Koha nuk ka labirint
Agim GjAKOVA
Koha nuk ka labirint
Në përshkrimin e dëshirës së pafrè
vetëm pranvera gjezdis kontinenteve
kasnec i shpresës në qiell të Prishtinës
sharlatane është mjegulla
shkruan një fjalë në hapësirë
dhe përllogarit kotësinë
më i gjatë vargu se jeta
është vonë të bëhem Epikur
apo të luaj stoikun.
Nxitova...
I parregullt isha në rrugë ku më çuan këmbët
pa vullnet të tjetrit që më nxiste për bëma
në vend që duart t’i ngrija drejt qiellit
i futa në xhepa dhe nxitova furishëm
të zija kohën që ecte para meje
të rralloja mendimet të shfryja ndjenjat
të shuaja dëshirat të zmbrapsja mallkimet
u ndala dhe u bëra pasqyrë
të shikoheshin të marrët.
Fytyra
Më duket se kundroj hënën
me hijet që e hijeshojnë heshtjen time
dy liqene të vegjël më joshin
të shpërlaj vrullin e përfytyrimeve
a thua të shtrij dorën
të arrij lëndinën e pjerrët
dy kreshta ma ftillojnë mendimin
dua ta ndal lëvizjen e brigjeve të luginës
me një puthje amshimi të dashurisë.
Kryeqyteti
Kryeqytei u bë një fshat i madh
bujqit po mbjellin politikë
fidanët e farërave të huaja
po gërvishtin nëndheun...
kushedi se prej nga po vjen plehu.
E katërta
Pa shpirt pa shpresë
pa ëndrra pa horizont
pa perspektivë...
kërcu i mbyllur në lëvozhgën e njeriut
as kalbem as thahem
as njomem...
çudi se si lëvrij nëpër ecje
thirrmëni cung
e mos më jepni zemër
se e kam humbur!
Vizioni i pestë, ose Generatio
Nëpër mërdhimjen e acartë
diçka afrohet dhe troket në hapësirë
diçka rend dhe rrapton në dhé
diçka këputet dhe nuk bie askund
drunjtë më ngrohin, pylli dendet
me heshtje, ma ngacmon qenien
koreografia e hapave nëpër botë
lëvar shpresën në cep, ca britma
zogjsh mund të jenë larg
përtypen nga ngushëllimi, frymëmarrja
s’më thotë asgjë, mungon qartësia
mes diturisë dhe çmendurisë se kush jam
e ky...
ndoshta jam unë
në rrugën time të përjetshme.
Modë artistike
Maskat e fytyrës
të njëjta
me fytyrat e maskave
kur pozojnë cullak
i verbri terrohet përgjithmonë
falsifikimi primitiv
e praron idealin e kohës
gjithçka mbetet sekret
në midis të pazarit.
Në mjediset e Kosovës
Ka që i bien kavallit me një vrimë
ka që i bien vrimës
me një kavall...
Kam të bëj me njeriun e sotëm
Për shkak të zhgënjimit
dhe vetëm për shkak të zhgënjmit
mësova të dua të padashurën
për shkak të frikës
dhe vetëm për shkak të frikës
mësova të urrej të dashurën
për shkak të shpresës
dhe vetëm për shkak të shpresës
mësova të përçmoj magjistarët
për shkak të vetmisë
dhe vetëm pëër shkak të vetmisë
mësova të dyshoj të vërtetën.
Ku mbetën të dashuritë
I vdekur gjysh a s’më le ndonjë porosi
bashkë me urnën e vjetër ilire
lundërtari sfidon valët e kohës
në rrugë drejt amshimit në kapërcyell
të çdo dëshpërimi
më thuaj si qenë parardhësit
në ndonjë ditë korriku kur balli im preku
truallin
e mbushur me kashelashë të papërgjigje
kur askush nuk po mundet të ndajë
të ligën nga e mira
të harrojë brumin e tij prej ndërgjegjeje
a ka me më mashtrue dikush kur pështillem
nëpër skutat e botës së çmendur për
buzëqeshje
kur shihet vetëm një rrugë e gjatë me një derë
që shkruan “Mbarim” prej nga kthehen ata
që do të hyjnë më vonë
me harresën të shartuar me të sotmen.
Vjollca
Printoj në kompjuter këmbët e zbathura me
figura
të tejdukshme imagjinare. Më drobitet kujtesa e
stinët vijnë mbi tavolinë plot letra e valëviten
në hullinë e botës së ndryshkur; gjunjazi
rrokulliset
gjithësia nëpër ëndrrat e shpërngulura matanë
hapësirës.
Në enigmën e moteve vëzhgoj parajsën e ferrin,
drunjtë
e pyllit të virgjër ma përcjellin melodinë e
mendjes se
kësaj jete nuk jepem pas lakmisë së të
lakmueshmeve;
enigmatik në stinët e vërvitur si i parëndesë
ushtima
ma nxit vështrimin e sinqertë të kundroj
univers-vetveten...
kapërcej ylberin dhe bie mbi tufën e luleve
që Vali e përlotur i vendos mbi varrin e
amshimit.
11 Janar 2009