E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati sfida epike Barça-Milan, katalanasit rikuperojnë Ksavin

KAMP NOU- Sonte në orën 20.45 Barcelona dhe Milani do të zhvillojnë një nga ndeshjet më të bukura të vitit, e vlefshme për çerekfinalet e Champions League. Përballë do të jenë Zllatan Ibrahimoviç e Lionel Mesi, skuadra më e mirë e botës për momentin dhe ajo me më shumë trofe ndërkombëtarë. Në qytetin spanjoll, ndeshja e sotme ka qenë temë dite, me mijëra tifozë që presin me ankth atë çfarë do të ndodhë në fushë. Për në Barcelonë ka udhëtuar një numër i vogël tifozësh të Milanit, për shkak të grevës së kontrollorëve ajrorë në Francë, ndërkohë që për t’u theksuar se gjatë orarit të ndeshjes pritet të bjerë shi.

Sa u përket skuadrave, trajneri Pep Guardiola duket se ka rikuperuar plotësisht Ksavin, që është stërvitur në mëngjes me ekipin. Tekniku u shpreh se sukseset në Evropë janë arritjet më të mëdha të Barçës nën drejtimin e tij. “Kemi shansin të shkojmë për herë të pestë në gjysmëfinale të Champions League dhe për këtë jam shumë krenar”, deklaroi tekniku katalanas. Shpresat e spanjollëve në ndeshjen e sotme janë të varura sidomos te Lionel Mesi, autor i 56 golave në të gjithë kompeticionet këtë sezon.

Kapiteni Karles Pujol kërkoi nga shokët e ekipit që të evitojnë gabimet në një ndeshje të tillë dhe të jenë të kujdesshëm në mbrojtje. Në krahun tjetër, Milani shkon në Kamp Nou me synimin për të arritur një kualifikim historik, por tekniku Alegri e pranon se nuk do të jetë një mision i lehtë. “Kjo është një ndeshje historike. Është gjithnjë mahnitëse kur ndeshen Barcelona dhe Milani, kështu që jam i bindur që ai që do të fitojë sonte do të shkojë në finale”, deklaroi Alegri. Ndërsa Masimo Ambrozini u shpreh se skuadra duhet të bëjë çmos të ndalë Lionel Mesin. Milani ka disa mungesa në ndeshjen e sotme, duke nisur nga mbrojtësi Tiago Silva e mesfushori Mark Van Bomel, por tekniku Alegri ka të gatshëm Paton.
(el.me/A.Latifi/ BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›