi të zhvilluar, fshatin e një vendi evropian. Të votojmë edhe për të ardhmen tonë evropiane”.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se infrastruktura e fshatrave tona, në projektin e Partisë Demokratike, duhet të jetë identike me infrastrukturën e lagjeve të qyteteve tona.
“Për ne qytetarët shqiptarë janë dhe do të jenë të barabartë. Ndaj ne kemi bërë dhe do të bëjmë gjithçka për t’ju lehtësuar ju në punë tuaj. Ne kemi vendosur të bëjmë çdo investim për t’ju ofruar infrastrukturë moderne, rrugë, shkolla, qendra shëndetësore, kanalizime, ujësjellës dhe sisteme vaditje të standardeve më të mira. Infrastruktura e fshatrave tona, në projektin e Partisë Demokratike, duhet të jetë identike me infrastrukturën e lagjeve të qyteteve tona. Ne, bazuar në këtë platformë, mbi 60 për qind të të gjitha investimeve i kemi bërë në Shqipërinë rurale, e cila në mbi 90 për qind të saj ishte Shqipëria e baltës, me rrugë balte, me rrugë të shkatërruara. Sot, pas tetë vitesh, në Mallakastër, në Fier, në Lushnje dhe kudo në Shqipëri ne kemi rindërtuar dhe ndërtuar mijëra e mijëra kilometra rrugë”, tha Berisha.
Kryeministri premtoi se në “Katër vitet që vijnë ne do të shkojmë në çdo komunë, në çdo fshat, do të ndërtojmë infrastrukturën më moderne. Ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1000 shkolla në zonat rurale dhe të gjitha shkollat e fshatrave të Shqipërisë do të kenë standarde të njëjta me shkollat e qyteteve. Ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar qindra ujësjellës. Ne do të bëjmë gjithçka që çdo fshat i Shqipërisë të furnizohet me ujë të rrjedhshëm. Katërvjeçari që vjen do të jetë katërvjeçari i trefishimit të granteve për fermerët shqiptarë, i finalizimit të infrastrukturës së Shqipërisë rurale”.
Duke u ndalur në një analizë të suksesit të qeverisë në këto vite, Kryeministri Sali Berisha, garantoi se ky sukses, do të jetë baza edhe për katër vitet e ardhshme.
“Ku e bazojmë ne garancinë që ju japin juve për katër vitet që vijnë. Ne, para së gjithash, e bazojmë atë në suksesin që së bashku kemi arritur në këto vite. Tetë vite më parë, kur ne thamë se do t’i bëjmë komunat dhe fshatrat tona me infrastrukturë të njëjtë me atë të lagjeve të qyteteve, shumë të paktë ishin ata që e besonin këtë premtim, por këto vite ne kemi arritur rezultate të mëdha, të ndjeshme në këtë drejtim. Ne që asfaltuam 8 mijë kilometra, ju garantoj se në mandatin e ardhshëm, në 2 dhe maksimumi 3 vitet e para, do të ketë përfunduar asfaltimi i të gjitha rrugëve të Shqipërisë, të fshatrave dhe komunave të saj. Nga viti 2007 e deri më sot ne kemi dhënë si grante, pa llogaritur këtu kredi të tjera, 5 miliardë e 700 milionë lekë. Paraardhësit tanë kishin dhënë 247 milionë lekë gjithsej. Edhe ato i kishin dhënë talona që ju nuk i patë kurrë. Ne nuk bëjmë gjëra fiktive dhe gënjeshtra. Ne bëjmë gjithçka për të parandaluar korrupsionin. Ne kaluam në një skemë tjetër, skemën e parave falas për projektet tuaja. Deri më sot kanë përfituar 42 mijë fermerë. Ndaj ne do t’i trefishojmë grantet. Ndaj ne vendosëm për t’ju mbështetur ju me një paketë të re të shkëlqyer fiskale, të heqim çdolloj takse për importet që ju përdorni për prodhimin bujqësor, blegtoral dhe të çdolloj. Ne jemi të vendosur që së bashku të bëjmë gjithçka që ju të rrisni fermat tuaja. Fermerët kërkuan të hiqet taksa prej 10 për qind kur ata shesin dhe blejnë tokën. Ajo do të hiqet këtë javë, pasi ju kërkoni të zmadhoni fermat. Unë vetëm një lutje kam për këshillat dhe për komunat, të japin sa më shumë tokën me të 10-ta ose me qira dhe të mos lëmë asnjë pëllëmbë tokë të papunuar”, u shpreh Berisha, duke ripërsëritur apelin për dhënien e tokës nga komunat, me të 10-at.
Për Kryeministrin Sali Berisha, rrugët janë, jo vetëm korridore tregu, por edhe tregues i rritjes së numrit të turistëve. Duke garantuar investimin e qeverisë në funksion të suksesit të fermerëve, Kryeministri Sali Berisha shtoi se, “Problemi juaj madhor është tregu, por rrugët janë korridoret e tregut. Në rrugë kalojnë energjia e tregut, prodhimet tuaja. Jo vetëm kaq, por ne ndërtuam rrugën e kombit. Kush përfiton më shumë nga ajo rrugë? Më shumë se gjithë të tjerët përfitojnë fermerët shqiptarë që eksportojnë prodhimet e tyre në Kosovë dhe më tutje. Ne me hapjen e vendit bëmë që Shqipëria të presë 4.7 milionë turistë dhe vizitorë. Ky është një lajm shumë pozitiv për tregun e prodhimeve tuaja, të cilat kanë një treg dy herë më të madh. Ne po financojmë, po kreditojmë agro-biznesin, po bëjmë gjithçka për suksesin tuaj”.
