E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njerëzimi virtual



Moikom ZEQO

Bota sa vjen dhe bëhet më tepër një vizion, një shpirt i shkëputur nga trupi i vetvetes. Ky virtualizëm përfshin edhe librat. Librat tashmë janë më shumë se përpara libra virtualë. Për këtë arsye, s’di pse mua më pëlqen më tepër të rikthehem te pergamenët e shkruar, kur kam parë kodikët e lashtë të Shqipërisë, jam mrekulluar. Të shkruash me dorë, tani konsiderohet si një ves ose paragjykim. Të vjen të klithësh, por kush e dëgjon klithmën tënde. Shkrimtarët tani janë qenie që s’kuptohen pa kompjuterin, janë përbindsha të internetit, një lloj shtaze elektronike. Ka që profetizojnë fundin e librit prej letre, gjoja janë të panevojshëm, sepse tashmë bibliotekat e mëdha mund të futen në internet ose të koncentrohen në një CD. Gjoja kjo bëhet në emër të leximit. Leximi është përherë indivdual. Pse duhet të privohemi nga kënaqësia intime dhe e pafund për të lexuar e shfletuar me gishtat e dridhur faqet e një libri të vjetër? Ky është një problem. Kështu ne jemi të problematizuar pa pushim.
Flasim për zhdukjen e të shkruarit të librave në letër, për dorëshkrimet e paqena në të ardhmen. Por kjo s’është asgjë përpara krijimit të fëmijëve in vitro. Dy femra lezbike në Amerikë, Keri Kaulman dhe Koni Diks janë bërë një tjetër simbol virtual. Ato kanë krijuar dy binjakë falë “blerjes” që u bë me anë të “Cryobankc.com”, sajti në internet i firmës me të njëjtin emër, që është banka më e madhe e spermës në Kaliforni, ku rreth 200 donatorë në ditë “bashkëpunojnë” me gratë që kërkojnë të mbeten shtatzëna. Ky çift lezbikesh nga Çikago u interesua nëpërmjet revistës “Newswweek” për të siguruar analiza të hollësishme të spermës nga tre donatorë të ndryshëm, 250 dollarë copa iu postuan me anë të internetit çiftit lezbik, të cilët paguan 5400 dollarë, duke përfshirë edhe shërbimin postar dhe shërbimet e tjera (sepse lezbiket kërkuan të dëgjonin edhe zërin e donatorit në kasetë, që u kushtoi edhe 30 dollarë). Të dyja lezbiket, me anë të inseminimit artificial dhe të fekondimit in vitro, në provën e njëmbëdhjetë ia arritën qëllimit dhe lindën binjakë. Qe proces i lodhshëm, thanë lezbiket, por interneti e bëri të thjeshtë. Kjo ngjarje tallaziti opinionin publik. Tani ka shumë nëna aspirante, përherë në rritje, që përdorin internetin, duke thjeshtëzuar kërkimet për një shtatzani të dhimbshme. Keti Rrothman, drejtore menaxhuese në Cryo Bank, i vlerëson në 45 milionë dollarë shpenzimet e bëra nga amerikanët për të blerë spermë me anë të internetit. Vetëm në Virxhinia ky biznes numëron 1000 vizitorë në ditë në këtë sajt, kurse banka e spermës në Atalanta numëron 20000 vizitorë në muaj. Tani 110 banka të spermës në SHBA kanë sajtet e tyre në internet. Arsyet e suksesit janë të ndryshme, shkurtohen distancat gjeografike midis donatorëve e klientëve. Interneti u ofron nënave aspirante instrumentet për të konfeksionuar mëmësinë e tyre. Dikur ishin doktorët që caktonin kontaktet e kërkimet, duke vendosur në fund edhe zgjedhjen. Sot ka çifte e gra që, me anë të kërkimit në internet, mund të zgjedhin me anë të rrjetit preferencat e tyre, nga kombësia, masa trupore dhe edukimi i donatorit. Interneti jep një shërbim