Gazetarët në protestë kundër dhunës së policisë
Gazetarë, analistë, njerëz të medias, por edhe qytetarë të ndryshëm janë mbledhur mesditën e sotme përpara Piramidës, në shenjë proteste kundër dhunës së ushtruar ndaj operatorit të televizionit Top Channel Genti Ballta në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Motoja e protestës ka qenë: Ne nuk do të heshtim! Kërkohet marrja e masave për keqbërësin Erzen Breçani. Ftohen të gjithë qytetarët të marrin pjesë.
Gazetari Gjergj Erebara, njëri prej organizatorëve, ka deklaruar se protesta e sotme kishte për qëllim respektimin e dinjitetin dhe të drejtës të çdo njeriu për të jetuar pa frikën e dhunës policore.
Kjo nuk është thjesht një protestë për dëmin fizik që shkakton një grusht, kjo është një protestë për dinjitetin tonë, për të drejtën tonë për të jetuar pa u cenuar dhe pa frikën e dhunës policore. Fakti që zoti Breçani u pezullua nga detyra dje, tregon se nëse shqiptarët reagojnë si shoqëri dhe jo si individë të izoluar, për të gjithë ne gjërat mund të ndryshojnë për mirë, tha ai.
Ndërsa Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë kërkoi që çdo njeri i veshur me pushtet të mos guxojë të vërë dorë ndaj gazetarëve, që janë duke kryer detyrën e tyre dhe në shërbim të publikut. ”Unioni i Gazetarëve përkrah të gjithë ata kolegë që kërkojnë ndihmë dhe janë në misionin e zbulimit të të vërtetave”, tha ai.
Policia e Tiranës fillimisht mohoi çdo përgjegjësi për dhunimin e operatorit të Top Channel, i cili u godit nga numri dy i policisë kryeqytetase Erzen Breçani. Ndërsa mbrëmjen e djeshme u njoftua zyrtarisht se drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka marrë masën e pezullimit paraprak nga detyra, ndaj zëvendësdrejtorit për Sigurinë Publike, të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, Erzen Breçani, pasi ndaj tij ka filluar ecuria disiplinore.
10 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
Gazetarët në protestë kundër dhunës së policisë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email