E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gaxhai e Kateshi, për kohën e ajrimit

 

Drejtoria e Burgjeve në alarm, pas irritimit të 26 të dënuarve për krime të rënda. Negociatat qetësojnë situatën

Incident në burgun e Fushë-Krujës për mbylljen e dyerve dhe uljen e kohës së ajrimit TIRANË- Të dënuarit e burgut të Fushë-Krujës revoltohen për kohën e ajrimit, duke vënë në alarm drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Urdhri për mbylljen e dyerve dhe kufizimin e kohës së ajrimit, për shkak të ndryshimit të stinës është pritur me reagime kundërshtuese nga të dënuarit e seksionit të sigurisë së lartë, një pjesë e të cilëve të dënuar me burgime të përjetshme. Burime zyrtare nga drejtoria e Burgjeve bëjnë me dije se 26 të dënuar janë irrituar nga ky vendim, duke refuzuar fillimisht ushqimin e mëngjesit e më pas duke shkaktuar zhurmë në dyert e qelive të tyre. Situata është qetësuar me ndërhyrjen e zyrtarëve të lartë të Drejtorisë së Burgjeve dhe përfaqësuesve të Avokatit të Popullit, të cilët kanë negociuar me të dënuarit.

***

Mëngjesin e djeshëm, në burgun e Fushë – Krujës u shënua një incident që mund të rrezikonte sigurinë. Nismëtarët e revoltës kanë qenë 26 nga 50 të dënuarit që vuajnë në këtë seksion të sigurisë së lartë, mes të cilëve edhe emra të njohur në botën e krimit si Gazmend Brraka, i njohur me pseudonimin Gaxhai, Artan Kateshi apo të Genc Tafili, i dënuar për vrasjen e ish-drejtorit të policisë, Arben Zylyftari në Shkodër. Këta mendohet të kenë nxitur edhe të dënuar të tjerë për t’u përfshirë dhe për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj këtij vendimi të Drejtorisë së Burgjeve. Shkak i kësaj revolte ka qenë mbyllja e menjëhershme e dyerve dhe kufizimi i orëve të ajrimit, për shkak të mbarimit të sezonit veror. “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, gjatë sezonit të verës, për shkak të nxehtësisë mungesës së kushteve për ajrosjen e të burgosurve, kishte vendosur duke u bazuar në ligj mbajtjen hapur të dyerve të blinduara dhe të dyerve të dhomave, gjatë periudhës qershor – shtator 2008. Të burgosurit gjatë kësaj periudhe mund të qarkullonin të lirë në korridoret e burgut dhe në oborr, duke kaluar edhe më shumë kohë me njëri - tjetrin Ky vendim është shfuqizuar tashmë nga kjo drejtori, duke sjellë iritimin e të dënuarve”,-bëjnë me dije burimet zyrtare nga Burgjet.

***

Të mësuar me më shumë liri,26 të dënuarit për krime të rënda nuk e kanë pranuar këtë vendim, duke shkaktuar incidente dhe duke refuzuar ushqimin e mëngjesit. Të dënuarit pretendonin se ky vendim ka qenë i papritur për ta, duke u kufizuar orët e ajrimit dhe lëvizjen në ambientet e burgut. Urdhri i ri i Drejtorisë së Burgjeve përcaktonte se koha e ajrimit në seksionin e sigurisë së lartë, që nga dita e djeshme do të jetë 6 orë në ditë. Përfshirja në këtë revoltë e disa personave të njohur të botës së krimit, të cilët kanë shkaktuar edhe herë të tjera probleme për administratën e këtij sistemi ka alarmuar zyrtarët e Burgjeve. Drejt Fushë-Krujës janë nisur përfaqësues të Avokatit të Popullit dhe zyrtarë të lartë nga Drejtoria e Burgjeve. “ Situata në këtë burg është qetësuar,pas mbërritjes në vendngjarje të zyrtarëve. Nuk është ushtruar asnjë lloj dhune ndaj të burgosurëve si dhe ka pasur negociata me përfaqësues të tyre për këtë çështje. Të dënuarve uështë komunikuar se dyert janë mbyllur për shkak të ndryshimit të kushteve atmosferike”,-ka sqaruar mbrëmë për “Shekullin” drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra. Mësohet gjithashtu se seksioni i sigurisë së zakonshme nuk është përfshirë në këtë incident.

BURGU

Burgu i Fushë – Krujës, është një burg i ri, me masa të sigurisë më të lartat në vend. Ka një kapacitet prej 300 të dënuarish, të ndarë në dy seksione, atë të sigurisë së lartë dhe atë të sigurisë së zakonshme. Një pjesë e konsiderueshme e atyre që vuajnë dënimin në seksionin e sigurisë së lartë janë transferuar aty pak javë më parë, nga burgjet e Rrogozhinës dhe të Burrelit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›