E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazetarët e mëdhenj rrëfehen



Italia u bë këto ditë vendi mikpritës i një prej manifestacioneve më të mëdha ndërkombëtare dedikuar gazetarisë. Nga data 1-5 prill u zhvillua në qytetin e Perugia-s Festivali Internacional i Gazetarisë.

Debate, takime, intervista, seminare, ekspozita, prezantime librash, evente e shfaqje teatrale patën në qendër të vëmendjes gazetarinë me tematikën e sotme të problemeve të informacionit. Mbi 250 profesionistë të konsideruar si “Big”-ët e gazetarisë botërorë u mblodhën për të tretin vit radhazi në një Festival Ndërkombëtar, duke u bërë protagonistë të mbi 100 eventeve që mbushën pesë ditët e këtij aktiviteti. Për herë të parë morën pjesë në këtë festival të ashtuquajturit “vullnetarë” të përfaqësuar nga studentë e të apasionuar pas gazetarisë nga mjaft shtete si Kanadaja, Australia, India, Brazili, Rusia, Zvicra, Anglia, Spanja, Portugalia, Tunizia dhe Lituania. Ishte ky një komunitet i vërtetë i lindur e i organizuar me anë të social-networker si “twitter” e “facebook” e që falë këtij festivali u kthyen “në protagonistë si profesionistët e vërtetë”. Qe pikërisht dhe ky mesazhi që organizuesit e këtij aktiviteti kërkuan të sjellin te këta të rinj, duke i angazhuar si shoqërues në konferenca shtypi, si fotografë, video-maker, infopoint etj. Lindja e Mesme, mafia, të drejtat e njeriut, liria e shtypit, roli i masmedias në krizën e përgjithshme financiare ndërkombëtare, postgazetaria e gjuha e re që po adopton informacioni, ishin disa nga temat më të rëndësishme e më të debatuara në këtë festival. Telekamere, flash të aparateve fotografike, web, TV, celularë që tingëllojnë, diskutime, gjithkush me detyrat e tij me përgjegjësitë e tij, por të gjithë me një punë të koordinuar harmonikisht. Kjo është jeta e një salle shtypi ku gjithsecili gjendet aty për të shkruar, për të lexuar, pra për t’u bërë pjesë e këtij festivali. Dita e parë e këtij aktiviteti i dha një hapësirë të konsiderueshme rolit të informacionit në luftën ndaj mafies e kriminalitetit të organizuar me anë të debateve, intervistave e projektimit të dokumentarëve denoncuese. Globalizimi i mafies imponon një mënyrë të re të të treguarit e të bërit informacion. Adoptimi i instrumenteve të reja e të një metodologjie novative investigimi nga ana e kronistëve të kriminalitetit qe një nga konkluzionet e rëndësishme të arritura në trajtimin e kësaj teme delikate. Por debatet e kësaj dite u ndalën dhe në problematika të tilla, si a është gazetaria në shërbim të qytetarëve apo me stilin që ka arritur kohët e fundit synon të pengojë zhvillimin e një mendimi kolektiv? Qytetari si banor i një fshati global është gjithnjë e më i informuar me atë çka ndodh në botë e më pak për sa i takon gjithçkaje që ndodh pranë tij. E në këtë kuadër, ç’duhet bërë për të rritur rolin e informacionit lokal? Gjatë ditës së dytë të festivalit, një nga temat që ngjalli mjaft interes jo vetëm me numrin e pjesëmarrësve, por dhe me debatet e lindura që ajo solli, qe “Të dënuar me vdekje, kurajë për të informuar”. Në të gjithë botën dhjetëra gazetarë përballojnë çdo ditë këtë realitet të hidhur. Disa vdesin, të tjerë janë të detyruar të kalojnë jetën në azil, e ky debat hodhi dritë mbi këtë aspekt tragjik të këtij profesioni, duke analizuar një nga problemet më madhore, pikërisht liria e shtypit. Emocionuese ishte leximi i përshëndetjes që i bëri këtij festivali autori i “Gomorras”, Roberto Saviani: “Keni organizuar një gjë mjaft të mirë. Ju lumtë vërtet!”.

Komente të shumta patën trajtimi i temave politike si “Ballkani, konflikt infinit?”, “Amerika e Jugut, demokracia e liria e shtypit”, “Lindja e Mesme e lufta e informacionit”, kjo e fundit me orator Ayman Mohyeldin, gazetari i vetëm i huaj i pranishëm në Gaza gjatë konfliktit të fundit. “Kurrë si në këtë konflikt - tha ai, - qe dhe një luftë e informacionit midis të vërtetës censurës e propagandës”.

