Rama në Elbasan: Bashkim ekonomik me Kosovën
Kreu i PS ishte pasditen e sotme në qytetin e Elbasanit ku zhvilloi një konferencë kushtuar ekonomisë dhe shtimit të papunësisë në vend.
Duke iu referuar shifrave të INSTAT, të cilat siç tha lideri i opozitës më pas u manipuluan, por edhe shifrave të Bankës së Shqipërisë, Rama bëri një ekspoze të gjendjes alarmante që numëron 1 milion të papunë. Kryesocialisti hodhi poshtë edhe ato që i quajti manipulime të qeverisë me rritjen e pagave.
Paga reale e shqiptarëve ra me 9.4 për qind krahasuar me 2012-n. Pra, paga e shqiptarëve është 10 për qind më e ulët krahasuar me fuqinë blerëse të tyre, deklaroi Rama.
Ndërkohë, një element i veçantë i kapitullit ishte edhe ai që synon, sipas Edi Ramës, një rritje të bashkëpunimit ekonomik me Kosovën, duke krijuar siç tha ai një hapësirë më të gjerë shqiptare.
Nëse ne arrijmë ta shohim që bashkimi kombëtar Shqipëri-Kosovë nuk është një fakt i kryer kur kemi një qeveri të përbashkët dhe një mbret për të dyja anët, por është një vizion i së ardhmes që quhet i kryer kur hapësirën ku jetojmë e shfrytëzojmë për aktivitete ekonomike, kulturore e shpirtërore të këtij kombi të ndarë në dy shtete. Kjo është kultura e BE-së dhe rrugëtimi ynë drejt BE-së, nënvizoi Rama.
10 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
Rama në Elbasan: Bashkim ekonomik me Kosovën burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email