Maqedoni, arsimi shqip na kaos
Arsimi shqip edhe me fillimin e gjysmëvjetorit të dytë shkollor dhe akademik është përfshirë në kaos, për shkak të mungesës së kushteve hapësinore, bllokimit të zgjerimit të paraleleve për nxënësit shqiptarë në ato drejtime që synojnë në shkollat e mesme si mungesa e hapësirave në shkollat fillore.Ndarjet e krijuara në shkollat e mesme të Strugës, kontejnerët dhe kushtet tejet të rënda për mësim në shkollat e mesme shqipe në Kumanovë, moslejimi i hapjes së paraleleve shtesë në shkollën e mesme të mjekësisë në Shkup si dhe mungesa e hapësirave për nxënësit shqiptarë në shkolla të mesme e fillore, problemet hapësinore në USHT dhe fakultetet e disperzuara janë problemet që tashmë po shtrihen edhe më tepër dhe po krijojnë barriera të ndryshme për arsimimin e nxënësve shqiptarë. Për shkak të kësaj situate të krijuar shoqatat qytetare shqiptare dje kërkuan publikisht dorëheqjen e ministrit të arsimit Nikolla Todorov. “Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme dhe të pakusht të Ministrit Todorov për arsye të deklaratës së tij diskriminuese që mësimi i gjuhës së tretë që nga klasa e parë fillore do të ishte ngarkesë për fëmijët maqedonas dhe jo edhe për ata fëmijë shqiptar të të njëjtës moshë, për arsye të vendimit arbitrar diskriminues që nuk është në përputhje me realitetin e barabarësisë së komuniteteve, për arsye të nxitjes së segregacionit tek fëmijët dhe shoqëria, për ngritjen e tensioneve ndëretnike si tash ashtu edhe gjatë regjistrimit të nxënësve shqiptar në shkollat e mesme, për arsye të nxitjes së nacionalizmit si dhe për paaftësinë e tij në menaxhimin e arsimit”, thuhet në reagimin e dërguar në patronazhin e Lëvizjes “ZGJOHU!” në bashkëpunim me disa shoqata tjera.Eksperti shqiptar për çështje arsimore dhe pedagogjike, prof.dr. Xheladin Murati në një deklaratë për agjencinë e lajmeve INA vlerëson se patjetër duhet që të përcaktohet një agjendë për zgjidhjen e problemeve tashmë të hapura dhe që po krijojnë pasoja për nxënësit dhe studentët shqiptarë. “Është fakt se në arsimin shqip mungojnë shumë gjëra. Ministria e Arsimit nuk ka ndjeshmëri për të marrë vendime të prera lidhur me këto probleme të grumbulluara që kërkojnë zgjidhje. Problemi i fundit i shkaktuar nga Ministria e Arsimit është imponimi i saj që filloristët shqiptarë të mësojnë gjuhën maqedonase nga klasa e parë. Kjo që bëhet vetëm se thellon problemet në arsimin shqip”, ka theksuar profesori universitar Xheladin Murati. Sipas tij, në këtë rast Qeveria duhet të kërkojë përgjegjësi të plotë për këtë vendim nga Ministri i Arsimit.Probleme evidente në arsim ka regjistruar edhe Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) në Kumanovë e Likovë e cila ka bërë thirrje për t`i ardhur në ndihmë arsimit shqip në Kumanovë. “Urgjentisht duhet të bëhet ndërhyrja institucionale për të evituar problemet dhe kaosin që ka mbretëruar arsimin shqip në Kumanovë. Pas sa viteve kemi probleme me mungesën e lokaleve për nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme shqipe, kemi probleme në çështjen e hapësirave për nxënësit e shkollave fillore, mungesa e kushteve për ndjekjen e trendëve arsimore si dhe shumë probleme të tjera që po i pësojnë fëmijët tanë”, ka theksuar kryetari i LASH-it, Etem Xheladini. Gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor filloi këtë javë me probleme të trashëguara, ndërsa Ministria e Arsimit vazhdon të ngelet e shurdhër ndaj tyre. (ina/start)