E Hënë, 2 Nëntor 2026

Seuli vlerëson se rreth 600 ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë duke luftuar përkrah rusëve

Rreth gjashtëqind ushtarë të Koresë së Veriut u vranë duke luftuar përkrah trupave ruse në rajonin rus të Kurskut si pjesë e luftës me Ukrainën, ka deklarua një ligjvënës i Koresë së Jugut, anëtar i komitetit të inteligjencës, pasi u informua nga një zyrtar i lartë i agjencisë së spiunazhit.

“Deri më tani, viktimat e Koresë së Veriut vlerësohen të jenë rreth 4,700, përfshirë rreth 600 të vdekur vetëm në zonën e Kurskut”, tha për shtypin pas informimit përfaqësuesi Lee Song-kwan, anëtar i komitetit të inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve të Koresë së Jugut.

Rreth 2,000 ushtarë të plagosur u riatdhesuan midis janarit dhe marsit me avion dhe hekurudhor dhe u vendosën në izolim në Phenian dhe pjesë të tjera të vendit, tha z. Lee. Lidhur me të rënët, ai tha se trupat e tyre u dogjën në Rusi dhe hiri i tyre u riatdhesua në Korenë e Veriut.

“Gjashtë muaj pasi forcat e Koresë së Veriut hynë në luftë, vlerësohet se efektiviteti i tyre lftarak është përmirësuar ndjeshëm, pasi mungesa e përvojës së tyre fillestare është zvogëluar dhe ata janë bërë më të aftë në përdorimin e sistemeve të reja të armëve, duke përfshirë edhe dronët”, shtoi politikani i Koresë së Jugut.

“Megjithatë, për shkak të vendosjes së tyre të zgjatur, janë raportuar raste të sjelljes së keqe nga anëtarët e forcave të Koresë së Veriut, veçanërisht konsumimi i sasive të tepërta të pijeve (alkoolike) dhe vjedhja”, shtoi ai.

Ata u urdhëruan të kryenin vetëvrasje nëse kapeshin.

Ushtarët e dërguar në Rusi — anëtarë të forcave speciale — kishin marrë urdhra për të kryer vetëvrasje nëse rrezikonin të kapeshin, kishte raportuar më parë Seuli.

Për herë të parë, Koreja e Veriut pranoi të dielën se kishte vendosur trupa në Rusi për ta ndihmuar atë të rimarrë zonat e rajonit Kursk që ishin pushtuar nga forcat ukrainase gjatë verës.

“Ata që luftuan për drejtësi janë të gjithë heronj dhe përfaqësues të nderit të atdheut”, tha udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un, raportoi të hënën agjencia zyrtare e lajmeve KCNA.

Ai shtoi se një monument në nder të “veprave të tyre heroike në betejë” së shpejti do të ngrihet në kryeqytetin e vendit, Phenian.

Vladimir Putin, nga ana e tij, falënderoi Kim Jong Un për “veprat heroike” të personelit ushtarak që ai dërgoi.

“Miqtë koreanë vepruan të udhëhequr nga ndjenjat e solidaritetit, drejtësisë dhe miqësisë së vërtetë”, tha presidenti rus në një deklaratë të lëshuar nga Kremlini.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›