Gazeta “Tema”, i thotë lamtumirë tregut shqiptar
Pas rreth 11 vitesh në treg, gazeta e drejtuar nga Mero Baze, ka falimentuar për shkak të vështirësive të mëdha ekonomike, vitin e fundit. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Baze, në një editorial të publikuar sot të titulluar “Një fund, por jo fundi për lirinë e medies”, ku thekson se gazeta u mbyll në kushtet e bllokimit arbitrar prej policisë dhe shkatërrimit të investimeve të saj. Ai ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha se ka shpërblyer medien pranë saj, ndërkohë që ka goditur mediet që kanë denoncuar korrupsionin. “Duke pushuar së dali në treg pas 11 vitesh mbijetese, ne, pak gazetarët e mbetur në këtë gazetë, po aq pak sa kanë qenë kur e nisëm, nuk ndjehemi të frikësuar për të ardhmen tonë personale, dhe as jemi duke i kërkuar dikujt të solidarizohet me gjestin tonë pas mbylljes së gazetës”, shkruan Baze në editorialin e sotëm. Sipas tij, Gjykata e Tiranës e cila duhej të shqyrtonte padinë e ngritur ndaj Ministrisë së Rendit për shkatërrim të pasurisë dhe investimit të bërë pranë ish-Tipografise ushtrake, ende nuk ka bere seancën e parë të rregullt gjyqësore pas më shumë se një viti nga koha kur eshte ngritur padia.