E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wilfried Fiedler për gjuhën shqipe



Monografia e Wilfried Fiedler për foljet në veprën e Buzukut (1555) pasqyron shkallën më të lartë të njohjeve për këto çështje në fushën e albanologjisë. Me këtë vepër begatohet ndjeshëm jo vetëm buzukologjia, po edhe studimi i sistemit foljor të shqipes në tërësi. Duke u marrë në mënyrë kaq gjithëpërfshirëse me segmentin më të begatshëm të morfologjisë së shqipes, pra me atë të foljeve në veprën e Gjon Buzukut, Fiedler në fakt ka bërë një monografi shumë të gjerë për gjuhën e librit të parë shqip, do të thosha, pas kryeveprës së Çabejtë, studimin më të gjerë dhe më të thelluar për këtë vepër.

Rexhep ISMAJLI

Albanologu i njohur gjerman Wilfried Fiedler (Vilfrid Fidler) prej më se gjysmë shekulli merret intensivisht dhe me sukses të shënuar me studimet e gjuhës shqipe. Qysh nga fillimet e viteve '60 ai i sjell opinionit shkencor rezultate të hulumtimeve të veçanta për strukturën e gjuhës shqipe, duke i zgjeruar më tej këto vrojtime me vështrimet më të gjera ballkanistike. Vëmendjen e albanologëve e kanë tërhequr në mënyrë të veçantë studimet e tij të thelluara dhe të gjithanshme për çështje të strukturës gramatikore të shqipes së sotme, ndër to monografia e gjerë dhe gjithëpërfshirëse për shumësin, shqyrtimet e ndryshme për sistemin foljor të shqipes, etj.
Bashkë me Oda Buchholz (Oda Buholc), më 1987 ai ka botuar “Albanische Grammatik”, ku sistemi gramatikor i shqipes së sotme vështrohet në tërë gjerësinë e tij: në fonologji, në strukturën morfologjike dhe në fushën sintaksore. Pjesën për morfologjinë në këtë gramatikë, pra edhe atë për foljet, e karakterizon prirja për të qenë shterruese sa u përket formave. Në anën tjetër, bie në sy qëndrimi risimtar në raport me gramatologjinë për shqipen në shumë aspekte të shqyrtimit të çështjeve morfologjike, sidomos në sistemin e foljeve. Në fushën e sintaksës kjo Gramatikë është gjithsesi e para për shumë aspekte të vështrimit.
Wilfried Fiedler, bashkë me Oda Bucholz dhe Gerda Uhlisch (Gerda Ulish), kanë bërë dhe Fjalorin shqip-gjermanisht, ndërsa më vonë, me A. Klosin, edhe Gjermanisht-shqip.
Gjatë tërë kësaj kohe, herëpashere ai është marrë gjithashtu me përkthimin e veprave të ndryshme të letërsisë shqipe gjermanisht dhe ka bërë shumë punë të tjera për përhapjen e dijes për shqiptarët në gjuhën dhe botën gjermane.

* * *
Deri më 1989 Wilfried Fiedler ka punuar në Institutin Qendror të Gjuhësisë të Akademisë së Shkencave të Gjermanisë Demokratike në Berlin, ndërsa pastaj u zgjodh profesor i albanologjisë në Universitetin e München-it, ku punoi deri më 1998. Pas pensionimit, vazhdoi si profesor i ftuar i shqipes në Universitetin e Jenës. Si një ndër albanologët e shquar të kohës, Wilfried Fiedler është zgjedhur anëtar i jashtëm i ASHAK.
Dorëshkrimi i W. Fiedlerit “Sistemi foljor i gjuhës shqipe të Gjon Buzukut (1555)” është një monografi e gjerë dhe gjithëpërfshirëse. Në mbi 800 faqet e dorëshkrimit, që nuk ka të ngjashëm në tërë albanologjinë, janë shqyrtuar në mënyrë të detajuar të gjitha aspektet e sistemit foljor të gjuhës shqipe te libri i parë i botuar (1555).
Duke u marrë në mënyrë kaq gjithëpërfshirëse me segmentin më të begatshëm të morfologjisë së shqipes, pra me atë të foljeve në veprën e Gjon Buzukut, Fiedler në fakt ka bërë një monografi shumë të gjerë për gjuhën e librit të parë shqip, do të thosha, pas kryeveprës së Çabejtë, studimin më të gjerë dhe më të thelluar për këtë vepër.
Për ta bërë këtë, atij i është dashur të rimerrte në shumë detaje tepër të ndërliqshme studimet e deritashme për grafinë dhe për sistemin fonologjik të Buzukut, për të krijuar një përfytyrim të plotë të vetin për këtë sistem, që do të shërbente si bazë për hulumtimet dhe interpretimet e tij të sistemit morfologjik të foljeve. Shënimet për transkriptimin, bashkë me kapitullin për sistemin fonetik-fonologjik të gjuhës së Buzukut, paraqesin një monografi të mirëfilltë të vogël për këtë segment të gjuhës së Buzukut. Rekapitulimet e rezultateve të mëparme, vështrimet kritike dhe nismat e reja dalin gjithandej në këtë pjesë.

