E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gaza, gazetarët protestojnë për katër kolegët e vrarë



Pas sulmeve dhe masakrave të ditëve të fundit, gazetarët palestinezë në Gaza protestuan kundër sulmeve izraelite në të cilat janë vrarë katër nga kolegët e tyre. Një grup prej 50 gazetarësh u mblodhën në qytetin e Gazës, të veshur me xhaketa, në të cilat shkruhej “Press”, duke i bërë në këtë mënyrë thirrje Izraelit që të përjashtojë nga shënjestra mediat e gazetarët. Ata u shprehën se do të vazhdonin të mbulonin operacionet në Gaza me gjithë ngjarjet e fundit. “Duhet të zhvillohen hetime të ndershme, të drejta dhe të respektueshme mbi krimet e kryera ndaj gazetarëve. Një sulm me raketa është kryer mbi gazetarët kur ata po kryenin detyrën e tyre. Ky është një kërcënim për jetën e tyre”, - tha gjatë protestës Imad Al Afranji, një korrespondent i televizionit “Al Kuds”. Protesta u mbajt pas vrasjes së katër gazetarëve, që po mbulonin ditën e 15-të të sulmeve izraelite në enklavën e kontrolluar nga Hamasi. Ehab Al Uaheidi, një operator i “TV Palestinës” u vra në qytetin e Gazës, kur një raketë goditi shtëpinë e mamasë së tij, kur ai ishte për vizitë atje. Ala Murtaja, një gazetar për radion lokale të Gazas “Aluan”, u vra bashkë me të ëmën, kur shtëpia e tyre në lindje të qytetit të Gazas u godit nga një raketë. Pjesëtari i një televizioni algjerian, Basel Faraj u vra gjithashtu nga një sulm ajror kur ai po udhëtonte me makinë për të mbuluar ditën e parë të sulmeve izraelite. Ndërkohë që edhe një reporter i televizionit të Hamasit “Al Aksa”, Ismail Silaui, u vra kur po falej në një xhami në veri të Rripit të Gazës. Përkundër rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së Izraeli do të vazhdojë ofensivën e tij në Rripin e Gazës. Po ashtu edhe Hamasi vazhdon sulmet me raketa ndaj Izraelit. Nga këto sulme një e treta e të vdekurve dhe të plagosurve në Rripin e Gazës janë fëmijë. Kjo katastrofë para së gjithash është konsideruar katastrofë humanitare dhe organizatat humanitare nuk mund të veprojnë, pasi edhe vetë ndihen të rrezikuar pas sulmeve të së enjtes në të cilat u vranë dy bashkëpunëtorë të OKB-së. Ndërsa ofensiva tokësore dhe ajrore e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës, ka hyrë në javën e tretë, në Egjipt po vazhdojnë përpjekjet diplomatike për ndaljen e luftimeve në Rripin e Gazës. Si Izraeli, ashtu dhe Hamasi e kanë hedhur poshtë rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilën kërkohet armëpushim i menjëhershëm.
Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, tha se Izraeli duhet ta pranojë planin e ndërmjetësuar nga Egjipti për ndaljen e luftimeve, ose në të kundërtën, përgjegjësia për luftën mbetet tek Izraeli.

11 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›