Rusia dhe BE-ja, bisedime për gazin
Kryeministri rus Vladimir Putin dhe një delegacion i Bashkimit Europian, i kryesuar nga kryeministri çek Mirek Topolanek, janë takuar dje me qëllim zgjidhjen e çështjes së gazit dhe konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë. Kryeministri çek, Mirek Topolanek, vendi i të cilit kryeson presidencën e radhës së BE-së, bëri të ditur se para dy ditësh ishte arritur një marrëveshje verbale me zyrtarë të Ukrainës, për vendosjen e monitoruesve për kontrollimin e transitit të gazit rus nëpër gazsjellësin në Ukrainë. Por, kryeministri rus, Putin, tha se asnjë marrëveshje nuk do të konsiderohet e vlefshme, derisa ajo të nënshkruhet.
“Shpresoj se ju keni arritur sukses në bindjen e partnerëve ukrainas, për domosdoshmërinë e nënshkrimit të dokumenteve përkatëse”, - tha Putin. Rusia e ka akuzuar Ukrainën për veprime ilegale lidhur me gazin e dedikuar për Europën. Këto akuza Ukraina i ka hedhur poshtë.
11 Janar 2009