E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Lufta kundër Kosovës rrezikon rrugën e Serbisë në BE

Zyrtari i Lartë i Pentagonit dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, sulmojnë Beogradin

Ndihmëssekretari amerikan i Mbrojtjes, Aleksandar Vershbou, ka thënë se çështja e Kosovës përgjithësisht i ngarkon marrëdhëniet e mira të Beogradit dhe Uashingtonit, por ka vlerësuar zhvillimin demokratik të Serbisë, bashkëpunimin aktiv me Tribunalin e Hagës dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale serbo-amerikane, posaçërisht në fushën e mbrojtjes. "Mirëpo ky vizion inkurajues mund të rrezikohet, sepse Beogradi vazhdon të përqendrohet në pjesën specifike të së kaluarës së saj -Kosovën", ka theksuar Vershbou në debatin para Komisionit për Politikë të Jashtme të Senatit amerikan. Pasi citon fjalët e nënpresidentit amerikan, Xho Bajden, të shqiptuara vitin e kaluar: “Jemi pajtuar se nuk biem dakord për sa i përket Kosovës- thotë ai, se duhet fokusuar në aspektet e tjera të marrëdhënieve bilaterale, ka thënë Vershbou. "Por udhëheqja serbe vazhdon fushatën aktive kundër pavarësisë së Kosovës dhe këto aktivitete kërcënojnë që të ndalin lëvizjen drejt stabilitetit rajonal, dhe potencialisht mund të kufizojnë ambiciet europiane të Serbisë. Serbia është në udhëkryq - nëse do të lëvizë drejt së ardhmes europiane, apo do të mbetet e zhytur në baltakun e obsesionit të së kaluarës. Aktualisht ajo përpiqet me të dyja, gjë që sipas mendimit tonë është e paqëndrueshme", është shprehur Vershbou, transmeton VOA në serbisht. Ndërkaq,
Ambasadori amerikan në Kosovë, Cristopher Dell, gjatë vizitës në Shtërpcë, ka lavdëruar udhëheqjen e re komunale, duke e cilësuar atë të guximshme. Largimi i strukturave paralele, hapja ndaj procesit të privatizimit, pastaj vendimi për të rregulluar hapësirat publike në qytet, si dhe në zonën e Brezovicës, kanë qenë disa nga veprimet e qeverisjes në Shtërpcë, të cilat i ka pëlqyer ambasadori amerikan. “Për këta muaj është bërë më shumë se për vite me radhë. Udhëheqja e Shtërpcës ka vënë bashkëpunim shumë të mirë edhe me Prishtinën dhe si rezultat i kësaj ka përfituar 1 milion euro ndihmë për ndërtimin e spitalit”, ka thënë Dell. Në prononcimet e ambasadorit Dell kanë qenë të pashmangshme edhe komentet për politikën e politikës serbe ndaj Kosovës. Sipas Dellit, politikanët në Beograd kanë imagjinatë të varfër në trajtimin e realitetit të ri në Kosovë. "Zyrtarët në Beograd përmendin ide të ndryshme, por pikërisht këto ide kanë sjellë luftëra në Ballkan”, ka komentuar ai. Dell ka përkujtuar autoritetet në Serbi, se ato kot e përmendin rezolutën 1244, sepse “po harrojnë që qeverisja e Serbisë në Kosovë ka përfunduar me këtë rezolutë”. Ai ka shtuar se "integrimi europian është zgjidhja e vetme si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën". Kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliç, ka thënë se temë diskutimi me ambasadorin amerikan kanë qenë çështjet me rëndësi për qytetarët. “Për momentin po punojmë në dy projekte shumë të rëndësishme, në ndërtimin e spitalit dhe në ndërtimin e banesave për 60 familje të zhvendosura dhe me raste sociale”, ka thënë Nikoliç. Ai u shpreh se problem tjetër është edhe privatizimi i Qendrës Turistike, me ç’rast sipas tij, një ekip nga komuna ishte në Banjsko të Bullgarisë, për të parë modelet e privatizimit atje, në mënyrë që të përgatitet masterplani edhe për privatizimin e Brezovicës", theksoi Nikoliç.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›