Kriza ndërkombëtare, skenarët e rinj financiarë e roli i medias në to, u bë objekt studimi gjatë ditës së tretë të Festivalit Internacional të Gazetarisë nga ana e disa oratorëve ekspertë. Midis tyre vlen të përmendet John Byrne drejtor i www.businessweek.com, një nga revistat amerikane më të rëndësishme online të botës së biznesit. “Objektivi im personal është pikërisht prezantimi i teatrit të madh të biznesit, të përshkruajë në mënyrë korrekte e optimiste djersën, gjakun e lotët që janë pjesë e jetës së biznesmenëve e aktiviteteve të tyre”, - do të shprehej ai.

Imazhet e transmetuara nga kanali televiziv “France 2” mbi vrasjen e djalit palestinez 12-vjeçar Mohammed Al-Dura në rripin e Gazës në vitin 2000 u transmetuan nga të gjitha televizionet private e publike në botë. Vërtetësia e këtyre pamjeve u vu në pikëpyetje, e kanali televiziv “France 2” përfundoi në gjykatë. Ky rast që mbart problematikën me shumë nivele të informacionit e që shtron pyetjen t’i besojmë apo jo medias, u bë shkak i analizave të gjera profesionale të trajtuara nga pena të njohura të gazetarisë botërore si Philippe Karsenty (analist e gazetar watchdog francez), Adrian Monck (gazetar, profesor e shkrimtar anglez), Ivan Rioufol (editorialist, esesist e gazetar francez) e Gabriella Simoni (gazetare italiane, korrespondente gjatë luftërave në Ruanda, Somali, Irak).

Për herë të parë mori pjesë si një bashkëorganizator i këtij manifestacioni dhe Bashkimi Evropian. Roli i Parlamentit Evropian e strategjitë për të komunikuar me Evropën qenë në qendër të takimit me presidentin e këtij parlamenti, z. Hans-Gert Pottering.

Dita e katërt e Festivalit Internacional të Gazetarisë mbajti firmën e Seymour Hersh, një nga gazetaret investiguese më të mira në botë, gazetare e të përjavshmes “The New Yorker”, fituese e çmimit “Pulitzer” më 1970 për investigimin e saj mbi masakrën e My Lai gjatë luftës së Vietnamit. Gjatë “keynote speech”, ajo evidentoi prapaskenat e qeverisjes së Bushit e si ish-presidenti i SHBA-së sulmoi e shkeli Kushtetutën me ndihmën e medias.

“Gratë e media, kush ka frikë nga to?” qe një temë tjetër në qendër të debateve të kësaj dite. Gratë që drejtojnë mediat janë të pakta, gëzojnë një aparencë të mirë por fuqia e tyre është shumë e dobët. Pikërisht në analizë të këtij problemi u vunë në konfront mjeshtre të gazetarisë si Alexandra Foderl-Schmid drejtore e “Der Standard”, Alexandra Kamenskaya “Paris bureau chief”, RIA Novosti, Maria Laura Rodota e “Corriere della Sera” e Annalisa Spiezie nëndrejtore e emisionit televiziv italian “Studio Aperto”, Modera Angelo Mellone, gazetare e shkrimtare. “Bagdad zona e kuqe”, Iraku që s’e keni parë kurrë u bë një nga temat mbyllëse të këtij festivali, bazuar në librin reportazh të gazetares zvicerane Ann Nivat. 12 minuta është koha mesatare e mbijetesës së një shtetasi të pambrojtur perëndimor në rrugët e Bagdadit, Ann Nivat iu deshën dy muaj për të pasqyruar në librin e saj atë çka askush nuk njihte më parë nga Iraku. Gjatë ditëve të këtij festivali një vend të konsiderueshëm zunë temat si interneti e pjesëmarrja në të, instrumentet më të vlefshme për të përfshirë dhe lexuesin në dialog, Supermedia-bashkimi bën forcën. Sipas mjaft ekspertëve brenda 5 vjetëve integrimi i “newsroom” (letër, online, radio e telefonia) do të jetë në normativën e çdo redaksie. Kjo Supermedia do të arrijë të shpëtojë botën?

Për reporterët e ardhshëm ky aktivitet ofroi dhe një mundësi të rëndësishme informative. Shkolla më e madhe e gazetarisë “City Britanike University School of Journalism” e Londrës ofroi një seksion të hapur me kandidatët e mundshëm për Master në Gazetarinë Internacionale. Prania e gazetarëve, kronistëve, reporterëve super të zënë e të përkulur mbi kompjuter për të përfunduar artikullin e tyre, qe një nga imazhet e fundit që shoqëroi dhe mbylljen e dyerve të Festivalit Internacional të Gazetarisë 2009.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›