I vodhën 2.5 mln lekë kushëririt, arrestohen
Delvinë
I grabisin kushëririt 2.5 milionë lekë, arrestohen tre persona nga fshati Vllahat i Delvinës. Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë të ditur se në pranga është vënë fillimisht 38-vjeçari Arben Kanina, si i dyshuari kryesor për autorësinë e grabitjes. Pas tij janë arrestuar edhe 18-vjeçari E.Q. e 17-vjeçari L.Q., të cilët janë kushërinj të të dëmtuarit, banojnë në një lagje me të dhe me sa duket, kishin dijeni për vendin e mbajtjes së të hollave. Ngjarja ka ndodhur ditën e enjte dhe është denoncuar nga vetë i dëmtuari, I.Q. banor i fshatit Vllahat. Mësohet se I.Q. ka denoncuar në polici se i kishin vjedhur kasafortën, ku mbante 2.5 milionë lekë. Ai kishte gjetur shenja të futjes në banesë nga dritarja, paraditen e së enjtes ndërkohë që gjendej në qytetin e Delvinës. Kanë kaluar vetëm 4 orë nga konstatimi i vjedhjes, që policia të identifikojë dhe të arrestojë autorët e kësaj vepre penale të kryer në bashkëpunim, dy prej të cilëve të afërm të tij. Ndërkohë ndaj tre të ndaluarve është marrë masa e arrestit për veprën e “vjedhjes në bashkëpunim”. Ndërkohë në momentin e arrestimit, u është sekuestruar shuma e vjedhur, prej 2.5 milionë lekësh, për të cilat nuk iu la kohë që t’i “prishnin”, por vetëm t’i fshihnin.
#