Gaz Dibra: Do padis Tahirin, skam blerë vota. Deputeti i PS: Ky është vetëm një nga hetimet për ty
(E PERDITESUAR)- Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, Gazmend Dibra, që u filmua nga kamerat e Fiks Fare duke organizuar shpërndarjen e ushqimeve në këmbim të votave, ka reaguar vetëm pasi kryetari i PS për Tiranën, Sajmir Tahiri, deklaroi se ai do përballet me drejtësinë.
Dibra thotë se do bëjë ai padi ndaj Tahirit, pasi po i nëpërkëmb emrin dhe autoritetin.
Pasi u njoha me deklaratën e sotme të kryetarit të PS të Tiranës, i cili pretendon se unë paskam blerë vota në këmbim të shpërndarjes së ndihmave, i bëj me dije këtij personi se në bazë të ligjeve të këtij vendi, ai duhet të bëjë një denoncim të tillë në institucionet e drejtësisë, nëse ai beson vërtet se ka fakte të mjaftueshme që përbëkan shkelje ligjore për pretendimet që ngre.
Meqenëse ai nuk e ka bërë këtë denoncim në këto institucione, jam i detyruar që unë të kërkoj nga drejtësia zbardhjen e së vërtetës. Nuk mund të lejoj që emri dhe autoriteti im të nëpërkëmben njëlloj si ato të trafikantëve të barnave, ndaj i kam kërkuar drejtësisë të zbardhë të vërtetën dhe të vendosë para përgjegjësisë të ligjit, ose abuzuesit ose mashtruesit, që e kanë ves mashtrimin e opinionit publik dhe për këtë janë përsëritës në dënimet e tyre nga drejtësia shqiptare.
Jam i bindur se këto trillime të shpërndara nga Kryetari i PS të Tiranës kanë si motiv të vetëm kompleksin e humbjes së zgjedhje që ka pushtuar PS dhe humbjen e besimit tek elektorati të cilit po i kërkojnë votën, thuhet në deklaratën e Dibrës.
Pas kësaj deklarate ka reaguar sërish deputeti i PS, Sajmir Tahiri.
Do më bëjë padi dhe Gaz Dibra?! Hahaha… E rikonfirmoj, hetim deri në brinjë për këtë Gaz e çdo Gaz, Zuk, Xen, Git e gjithkënd tjetër si soj e sorollopi i këtyre zengjineve të rinj që blejnë votat e fukarenjve modernë. Dhe për ty Gaz, ky është vetëm një ndër hetimet që duhet të dalësh para drejtësisë. Ke plot të tjera mbi kokë, për të cilat nuk besoj ligji do të të lërë rehat. Nuk do rrimë pa hetuar as lejet e burgjeve, as nja 2 rikonstruksione, as ca histori pronash, as ca lidhje me Belle Air dhe trafikun ajror. Harrova, mi bëj të fala gjyqtarit që do të të gjejë shorti i vajzës së Kryeministrit, shkruan Tahiri në FB./ep