Gati shpërndarja e dëmshpërblimeve për përmbytjet e janar-shkurtit
Drejtuesit e Qarkut Shkodër kanë pohuar se ditën e hënë do të nisë shpërndarja e parave për familjet e dëmtuara nga përmbytja. Shpërndarja e parave do të bëhet nëpërmjet Albapostës, e cila ka marrë përsipër të shpërndajë shumat në çdo njësi vendore. Në ato zona ku nuk ka sportele Albaposta do bëhen pranë njësive vendore, si në sportelet e komunave apo të institucioneve të tjera shtetërore. Qeveria ka vlerësuar me shumën 512 milionë lekë familjet e dëmtuara nga përmbytjet në Qarkun e Shkodrës dhe Lezhës. Sipas kryetarit të Qarkut Shkodër, Gjovalin Kolombi, “shpërndaja e parave do të bëhet duke u bazuar te listat që kanë hartuar grupet e verifikimit. Nuk do të ketë vlerësim të dytë të dëmeve, pasi të drejtën për të bërë një vlerësim të dytë mund ta japë vetëm Këshilli i Ministrave. Në disa raste kemi pasur disa parregullsi, por që kanë qenë gabime njerëzore gjatë transportimit të të dhënave nga letrat në kompjuter, por këto gabime do i riparojmë”.
Ndërkohë, drejtues të qarkut janë shprehur se janë rreth 70 familje që janë prekur nga gabimi njerëzor gjatë transportimit të të dhënave. Në lidhje me këto familje po kryhen të gjitha procedurat, me qëllim që të marrin shumat e lekëve për dëmin që u është krijuar.
Burime nga Qarku i Shkodrës pohuan se shpërndarja e parave do të bëhet e shoqëruar edhe nga forcat rendit, me qëllim për të siguruar shumat e konsiderueshme që ndodhen në degët e Albapostës apo në njësi vendore të ndryshme.
Përmbytjet në zonën e Nënshkodrës filluan më 1 janar të këtij viti dhe zgjatën për shumë javë, si pasojë e shkarkimeve të stërmëdha të ujërave nga hidrocentralet. Rreth 5 mijë hektarë tokë u zhytën nën ujë për disa javë së bashku me mijëra shtëpi. Rreth 3 mijë banorë të zonës u zhvendosën si pasojë e përmbytjeve, ndërsa pati humbje të konsiderueshme edhe në bagëti. Sipas qeverisë, përmbytjet shkaktuan dëme të përgjithshme materiale me vlerë 4 milionë euro, dëme që do të mbulohen nga buxheti i shtetit.
#