Korçë, tenton vetëhelmimin 15-vjeçarja
KORÇE – Tenton vetëhelmimin një 15-vjeçare. E.M., banore e fshatit Cangonj të rrethit të Devollit ka dashur t’i japë fund jetës, pasi e qortuan prindërit e saj për një sherr që kishte bërë me disa fëmijë më të vegjël se vetja në lagjen e fshatit ku ata jetojnë. Kaq ka mjaftuar që ajo të zemërohet me ta dhe të mbyllet për disa orë në njërën nga dhomat e shtëpisë. Në mbrëmje, kur prindërit e saj shkuan për të fjetur, vajza ka dalë nga dhoma dhe ka shkuar në kuzhinë. Në çast ka vendosur t’i japë fund jetës dhe për arritjen e këtij qëllimi ka pirë të gjithë medikamentet mjekësore që përdorte nëna e saj për kurimin e tensionit. Kur e ka ndjerë se gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar, ka lajmëruar prindërit. Ata e kanë çuar menjëherë në spital, ku pas ndihmës mjekësore i ka shpëtuar rrezikut për jetën, ndonëse ende po kurohet. j.gj