E Diel, 1 Nëntor 2026

Peshkopi; Shoqërohet për vjedhje, 15-vjeçari hidhet nga kati i 3-të i komisariatit



Një 15-vjeçar, i cili ishte i shoqëruar në mjediset e Komisariatit të Peshkopisë për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim, është hedhur nga kati i tretë i godinës, duke vënë në rrezik jetën. Ai është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pas thyerjes së këmbës dhe disa traumave që ka pësuar. Ende nuk dihen motivet e hedhjes së adoleshentit të shoqëruar në polici, ndërsa kjo e fundit në një komunikatë për shtyp e ka cilësuar si rënie aksidentale rastin në fjalë. 15-vjeçari E. Lleshi u shoqërua në polici në datën 4 mars, pasi akuzohet nga policia vendore si pjesëmarrës në një vjedhje në bashkëpunim me dy persona të tjerë po nga ky qytet. Shoqërimi i adoleshentëve është bërë në prani të prindërve të tyre, ndërsa janë vënë në dhomat e izolimit, por, dy net më parë, rreth orës 23:00, adoleshenti sapo ka dalë nga dhomat ku është marrë në pyetje nga oficerë të Policisë Gjyqësore, është hedhur nga kati i tretë. Ai ka qenë duke qëndruar me babanë e tij në korridorin e kësaj godine, kur është shkëputur në një ambient pa njerëz përreth, për t’u hedhur nga kati i tretë, tej rrethimit me kangjella të komisariatit. Nga rënia në një lartësi të konsiderueshme, i mituri ka thyer këmbën dhe ka pësuar dhe disa fraktura të tjera. Ndërkaq policia e ka dërguar menjëherë në spitalin e Peshkopisë dhe më pas në drejtim të Spitalit Ushtarak të Tiranës, pasi ishte në gjendje të rëndë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›