Kryeministri Sali Berisha, u ndal më tej edhe në denoncimin e gënjeshtar e Edi Ramës, duke I cilësuar, ato “alternativa të bazuara në mohim”. Për këtë Kryeministrin Sali Berisha, ju referuar jo vetëm në pohimet e truket të opozitës, sipas të cilit “nuk është ndërtuar asnjë kilometër autostradë”, por edhe në mashtrimin tjetër të tij, që sipas Berishës, herë e prezanton veten nga Tropoja, herë nga Mbreshtani, e herë nga Shkodra apo Durrësi.
“Zotëria kalon në një alternativë të bazuar në mohimin. Deklaroi sot (dje) në media se nuk është ndërtuar asnjë kilometër autostradë. E keni parasysh Shqipërinë e gënjeshtër të tyre. Në Shqipërinë e tyre të gënjeshtër, gjithçka që keni bërë ju këto 8 vite, gjithçka që kemi bërë së bashku këto 8 vite nuk ekziston. Nuk ekziston kjo rrugë, nuk ekzistojnë këto shtëpi të reja, nuk ekziston rruga e Cakranit, nuk ekziston rruga Levan – Tepelenë, nuk ekziston rruga Levan – Vlorë, nuk ekziston autostrada Vlorë – Levan, autostrada Fier – Lushnje, nuk ekziston anëtarësimi në NATO, nuk ekziston lëvizja e lirë. Për ta ekziston vetëm errësira e tmerrshme që ka pushtuar mendjet e tyre për pushtet, që, me sa duket, nuk do ta shohin më asnjëherë. Dje u thoshte shqiptarëve se janë në rrezik. Ai shkon në Tropojë dhe u thotë atyre që diku këtu nga Geghyseni i kam rrënjët. Ata më thonë mua. Jo, - u them, - është tallur. Shkoi në Mbreshtan, thotë aty ka trojet, buzë Shpiragut. Shkon në Shkodër dhe thotë – unë këtej jam. Edhe konvertohet çdo 5 vjet, sipas oreksit. Shkon në Durrës dhe thotë - unë jam nga Durrësi. Ai është vetëm nga vetja e tij dhe nga askund nuk është. Ndaj dhe ju ftoj të vazhdojmë së bashku këtë betejë për këtë projekt, i cili ka qëllim madhor për të nxjerrë fshatin shqiptar nga një trashëgimi e pamerituar dhe për ta bërë atë fshatin e një vendi të zhvilluar, fshatin e një vendi evropian. Të votojmë edhe për të ardhmen tonë evropiane, apeloi Kryeministri Sali Berisha.
Kryeministri tha ë tej se, “Qeveria, së bashku me ju, bëri gjithçka me reformat për të marrë statusin. Për tre ligje, me ligësinë më të madhe njerëzore, bllokoi statusin. Ai mendon se shqiptarët nuk e analizojnë se kush ka përgjegjësi për bllokimin. Ai mendon se shqiptarët nuk shohin murin që u ngriti ai për statusin. Dhe për statusin, ata të cilët e pësojnë më shumë janë edhe fermerët shqiptarë, sepse 50 miliardë euro është subvencioni i Bashkimit Evropian për fermerët e Bashkimit Evropian. Statusi nuk është vend anëtar, por statusi është vend me pjesëmarrje të plotë në fondet për zhvillimin e bujqësisë. Sot, në qoftë se do të kishim statusin, fondet për ju fermerë, fondet direkt për projektet tuaja do të ishin shumë herë më të mëdha. Ndaj kemi 23 qershorin, votojmë të gjithë së bashku për Shqipërinë evropiane. Mandati i ri do të jetë mandati i statusit dhe negociatave, do të jetë mandati i progresit të madh drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, tha Berisha, duke ironizuar se, le t’i lëmë ata në aleancën e ngjalave dhe ju betohem, atë betim që bëra në Kashar, po ia bëj edhe këtu, se do të ngecin në fyt ngjalat e Nard Kokës. Këtu do të jemi. Dhe ai nuk e di se çdo të thotë të të ngelin halat e ngjalave. Nuk ka doktor që t’i nxjerrë”.
Investimi për rrugën Meto Asim-Kafaraj në qarkun e Fierit, shkurton kohën e udhëtimit 3 herë krahasuar me atë përpara rikonstruksionit të rrugës, duke u lehtësuar kështu lëvizjen 4 mijë banorëve të kësaj zone drejt qendrave administrative, si edhe fermerëve u vjen në ndihmë për të nxjerrë produktet e tyre më shpejt në tregun e Fierit, të Vlorës dhe më gjerë. Me këtë investim, infrastrukturës rrugore të rrethit të Fierit i shtohet, gjithashtu, edhe një unazë që lidh rrugën Cakran – Qafë e Koshovicës me autostradën Levan – Tepelenë, duke i dhënë më shumë frymëmarrje lëvizshmërisë së mjeteve drejt Vlorës dhe Tepelenës. Segmenti i ri rrugor Meto Asim – Kafaraj, me gjatësi 8.5 kilometër, është i pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, përfshirë sinjalistikën, kanalizimet, hapësira parkimi, vepra arti dhe mure mbajtës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›