Ligji i duhanit, në tre muaj vendosen 50 gjoba
Brenda tre muajve të vitit 2010, nga janari deri në mars, inspektorët e higjienës kanë nënshkruar plot 50 gjoba për subjektet private, ku janë kapur shkelje lidhur me zbatimin e ligjit të duhanit. Sipas statistikave të Drejtorisë së Higjienës në Tiranë, këto 50 gjoba janë vendosur kryesisht në lokalet e kryeqytetit, madje shumica e tyre në zonat e qendrës.
Janë 15 inspektorë të cilët kryejnë kontrolle periodike në Tiranë, ndërkohë që orari i inspektimeve është nga mëngjesi deri në mbylljen e hapësirës zyrtare, të njohur nga ligji.
Sipas inspektorëve, kontrollet dhe në thelb edhe vetë ligji i duhanit kërkon të sensibilizojë konsumatorët e duhanit për të respektuar edhe ata që nuk janë konsumatorë dhe mbi të gjitha për të mos cenuar hapësirën publike. Deri tani, këto gjoba, pavarësisht qëllimit të mirë, mund të konsiderohen si imagjinare. Kjo për faktin sepse që nga miratimi i ligjit për mbrojtjen ndaj produkteve të duhanit, këto gjoba nuk kanë arritur të vilen. Në këto kushte, inspektorët nënshkruajnë gjoba, por vjelja e tyre pritet të realizohet nga inspektorati i madh, strukturë e cila pritet të ngrihet këtë vit. Ky inspektorat i ri që pritet të vendosë rregull për sa i takon grumbullimit të gjobave, në bazë të kompetencave që do t’i akordohen do të ketë mundësi të gjejë mënyrën e përshtatshme dhe detyruese jo vetëm për të vjelë gjoba, por për të sensibilizuar në një farë mënyre për rritjen e shkallës së kërkesës së llogarisë, si dhe opinionit qytetar.
Ende nuk dihet se në varësi të cilit institucion do të ngrihet kjo strukturë, por diçka është e sigurt që do të ketë autonomi të plotë, për të ushtruar më tej funksionet dhe mbarëvajtjen e punës. Po ashtu, shpërndarja e fondeve të mbledhura si dhe menaxhimi i tyre do të jetë një nga pjesët më të rëndësishme të projektit para ngritjes së inspektoratit dhe realizimit të këtij projekti.
#