* * *
Pjesën për foljet, që në fakt është hulumtimi i parë kështu sistematik i një segmenti të strukturës gjuhësore të Buzukut, e mbase përgjithësisht të një autori shqip, Fiedler e fillon me kapitullin “Sistemi i formave foljore sintetike. Morfologji”, ku shtrohen në të gjitha detajet, pra në mënyrë shterruese, rezultatet e hulumtimit të tij për të tashmen dëftore veprore dhe joveprore, për të pakryerën dëftore, për të kryerën e thjeshtë, për të tashmen e lidhores, për urdhëroren, për dëshiroren dhe për pjesoren. Ky kapitull shterrues për format morfologjike të sistemit foljor të shqipes së Buzukut ndiqet nga pjesa “Tri format kohore dëftore sintetike, përdorimi i tyre dhe problemet e lidhura me to sa i përket gramatikalizimit”. Në këtë pjesë të tre tipat e formave foljore janë shqyrtuar nëpër tri shtyllat e mëdha semantike-sintaksore të temporalitetit, aspektualitetit-akcionalitetit, modalitetit-emocionalitetit.
Më tej Fiedler merret me format kohore 'perifrastike', me problemin e habitores te Buzuku, për të kaluar pastaj te shqyrtimi i gjerë për “Tri format sintetike modale, përdorimi i tyre dhe problemet e gramatikalizimit që lidhen me to”. Në këtë kapitull të gjerë janë shqyrtuar çështje nga më të ndryshmet lidhur me përdorimin e formave të përbëra foljore.
Një kapitull i veçantë i kushtohet ndërtimit të sistemit foljor të shqipes me 'pjesëza formë-formuese', ndërsa një tjetër merret me Pjesoren dhe zgjerimet e saj, duke përfshirë këtu kompleksin e infinitivit dhe çështjet që lidhen me të. Në vijim shqyrtohen pjesëzat formëndërtuese dhe, në fund, çështjet e diatezës.
Kështu kemi një trajtim të gjithanshëm dhe shterrues për tërësinë e sistemit foljor të shqipes së Gjon Buzukut.
Një vlerë të veçantë të monografisë e përbën Treguesi i plotë i formave foljore te Buzuku. Libri përmban dhe bibliografinë e gjerë dhe të begatshme të studimeve të deritashme në këtë fushë.

* * *
Mund të themi lirisht se monografia e Wilfried Fiedler-it, “Sistemi foljor shqip në gjuhën e Gjon Buzukut (1555)”, paraqet një vepër me rëndësi të dorës së parë për studimet e shqipes në këtë fushë, përshkrimin e parë të plotë të sistemit foljor të shqipes për një autor, gjithsesi më të rëndësishmin në fushën e foljeve jo vetëm për periudhën e teksteve të vjetra.
Monografia paraqet një vështrim të tërësishëm origjinal për sistemin foljor të shqipes të begatuar me shqyrtime përqasëse me tekste të tjera të vjetra, me gjuhën e sotme dhe me gjuhët e tjera ballkanike.
Përtej përshkrimit të sistemit foljor të shqipes, paraqitjes së funksionimit të formave foljore, të relacioneve semantike e sintaksore, interes shkencor paraqesin vështrimet dhe komentet e shpeshta të autorit në aspektin ballkanistik. Krahasimi i formave dhe kategorive të gjuhës së Buzukut me forma dhe kategori të folmesh e dialektesh të gjuhëve të tjera ballkanike, siç mund të shihet dhe në një varg studimesh të tjera të këtij autori të botuara në periodik shkencor dhe nëpër botime të veçanta, rezultatet që ka shënuar ai në këto përqasje, e vënë atë në shkallën e ballkanologëve më të kërkuar në këtë rrafsh.
Monografia e Wilfried Fiedler për foljet në veprën e Buzukut (1555) pasqyron shkallën më të lartë të njohjeve për këto çështje në fushën e albanologjisë. Me këtë vepër begatohet ndjeshëm jo vetëm buzukologjia, po edhe studimi i sistemit foljor të shqipes në tërësi.
Prof. Dr. Wilfried Fiedler, një nga albanologët e shquar sot, na vjen tash me propozimin për botimin e një monografie të re albanologjike: Die Pluralbildung im Albanischen (Formimi i shumësit në shqipen), që në fakt është versioni përfundimtar i veprës së tij të kahershme, vazhdimisht të ripunuar.

11 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›