Një e vdekur dhe shtatë të plagosur të enjten
Aksidentet
Një e vdekur dhe shtatë të plagosur ka qenë bilanci i tre aksidenteve automobilistike të ndodhura brenda pak orësh në Elbasan dhe Fier. Në këtë të fundit, mbrëmjen e së enjtes një 38- vjeçare ka humbur jetën, ndërkohë që autori i aksidentit është vënë në pranga nën akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Ngjarja ka ndodhur në orën 22.00 në fshatin Vajkan të Komunës Mbrostar. Burimet nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se Erion Aliaj, 30 vjeç nga Fieri, duke drejtuar makinën me një shpejtësi tej normave të lejuara, ka përplasur për vdekje 38-vjeçaren B. Vrenozi. Ndërkohë në Elbasan shtatë persona kanë mbetur të plagosur në dy aksidente rrugore. Ngjarja e parë ka ndodhur në orën 22.00 të së enjtes në fshatin Labinot–Fushë, ku 23-vjeçari Fadil Duka, që drejtonte një “Audi”, u përplas me një “Opel” që drejtohej nga një shqiptar nga Kërçova e Maqedonisë. Si pasojë e këtij aksidenti është dëmtuar rëndë shoferi Duka dhe tri vajza 23-vjeçare që udhëtonin me të, të cilat janë nga Berati, Rrogozhina dhe Përrenjasi. I lënduar më lehtë ka mbetur drejtuesi i mjetit tjetër. Ndërkaq, mësohet se të enjten, një kamionçinë dhe një furgon janë përplasur në rrugën Librazhd – Qafë-Thanë dhe për pasojë ka pasur dy persona të plagosur.
#