E Shtunë, 31 Tetor 2026

AVA nis përgatitjen e Provimeve të Lirimit



Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) ka nisur përgatitjet për zhvillimin e Provimit të Lirimit për të gjitha shkollat 9-vjeçare në vend, bazuar në rregulloren e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, të miratuar pak ditë më parë. Drejtori i AVA-s, Alfons Harizaj, tha dje se “ka nisur puna edhe për grumbullimin e fondit të pyetjeve, për të cilat po punojnë rreth 20 mësues".

Lidhur me përzgjedhjen e mjediseve të zhvillimit të provimeve të lirimit, Harizaj bëri të ditur se drejtoritë arsimore duhet të përcaktojnë mjediset ku zhvillohen provimet deri më 20 maj. Që një mjedis të jetë i përshtatshëm për këto provime, duhet të plotësojë disa kritere si: të jetë i mjaftueshëm për të paktën 15 nxënës; largësia ndërmjet nxënësve të jetë jo më pak se 120 cm larg etj.

Nxënësit e klasave të 9-a do ta mbyllin vitin shkollor më 5 qershor 2009, pasi kanë Provimet e Lirimit, ndryshe nga të gjithë nxënësit e arsimit bazë, për të cilët viti shkollor përfundon më 28 qershor.

Periudha e zhvillimit të sesionit të parë të Provimeve të Lirimit, sipas udhëzimit të MASH-it, është nga data 6 qershor-27 qershor 2009. Nxënësit e klasave të 9-a do të testohen për Gjuhë shqipe dhe Lexim letrar më 13 qershor 2009 dhe në Matematikë, në 20 qershor 2009. Ndërsa për sesionin e dytë të Provimeve të Lirimit, udhëzimi parashikon data të tjera. Kështu, nxënësit që nuk do të kalojnë në sesionin e parë të Provimeve të Lirimit, do t'i rijapin ato në datat 1-5 shtator 2009.

Vlerësimi i tezave të provimit do të kryhet pranë mjediseve të drejtorive arsimore të rrethit, ku do të mblidhen të gjitha testet e plotësuara. Për korrigjimin e tyre do të përzgjidhet grupi më i mirë i mësuesve të lëndës nga ana e drejtorive arsimore. Pas mbylljes së kësaj procedure vlerësimi, do të hapen dhe numrat e regjistrimit të vendosur në çdo tezë dhe secila drejtori, në bazë të listave emërore, identifikon rezultatet e nxënësve me emrat e tyre, të cilat u shpërndahen më pas shkollave.

Korçë

Qendra komunitare e shëndetit mendor

Qendra komunitare e shëndetit mendor, e ngritur në qytetin e Korçës rreth një vit më parë, ka nisur të zgjerojë shërbimet e aktiviteteve, me synim integrimin e kësaj kategorie shoqërore në jetën social-ekonomike. Për 50 pacientët e shëndetit mendor që trajtohen në këtë qendër, ku punon një staf prej 11 vetësh, si dhe dy mjekë, përkujdesi po shtrihet dhe në aktivitete të ndryshme në pikat turistike të rajonit të Korçës, si dhe me kurset e mësimit të gjuhës. "Krahas shërbimeve psikologjike, trajtimeve për raste krizash, përkujdesje infermierie, i kemi shtuar dhe veprimtari të ndryshme, përmes të cilave synojmë riaftësimin dhe integrimin e të sëmurëve të shëndetit mendor në shoqëri”, - tha dje drejtori i saj, Roland Lalaj. Qendra komunitare është në vartësi të Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik për qarkun e Korçës dhe me përkujdesjen e saj, ka arritur trajtime dhe shërbime të veçanta për të sëmurët e shëndetit mendor. "Si qendër komunitare, kemi bërë vizita në fshatrat turistikë të Dardhës e Voskopojës për riaftësimin e shëndetit mendor të pacientëve, krahas organizimit të kurseve të gjuhëve të huaja, mes të cilave dhe ajo frënge, pasi synojmë integrimin e kësaj kategorie njerëzish në shoqëri dhe jetën social-ekonomike", - tha Lalaj. Qendra komunitare e shëndetit mendor në Korçë, e ngritur për herë të parë në këtë qytet, bashkëpunon edhe me fondacione dhe shoqata të ndryshme që kanë aktivitet në qytetin e Korçës, në dobi të njerëzve në nevojë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›