të vazhdueshëm, firmat që merren me biznesin e spermës on line, janë duke u bërë akoma më djallëzore në publikimin e shërbimeve të tyre, siç bëjnë “Coca cola” apo “McDonalds”. Janë bërë konferenca të bujshme me donatorët e spermës, ose me zëra të rregjistruar të baballarëve virtualë. Siç mund të blesh një bluzë në një dyqan mode, ashtu mund të porositësh edhe një fëmijë në të njëjtën mënyrë. Po çfarë tipash janë këta donatorë? Në përgjithësi preferohet sperma e studentëve të Harvardit ose të Oksfordit, e burrave me nivel të lartë edukate, shtalartë, flokëverdhë, me sy jeshilë ose blu. Preferohen kampionët e tenisit, alpinistët, kurse astronautët, diplomatët e poetët janë më të përbuzurit.
Pra, shkrimtarët nobelistë dalin të humbur. Kjo gati tingëllon si racizëm. E kush pyet për nobelistët!
Habermasi, filozof i përkorë, preokuphet për teorinë e praktikën e ndërhyrjes në gjenet njerëzore, për të ndryshuar tiparet dhe karakterin e fëmijës që do të lindë. A mund të kërkojmë në natyrën njerëzore kriteret e kufijtë për të vendosur lidhur me karakterin e moralshëm, ose të pamoralshëm të zgjedhjeve tona? Kjo është një pyetje prej Sfinksi, e ngutshme për shkencën e teknikën moderne të demonizuar. A është natyra njerëzore një ideal i njerëzimit apo duhet ndryshuar? Është fjala për manipulimin gjenetik. Tani flitet për një profilaksi që një çift bashkëshortor, pasi informohet që fëmija i tyre i ardhshëm nuk i ka parametrat e dëshiruar, nuk duan të lindë.
Habermasi, filozof i njohur i shkollës së Frankfurtit, thotë se termi “natyrë njerëzore” keqkuptohet në një masë të madhe. Manipulimi gjenetik është justifikuar si një qëndrim aristotelik për të zhdukur dallimin ndërmjet spontanes e artificiales, ndërmjet asaj që rritet vetvetiu dhe asaj që prodhohet. Aristoteli, megjithatë, e bënte këtë dallim. Po a duhet zhdukur? A është kjo një ide metafizike? Habermasi, në një intervistë në “Le Mond”, është shprehur se, nëse një çift manipulon genet e birit në formim për të siguruar dhuntitë e një muzikanti të madh (duke dashur ta bëjë atë një Monteverdi, Vagner apo Ligeti), dhunon lirinë e tij, sepse ndoshta fëmija do të dëshironte të bëhej pilot, fermer ose llogaritar banke. A është natyra njerëzore spontane, që krijon vetë ajo me një kusht të vetëm që dy njerëz me sekse të ndryshme dhe nuk vendosin asgjë (duke përdorur ose jo profilaksinë e së ardhmes)? Natyra e njeriut është e ndryshme, pikërisht nuk ka një natyrë, një thelb të përcaktuar, kur njeriu duhet të zgjedhë vetë që në embrion, që në fetus.
Habermasi druhet nga ekseset e një gjenetike liberale, dmth, nga një manipulim pa kufi i drejtuar vetëm ndaj interesave të tregut dhe pyet gjithashtu, me të drejtë, se si do të mund të ndiheshin njerëzit e ardhshëm, kur të kuptojnë se kanë lindur përmes manipulimit teknologjik. Si mund të ndihet një robot, kur ta kuptojë se është i tillë? Gjithnjë kush lind është “i flakur, i hedhur në realitet”, thoshte Hajdegeri, në një kusht historik që e përcakton, edhe nëse jo sipas ligjeve thjesht mekanike. Sot jemi në kushte që të ndikojmë ndërgjegjshëm pikërisht në vitytin e kësaj natyre njerëzore, të cilën nuk duhet ta transformojmë pa kufi.

11 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›