E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gatimet tradicionale të Gjirokastrës, përvojë unike e sjellë nga amvisat për turistët

Amvisat Gjirokastrite gjithnjë e më shumë po sjellin shijen e gatimeve tradicionale në bizneset e pazarit karakteristik të Gjirokastrës.

Duke parë interesin e lartë të turistëve të huaj për të mësuar këto receta, prej vitesh tashmë kanë hapur në këtë zonë të qytetit edhe klasa gatimi, ku i mësojnë ata si t’i gatuajnë.

31 nxënës nga Danimarka e shijuan këtë si eksperiencë, duke përgatitur gatime tradicionale, si byreku, qifqitë etj.

“Është një eksperiencë shumë e veçantë. Hera e parë që e provojmë dhe po na pëlqen shumë. Sot do të gatuajmë byrek dhe qifqi, ndoshta edhe ndonjë gatim tjetër, më pas edhe do i provojmë.”

“Është shumë interesante si eksperiencë. Do e marrim recetën me vete për ta provuar edhe në familjen tonë.”

Mimoza Duka është një prej amvisave që u mëson dhe u tregon deri në detaj turistëve realizimin e tyre. Ajo shprehet se interesi i tyre për t’i mësuar është tepër i lartë.

“I mësojmë si bëhet byreku, si bëhet qifqia, si bëhet osat, domethënë të gjitha gatimet gjirokastrite. I pëlqejnë shumë dhe jemi krenarë që sot na shpërndajnë anembanë botës,” shprehet znj. Duka.

Kjo iniciativë krijon ura lidhëse mes turistëve dhe traditave vendase.

Përmes recetave të ruajtura brez pas brezi, amvisat gjirokastrite jo vetëm ruajnë identitetin kulinar të qytetit, por edhe i japin jetë pazarit,  duke e kthyer në një qendër të gjallë të bashkëjetesës mes kulturave.

Gazetare: Boralda Pëllumbi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›