E Diel, 1 Nëntor 2026

Sektori Bankar në krizë, frenohet kreditimi i ekonomisë

/>Banka e Shqipërisë pranon rënien e kreditimit, kundërshton Bode
Sektori bankar ka filluar të frenojë kreditimin çka paralajmëron për situatën e vështirë që ndodhet ky sektor. Këtë fakt e ka pranuar edhe Banka e Shqipërisë,  e cila në mbledhjen e Këshillit Mbikqyrës, analizoi situatën ekonomike në vend. Sipas raportit të Këshillit Mbikëqyrës, sektori bankar ka vazhduar të mbështesë ekonominë me kredi gjatë muajit tetor, por duke shënuar një ngadalësim të ritmit të rritjes. Kredidhënia nga sistemi bankar vazhdon të mbështesë më së tepërmi bizneset, të cilët kontribuojnë me 66 për qind të zgjerimit të stokut.
Gjatë muajit tetor treguesit monetarë shfaqën një ngadalësim të rritjes së stokut monetar në terma vjetorë. Ritmi vjetor i rritjes së agregatit M3 pësoi një rënie në 12.5 për qind ndërkohë që depozitat në total u rritën me 11.9 për qind në terma vjetorë. Ky pohim i Bankës së Shqipërisë paralajmëron qartë se ekonomia shqiptare ndodhet në ngërç. Tashmë janë me mijëra qytetarë të cilët i drejtohen sporteleve të bankave por që dalin nga aty me përgjigje negative. Këtë fakt nuk e ka pranuar ministri i Financave Bode i cili dje gjatë një konference për shtyp siguroi se bankat po kreditojnë dhe nuk ka asnjë problem likuiditeti në treg. Ironia e faktit është se ministri në fjalë jo vetëm që është jashtë realitetit ekonomik shqiptar, por kundërshton të gjitha argumentet e ngritura nga institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare dhe vendase. Pas paralajmërimeve të FMN, BB, BERZH për krizën ekonomike dhe kujdesin që duhet treguar për përballimin e kësaj krize, ministri Bode ka kontestuar hapur këto institucione, duke rrezatuar optimizëm për situatën ekonomike. Edhe dita e djeshme ka qenë ditë kundërshtimesh për  ministrin në fjalë, i cili  ka dalë hapur kundër mikut të tij të ngushtë Fullani, për deklaratën e tij mbi  ngadalësimin e kreditimit nga Bankat, duke treguar se ky ministër nuk pasqyron reflektim realist mbi situatën e krijuar.
Ndërkohqë që sipas Bankës së Shqipërisë, normat e interesit në tregun ndërbankar janë luhatur në varësi të luhatjeve dhe të situatës së likuiditetit në sistemin bankar. Operacionet monetare të bankës së Shqipërisë janë orientuar drejt plotësimit të nevojave të tregut për likuiditet, duke ndikuar në të njëjtën kohë në stabilizimin e normave të interesit të tregut ndërbankar. Interesat për depozitat në lekë dhe në euro, ndonëse janë ulur pas përfundimit të ofertave verore, qëndrojnë në nivele relativisht më të larta sesa një vit më parë. Njëkohësisht, normat mesatare për kredinë në lekë dhe atë në valutë kanë pësuar rritje në muajin tetor. Ndërkohë që Banka e Shqipërisë vëren se, rritja e deficitit tregtar dhe ngushtimi i bilancit pozitiv të llogarisë së të ardhurave dhe të transfertave korrente ka kontribuar në thellimin e deficitit korent gjatë kësaj periudhe në rreth 13.7 për qind të PBB-së. Fluksi neto në llogarinë kapitale dhe financiare gjatë tremujorit të tretë vlerësohet të ketë arritur në rreth 10.4 për qind të PBB-së.
Në raportin e Këshillit  Mbikëqyrës ët Bankës së Shqipërisë theksohet se, zhvillimet aktuale në ekonominë e vendit, ecuria e treguesve monetarë dhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë për inflacionin për periudhën e ardhshme sugjerojnë se kushtet monetare aktuale janë konsistente me ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në një periudhë afatmesme. Megjithatë, në raport me analizat tona paraardhëse, Banka e Shqipërisë konstaton një zhvendosje graduale të faktorëve të rrezikut në kahun rënës. Në muajt në vijim, Banka e Shqipërisë do të analizojë me vëmendje informacionet e reja mbi ecurinë e ekonomisë, duke vlerësuar ndikimin e tyre mbi projeksionet për inflacionin dhe për treguesit e tjerë makroekonomikë, dhe duke përshtatur në vazhdimësi politikën e saj monetare. Ajo mbetet e gatshme të marrë masat e duhura për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në nivelet e synuara prej 3 për qind në një periudhë afatmesme, me bindjen se ruajtja e besueshmërisë së publikut në monedhën vendase dhe në institucionet financiare është një kontribut esencial në ruajtjen e ritmeve të qëndrueshme ekonomike në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›